ISLAMIZMI DHE PERËNDIMI, KU U GABUA? Nga BERNARD LEWIS, revista 'The Atlantic'
E Premte, 08.22.2014, 06:45am (GMT+1)
I parë nga të gjitha standardet e botës moderne, nga zhvillimi ekonomik, niveli i edukimit apo arritjet shkencore, qytetërimi islam, dikur i fuqishëm, sot ka mbetur shumë prapa. Mjaft njerëz në Lindjen e Mesme ia hedhin fajin faktorëve të jashtëm. Por problemet e botës myslimane përgjithësisht kanë në bazën e tyre një arsye të thjeshtë: mungesën e lirisë.
Janar 2002
Gjatë shekullit të 20, u bë e qartë se në Lindjen e Mesme, në fakt në të gjitha vendet ku sundon Islami, gjërat kishin shkuar shumë keq. Krahasuar me Krishtërimin, rivalin e tij qindravjeçar, bota e Islamit ishte dobësuar, kishte rënë në varfëri dhe injorancë. Perëndimi kishte dalë në vend të parë dhe dominimi i tij ishte i dukshëm. Ai ishte shtrirë në çdo aspekt të jetës publike të myslimanëve, madje çka ishte më e dhimbshme, kishte hyrë edhe në jetën e tyre private.
Ithtarët e modernizimit me reformë apo me revolucion të botës islame i përqendruan përpjekjet në tre aspekte: ushtarake, ekonomike dhe politike. Por rezultati ishte zhgënjyes, për të thënë më të paktën. Përpjekjet për të arritur fitore me ushtri moderne sollën një sërë disfatash të hidhura. Edhe përpjekjet për zhvillim ekonomik nuk patën sukses. Në disa vende ato çuan në ekonomi të varfëra dhe të korruptuara, që vareshin te ndihmat e huaja. Në disa vende të tjera sollën varësinë te nafta si burimi i tyre i vetëm. Madje edhe nafta e tyre nxirrej me anë të shkencës perëndimore dhe shfrytëzohej nga industria perëndimore. Herët a vonë, ajo është e destinuar të shterrojë ose ndoshta të anashkalohet nga përdoruesit e energjisë, tani që komuniteti ndërkombëtar po e kupton gjithnjë e më tepër ndotjen që ajo i sjell tokës, detit dhe ajrit gjatë përdorimit ose transportit, po e kupton se nafta e lë ekonominë botërore në mëshirë të një klike autokratësh kapriçozë. Më e keqja e të gjithave janë rezultatet politike: përpjekjet e gjata për liri kanë lënë në Lindjen e Mesme një sërë tiranish mjerane, duke filluar nga autokracitë tradicionale e deri te diktaturat, të cilat janë moderne vetëm në aparatin e tyre të shtypjes dhe të indoktrinimit.
Për shërimin e gjendjes u provuan formula të ndryshme: armatime dhe uzina, shkolla dhe parlamente, por asnjëra nuk dha rezultatin e dëshiruar. Aty-këtu ato çuan në ndonjë zbutje të problemeve dhe për disa elementë të kufizuar të popullatës sollën ndonjë përfitim. Por ato nuk e ndreqën, madje as që e frenuan disbalancën në rritje mes Islamit dhe botës perëndimore.
Dhe kjo nuk ishte e gjitha. Myslimanët ndiheshin keq që, pas shumë shekujsh pasurie dhe fuqie, ishin bërë të varfër e të dobët, që kishin humbur pozitën udhëheqëse, të cilën e konsideronin si të drejtën e tyre dhe që kishin përfunduar në rolin e ndjekësve të Perëndimit. Por shekulli i 20, sidomos gjysma e tij e dytë, u solli një poshtërim të mëtejshëm, kur ata e kuptuan se nuk ishin më as në radhët e para të këtyre ndjekësve, por po mbeteshin prapa në sërën e gjatë të vendeve që po modernizoheshin sipas shembullit të Perëndimit, sidomos atyre në Azinë Lindore. Ngritja e Japonisë ishte një inkurajim por edhe një qortim. Ngritja e mëvonshme e fuqive të tjera ekonomike aziatike solli vetëm qortim. Trashëgimtarët krenarë të qytetërimeve të lashta ishin mësuar tashmë të paguanin firma perëndimore për të realizuar gjëra që teknikët dhe kontraktorët e tyre nuk i bënin dot. Sundimtarët dhe biznesmenët e Lindjes së Mesme e panë tani të udhës të ftonin kontraktorë dhe teknikë nga Koreja, e cila vetëm pak dekada më parë kishte dalë nga sundimi kolonial japonez. Nuk është mirë të ndjekësh dikë nga pas, por është shumë më keq kur e ndjek duke çaluar. I parë nga të gjitha standardet e botës moderne, siç janë zhvillimi ekonomik, krijimi i vendeve të punës, niveli i shkollimit, arritjet në edukim dhe shkencë, liria politike dhe respekti për të drejtat e njeriut, ky qytetërim dikur i fuqishëm, tani ka rënë mjaft poshtë.
"Kush na e bëri këtë?" është reagimi më i natyrshëm i njerëzve kur punët nuk shkojnë mirë. Këtë pyetje e kanë bërë dhe e bëjnë shumë njerëz në Lindjen e Mesme.
Zakonisht është më e lehtë t'ua hedhësh fajin të tjerëve për hallet e tua. Për një kohë të gjatë, fajtorët më të zakonshëm ishin mongolët. Pushtimeve mongole të shekullit të 13 u hidhej faji për shkatërrimin e fuqisë dhe të qytetërimit islam si dhe për dobësinë dhe stanjacionin që pasoi. Por pas një farë kohe, historianët, muslimanët dhe të tjerët kuptuan se ky argument kishte dy të meta: Së pari, disa nga arritjet më të mëdha kulturore të Islamit, sidomos në Iran, erdhën pas dhe jo para pushtimeve mongole. Së dyti, një fakt më i vështirë për t'u pranuar, por i pamohueshëm ishte se mongolët përmbysën një perandori, e cila tashmë ishte e dobësuar për vdekje; përndryshe është e vështirë të kuptosh se si perandoria dikur e fuqishme e kalifëve mund të kapitullonte përpara një hordhie kalorësish endacakë që vinin nga stepat e Azisë Lindore.
Rritja e nacionalizmit, që në vetvete ishte importuar nga Europa, solli perceptime të reja. Arabët mund t'ua hidhnin fajin për problemet e tyre turqve, që i kishin mbajtur nën sundim prej shekujsh. Nga ana e tyre, turqit mund t'ua hidhnin fajin për stanjacionin e qytetërimit të tyre peshës së vdekur të së kaluarës arabe, në të cilën kishin mbetur të paralizuara energjitë krijuese të popullit turk. Persët mund t'ia hidhnin fajin për humbjen e lavdisë së tyre të lashtë arabëve, turqve dhe pjesërisht mongolëve.
Në shekujt e 19 dhe 20, dominimi britanik dhe francez në një pjesë të mirë të botës arabe solli një element të ri dhe të pëlqyeshëm ku mund të kërkohej faji: imperializmin perëndimor. Në Lindjen e Mesme ka patur mjaft arsye ku mund të bazohej një akuzë e tillë. Dominimi politik perëndimor, depërtimi ekonomik i Perëndimit dhe sidomos ndikimi i tij kulturor, që ishte më i gjatë, më i thellë dhe më tinzar se gjithçka tjetër, ia ndryshuan faqen rajonit dhe transformuan jetën e popujve të tij. Ky element u solli atyre drejtime të reja, zgjoi shpresa dhe shqetësime të reja, krijoi rreziqe dhe pritshmëri të reja, të papara në të kaluarën e tyre kulturore.
Por dominimi anglo-francez ishte relativisht i shkurtër dhe mori fund gjysmë shekulli më parë, ndërkohë që tatëpjeta e Islamit kishte filluar shumë kohë më parë dhe vazhdoi parreshtur pas kësaj. Në mënyrë të pashmangshme, roli prej fajtori që u atribuohej britanikëve dhe francezëve u zëvendësua nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, krahas aspekteve të tjera të lidershipit perëndimor. Përpjekja për ta transferuar fajin tek Amerika ka fituar mbështetje të konsiderueshme, por, për arsye të ngjashme, nuk është bindëse edhe sot e kësaj dite. Sundimi anglo-francez dhe ndikimi amerikan, ashtu si edhe pushtimet mongole, ishin pasojë dhe jo shkak i dobësive të brendshme të shteteve dhe shoqërive të Lindjes së Mesme. Disa vëzhgues, brenda dhe jashtë rajonit, kanë vënë në dukje se ka patur diferenca në zhvillimin post-kolonial të ish zotërimeve britanike, për shembull mes Adenit në Lindjen e Mesme dhe Singaporit apo Hong Kongut, ose mes viseve të ndryshme që dikur ishin pjesë e Perandorisë Britanike në Indi.
Një tjetër element europian në këtë debat është anti-semitizmi dhe hedhja e fajit hebrejve për të gjitha problemet. Hebrejtë, në shoqëritë islamike tradicionale kanë provuar kufizimet normale dhe rreziqet e herëpashershme që sjell statusi i të qenit pakicë. Para lindjes dhe përhapjes së tolerancës perëndimore në shekujt e 17 dhe 18, ata jetonin më mirë nën regjimet muslimane se në ato të krishtera, në aspektet më të rëndësishme. Me përjashtime të rralla, aty ku në traditën islame ekzistonin paragjykime armiqësore ndaj hebrejve, përgjithësisht shoqëritë islame ushqenin më tepër përbuzje dhe mospërfillje se sa dyshime apo fiksime kundër tyre. Prandaj, ngjarjet e vitit 1948, dështimi i përpjekjeve për të penguar krijimin e shtetit të Izraelit, u pritën me tronditje. Siç vinin në dukje disa autorë të asaj kohe, të mundeshe nga fuqitë e mëdha imperialiste të Perëndimit ishte poshtëruese; të pësoje të njëjtin fat në duart e një bande të përbuzur hebrejsh ishte e padurueshme. Anti-semitizmi dhe imazhi i tij për hebrejtë si një monstër e ligë që thur vazhdimisht plane të fshehta, u kthyen në një antidotë për të qetësuar dhembjen.
Deklaratat e para anti-semite në Lindjen e Mesme u bënë nga pakicat e krishtera dhe u ngjanin atyre që e kishin zanafillën në Europë. Ndikimi i tyre ishte i kufizuar. Për shembull, gjatë gjykimit të çështjes Dreyfus në Francë, kur një oficer hebre u akuzua padrejtësisht dhe u dënua nga një gjykatë që u tregua armiqësore ndaj tij, komentet e muslimanëve zakonisht ishin në favor të hebreut dhe kundër përndjekësve të tij të krishterë. Por helmi vazhdoi të përhapet dhe, duke filluar nga viti 1933, Gjermania naziste bashkë me agjenturat e saj, ndërmorën një fushatë të orkestruar dhe përgjithësisht mjaft të suksesshme për të nxitur anti-semitizmin e stilit europian në botën arabe. Lufta për Palestinën e lehtësoi mjaft pranimin e interpretimit anti-semit të historisë, duke i bërë disa njerëz t'ia atribuonin çdo të keqe në Lindjen e Mesme, madje në të gjithë botën, komploteve të fshehta të hebrejve. Ky interpretim ka mbizotëruar një pjesë të mirë të diskursit publik në rajon dhe kjo pasqyrohet mes të tjerash në arsim, në media madje edhe në botën e argëtimit.
Një argument që përdoret herë pas here është se shkaku i ndryshimit të marrëdhënieve mes Lindjes dhe Perëndimit nuk qëndron te rënia e Lindjes së Mesme por te ngritja e Perëndimit, te zbulimet dhe revolucionet shkencore, teknologjike, industriale dhe politike që e transformuan Perëndimit dhe e shtuan mjaft pasurinë dhe fuqinë e tij. Mirëpo, një argument i tillë të shtyn ta shtrosh pyetjen ndryshe: Përse atëherë zbuluesit e Amerikës u nisën nga Spanja dhe jo nga ndonjë port musliman i Atlantikut, nga të cilët për hir të së vërtetës ka patur përpjekje në kohë më të hershme? Përse zbulimet e mëdha shkencore ndodhën në Europë dhe jo, siç mund të pritej, në botën më të pasur, më të përparuar dhe në disa aspekte më të iluminuar të Islamit?
Një formë më e sofistikuar e lojës së fajit i gjen fajtorët brenda dhe jo jashtë shoqërisë islame. Një fajtor i tillë është feja, madje për disa, është vetë Islami. Por, t'ia hedhësh fajin Islamit është zakonisht e rrezikshme dhe përpjekje të tilla nuk bëhen shpesh, nuk është as shumë bindëse si arsye. Gjatë pjesës më të madhe të Mesjetës, qendrat kryesore të qytetërimit dhe përparimit nuk ishin as kulturat e vjetra të Lindjes dhe as ato të reja të Perëndimit, por ishte bota e Islamit. Atje u rigjallëruan e u zhvilluan shkencat e vjetra dhe u krijuan të reja; atje lindën industri të reja, prodhimi dhe tregtia u përhapën në nivele të papara. Atje qeveritë dhe shoqëritë fituan një liri të tillë mendimi dhe shprehjeje që i bëri hebrejtë e përndjekur madje edhe disidentët e krishterë të iknin nga Krishterimi për të kërkuar strehë në Islam. Në krahasim me idealet moderne, madje edhe me praktikën moderne në demokracitë më të përparuara, bota mesjetare islamike ofronte liri të kufizuar, por kjo ishte shumë më tepër se sa ofronte çdo paraardhës i saj, shoqëritë e tjera të kohës apo shumica e atyre që do ta pasonin.
Shpesh bëhet pyetja: Nëse Islami është pengesë për lirinë, për shkencën dhe për zhvillimin ekonomik, atëherë si ka mundësi që shoqëria islame në të kaluarën ka qenë pioniere në të treja këto fusha dhe kjo kur myslimanët ishin shumë më afër në kohë nga burimet dhe frymëzimi i besimit të tyre se sa janë tani? Disa e kanë formuluar pyetjen ndryshe; jo "Çfarë u ka bërë Islami myslimanëve?", por "Çfarë i kanë bërë myslimanët Islamit?" dhe janë përgjigjur duke ua hedhur fajin dijetarëve, doktrinave dhe grupeve konkrete.
Për ata që sot njihen si islamistë dhe fondamentalistë, dështimet dhe mangësitë e vendeve moderne islamike kanë ardhur për shkak se ato kanë përqafuar nocione dhe praktika të huaja. Ato u shkëputën nga Islami i vërtetë dhe kështu e humbën madhështinë e dikurshme. Ata që njihen si modernistë apo reformatorë kanë pikëpamjen e kundërt dhe e shikojnë shkakun e kësaj humbjeje jo tek braktisja, por tek ruajtja e mënyrave të vjetra e sidomos tek qëndrimet e palakueshme të klerit islamik. Sipas tyre, kleri i gjithëpranishëm islamik është përgjegjës për vazhdimin me këmbëngulje të besimeve dhe praktikave që mund të ishin krijuese dhe përparimtare njëmijë vjet më parë, por nuk janë më të tilla. Taktika e zakonshme e modernistëve është të mos e dënojnë fenë, aq më tepër Islamin, por ta drejtojnë kritikën te fanatizmi. Sipas tyre, është fanatizmi dhe sidomos autoritetet fanatike fetare, që i kanë zënë frymën lëvizjes shkencore islamike, dikur madhështore, dhe përgjithësisht lirisë së mendimit e të fjalës.
Një mënyrë më e zakonshme e trajtimit të kësaj teme ka qenë ajo e diskutimit të një problemi konkret: vendi i fesë dhe i eksponentëve të saj në rendin politik. Në këtë pikëpamje, një shkak kryesor i përparimit të Perëndimit është ndarja e fesë nga shteti dhe krijimi i një shoqërie civile që funksionon me ligje shekullare (laike). Një pikëpamje tjetër e gjen fajtorin kryesor te pozita e ulët që i jepet gruas në shoqërinë myslimane, gjë që e privon botën islame nga talentet dhe energjitë e gjysmës së popullatës dhe ia beson edukimin e gjysmës tjetër nënave analfabete dhe të nëpërkëmbura. Bëhet fjalë për formimin në vitet e para të rritjes, që është me rëndësi vendimtare. Produktet e një edukimi të tillë, thuhet, kanë prirjen të bëhen ose arrogantë ose të nënshtruar, pra të papërshtatshëm për një shoqëri të lirë e të hapur. Pavarësisht se si mund të gjykohen pikëpamjet e shekullaristëve dhe të feministëve, suksesi ose dështimi i tyre do të jetë një faktor kryesor që do të ndikojë mbi të ardhmen e Lindjes së Mesme.
Disa zgjidhje, që dikur mbështeteshin me pasion, sot janë harruar. Dy lëvizjet mbizotëruese në shekullin e 20 ishin socializmi dhe nacionalizmi. Që të dy janë diskredituar, i pari nga vetë dështimi i tij, i dyti nga suksesi dhe më pas ekspozimi që iu bë si i paefektshëm. Liria, e interpretuar në kuptimin e pavarësisë kombëtare, u pa si hajmalia e madhe që do të sillte të gjitha përfitimet e tjera. Shumica dërrmuese e muslimanëve sot jetojnë në shtete të pavarura, por kjo nuk ka sjellë zgjidhjen e problemeve të tyre. Nacional-socializmi, shartimi i të dyja ideologjive, vazhdon të bëjë ligjin në disa shtete që kanë ruajtur stilin nazifashist të qeverisjes diktatoriale dhe të indoktrinimit përmes një aparati të gjerë sigurimi dhe të sundimit të një partie të vetme. Këto qeveri kanë dështuar në çdo drejtim, me përjashtim të mbijetesës, dhe nuk kanë sjellë asnjë nga përfitimet e premtuara. Madje, infrastrukturat e tyre janë më të vjetëruara se sa ato të shteteve të tjera myslimane, ndërsa forcat e tyre të armatosura kanë si qëllim kryesor terrorin and shtypjen.
Sot për sot, dy përgjigje për pyetjen "Çfarë nuk shkon?", secila me diagnozën dhe recetën e saj, gëzojnë mbështetje të gjerë në Lindjen e Mesme. Njëra ia atribuon çdo të keqe braktisjes së trashëgimisë së shenjtë të Islamit dhe kërkon kthimin tek e kaluara, reale apo imagjinare. Kjo është rruga e revolucionit iranian dhe e të ashtuquajturave lëvizje apo regjime fondamentaliste në vende të ndryshme muslimane. Tjetra dënon të kaluarën dhe është për demokracinë shekullare, të mishëruar më së miri në Republikën Turke, që u shpall në vitin 1923 nga Qemal Ataturku.
Për qeveritë shtypëse dhe të paefektëshme që sundojnë në një pjesë të madhe të Lindjes së Mesme, gjetja e arsyeve për të shkarkuar fajin i shërben një qëllimi të dobishëm, madje thelbësor, sepse kështu ato shpjegojnë varfërinë që nuk kanë mundur ta zbusin dot dhe përligjin tiraninë që kanë vendosur. Ato përpiqen ta devijojnë zemërimin në rritje të qytetarëve të tyre drejt elementëve të tjerë, të jashtëm.
Por njerëzit në Lindjen e Mesme gjithnjë e më shumë po përqafojnë një qëndrim më autokritik. Pyetja "Kush na e bëri këtë?" ka çuar veçse në fantazira prej të marrësh dhe në teori komploti. Ndërsa pyetja "Çfarë bëmë gabim?" natyrshëm ka shtruar pyetjen tjetër: "Si mund ta përmirësojmë gjendjen?". Pikërisht te kjo pyetje dhe te përgjigjet e ndryshme që do të gjenden, qëndrojnë edhe shpresat për të ardhmen.
Për një vëzhgues perëndimor, që është shkolluar në frymën e teorisë dhe praktikës së lirisë perëndimore, është pikërisht mungesa e lirisë liria e mendjes nga detyrimi dhe indoktrinimi, liria për të shtruar pyetje dhe për t'u shprehur; liria e ekonomisë nga korrupsioni dhe keqdrejtimi; liria e gruas nga shtypja e burrit; liria e qytetarëve nga tirania që përbëjnë bazën e shumë problemeve të botës myslimane. Por rruga drejt demokracisë, siç e tregon qartë përvoja perëndimore, është e gjatë dhe e vështirë, është plot kurthe dhe pengesa.
Nëse popujt e Lindjes së Mesme vazhdojnë në rrugën e tanishme, kamikazet mund të bëhen një metaforë për krejt rajonin dhe nuk do të ketë shpëtim nga spirali i urrejtjes dhe inatit, i zemërimit dhe i vetëkeqardhjes, i varfërisë dhe i shtypjes. Herët a vonë kjo mund të kulmojë me një tjetër sundim të huaj, ndoshta nga një Europë e re që i kthehet zakoneve të vjetra, ndoshta një një Rusi që kërkon shpagim, apo nga ndonjë superfuqi në Lindje që kërkon zgjerim. Por nëse ata lenë mënjanë grindjet dhe viktimizimin, zgjidhin mosmarrëveshjet dhe bashkojnë talentet, energjitë dhe burimet në një përpjekje krijuese me pjesëmarrjen e të gjithëve, ata mund ta bëjnë përsëri Lindjen e Mesme ashtu sikurse ishte në lashtësi dhe në Mesjetë, një qendër madhështore të qytetërimit. Sot për sot zgjidhja është në dorën e tyre. -- Shënim: Bernard Lewis, është një historian britaniko-amerikan, specialist i studimeve orientale dhe njëherazi njihet edhe si një intelektual i dalluar dhe komentator i njohur politik në Amerikë dhe në Europë. Si Profesor Emeritus i Studimeve mbi Lindjen e Mesme pranë Universitetit Princeton në Shtetet e Bashkuara, ai njihet si ekspert i historisë së Islamit si dhe specialist i marrëdhënjeve midis Islamit dhe botës Perëndimore dhe gjithashtu shquhet ,veçanërisht në qarqet akademike për punën dhe veprat e tij mbi Perandorinë Otomane.
Një mik i imi më dërgoi artikullin e bashkangjitur i cili është shkruar më 2002 në revistën Atlantic dhe është një shkrim interesant edhe për ditët e sotme, kur të merret parasysh situata aktuale në Lindjen e Mesme, si dhe marrëdhënjet, ose mungesa e tyre, midis Islamizmit dhe Perëndimit. Profesor Bernard Lewis shkruan se problemi kryesor në këto marrëdhënje është mungesa e lirisë në Lindjen e Mesme. Të pakën ky është mendimi i tij, në diskutimin e pafund të kësaj çështjeje në qarqet akademike dhe politike. Lexim të këndshëm. Frank Shkreli
www.voal-online.ch
|