Është një kënaqësi e veçantë për mua të prezantoj përpara këtij organi prestigjioz të OKB-së zhvillimet e fundit në Shqipëri, sfidat dhe arritjet e vendit tim në drejtim të përmbushjes së Objektivave të Zhvillimit të Mijëvjeçarit. Por fillimisht, dëshiroj t'i adresoj një përshëndetje të veçantë Presidentit Deiss së bashku me urimet më të përzemërta për zgjedhjen në krye të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.
Një falënderim të veçantë dëshiroj t'i bëj Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Bani Ki-Moon për organizimin e shkëlqyer të këtij sesioni.
Tek qëndroja ulur në këtë sallë sot dhe ndiqja punimet e këtij sesioni, vetëtimthi, në mendje më erdhi Sesioni i OKB-së i shtatorit të vitit 1992, ku unë iu adresova kësaj salle si përfaqësuesi i Shqipërisë, asokohe, njëri ndër vendet më të varfëra të planetit me 204 dollarë të ardhura për frymë. Me një papunësi prej 80%, një ekonomi tërësisht të falimentuar, uri kronike e masive dhe jetëgjatësi që shkurtohej, me vdekshmëri amtare e foshnjore nga më të lartat në botë. Një vend që në 50 vite kishte ndërtuar 3.5 herë më shumë bunkerë se sa apartamente banimi për qytetarët e vet. Kjo ishte Shqipëria para 18 viteve.
Por, siç ka shkruar një dijetar, që e paimagjinueshmja në botë ndodh njëherë në 20 vjet, në vendin tim e paimagjinueshmja ndodhi në më pak se 20 vjet.
Sot i adresohem kësaj audience të nderuar, si Kryeministër i një vendi, që në një hark të shkurtër kohor ka rritur me dhjetëra herë të ardhurat për frymë dhe që tani së fundmi ka kaluar në grupin e vendeve me të ardhura të mesme të larta. Nga vendi më i hiperkolektivizuar në botë, në vendin ku sot më shumë se 80% e GDP-së gjenerohet nga sektori privat. Gjatë dhjetë viteve të fundit, Shqipëria ka reduktuar nga 25 në 12% varfërinë dhe nga 4.2 në 1.3% varfërinë ekstreme.
Pesë vite më parë, Shqipëria, në kuadër të projektit të saj të integrimit evropian përparoi dhe ridimensionoi edhe më tej Objektivat e Zhvillimit të Mijëvjeçarit, duke i përshtatur ato me përmbushjen e objektivave të saj për integrimin ne BE.
Për këtë qëllim, vetëm në 4 vitet e fundit, Shqipëria ka rritur me 40% shpenzimet për shëndetësinë, me 60% shpenzimet për arsimin, me rreth 80% mbrojtjen sociale.
Kemi kënaqësinë të theksojmë se mbi 90% e nxënësve që kanë mbaruar shkollën 9-vjeçare hyjnë në shkollat e mesme. Shtatëdhjetë përqind e të rinjve dhe të rejave që mbaruan shkollën e mesme janë pranuar në universitetet e vendit. Numri i studentëve është trefishuar dhe interneti është i aksesuseshëm në çdo shkollë, në të gjithë vendin.
Jetëgjatësia e shqiptarëve ka arritur tashmë në 77.9 vjet, ndërsa vdekja maternale është disa herë më e ulët, se në disa ndër vendet më të zhvilluara. Ulje drastike ka patur edhe vdekshmëria foshnjore, e cila ende nuk është në nivelin ku duhet të jetë. Vaksinimi i fëmijëve në Shqipëri është në nivelet më të larta në botë.
Fushat e mbrojtjes së mjedisit kanë njohur progres thelbësor. 98% e elektricitetit dhe energjisë në vendin tim vjen nga burime të ripërtërishme. Ekonomia e vendit, me gjithë krizën e madhe botërore, financiare ia doli të ketë një rritje prej 3.5%, në vitin 2009. Eksportet këtë vit kanë njohur një rritje prej 62%. Të ardhurat buxhetore këtë vit janë rritur me 13% krahasuar me vitin e kaluar. Në tërësi, rritja ekonomike gjatë këtij viti pritet të jetë midis 4-5%.
Shqipëria ka krijuar një mjedis shumë miqësor për biznesin e investimet. Për momentin është një nga vendet me barrën më të ulët fiskale në Evropë. Vetëm dy vitet e fundit vendi im ka firmosur kontrata prej disa miliardë euro investime e koncesione. Infrastruktura e Shqipërisë ka pësuar transformime rrënjësore, përsa i përket rrjetit rrugor, furnizimit me ujë, energjisë, telekomunikacioneve dhe shërbimit shëndetësor. Vendi im, sot është anëtar i NATO-s dhe ecën i sigurt në procesin e integrimit në BE.
Personalitete të shquar të ekonomisë e financave botërore e kanë vlerësuar si quantum leap zhvillimin e Shqipërisë gjatë këtyre viteve, por unë mbetem plotësisht i vetëdijshëm se, me gjithë këto arritje, vendi ka serish rrugë jo të lehtë, përpara. Serish, në vendin tim me mijëra qytetare përballen me papunësinë e cila arrin në 11%, ndërsa të tjerë përballen me varfërinë, madje edhe varfërinë ekstreme, ndërsa durojnë dhembjen, dëshpërimin dhe lotët e ftohtë të tyre. Në anën tjetër, ndërtimi i vendit dhe infrastruktura kërkon investime të mëdha. Përmbushja dhe tejkalimi i OZHM është një rrugë e sigurt për një horizont të ri të vendit tim në përpjekjet për integrimin e tij evropian.
Këto arritje të jashtëzakonshme, të qytetarëve shqiptarë kanë në bazë iniciativën e tyre të lirë, lumejtë e tyre të djersës për çka, unë dua të përdor këtë mundësi për t'u bërë nderimet e mia më të përzemërta.
Por, ato u bënë të mundura gjithashtu falë reformave të thella e të gjithanshme të ndërmarra gjatë këtyre viteve në Shqipëri në fushën ekonomike, sociale, arsimore, shëndetësore në tërësi dhe në veçanti falë luftës tonë të paepur kundër korrupsionit dhe reformat e lidhura me të.
Këto reforma janë përcaktuese për fatin, suksesin dhe rezultatin e të gjitha reformave te tjera. Ndaj edhe për mua kusht vendimtar për arritjen dhe tejkalimin e Objektivave të Zhvillimit të Mijëvjeçarit është lufta kundër korrupsionit. Unë besoj se ky fenomen përfaqëson armikun më të egër të njerëzve dhe shoqërive të lira.
Në vendin tim, lufta e paepur kundër korrupsionit na lejoi të dyfishonim të ardhurat buxhetore në më pak se 5 vjet. Reformat anti-korrupsion ndihmuan reformat ekonomike dhe reforma të tjera ta shndërrojnë Shqipërinë në një ndër vendet më të sigurtë në Evropë, por edhe ndër vendet më tërheqëse për investimet e huaja, ndaj dhe unë ftoj biznesmenët tuaj ta konsiderojnë seriozisht mundësinë për të vizituar dhe investuar në Shqipëri.
Shfrytëzoj rastin të shpreh vlerësimin e thellë për Organizatën e Kombeve të Bashkuara për përpjekjet e vazhdueshme kundër korrupsionit, dhe në veçanti, Konventën e saj Kundër Korrupsionit si edhe ngritjen, kohët e fundit, të akademisë anti-korrupsion, në Vjenë.
Shqipëria dhe shqiptarët në rrugën e tyre të ndërtimit të sistemit demokratik, ekonomisë së tregut kanë patur një mbështetje dhe solidaritet të jashtëzakonshëm të shumë kombeve dhe vendeve mike nga mbarë bota.
Dua të shfrytëzoj këtë rast për t'u shprehur atyre, qeverive dhe taksapaguesve të tyre mirënjohjen më të thellë për bujarinë që dëshmuan ndaj një kombi që dilte nga izolimi më i thellë i kohërave. Falënderoj thellësisht OKB, agjencitë e saj, institucionet e Breton Woods, PNUD-in për ndihmën shumë të çmuar ndaj Shqipërisë gjatë gjithë kësaj kohe.
Një falënderim të veçantë dëshiroj të bëj sot për Sekretarin e Përgjithshëm të OKB, Ban Ki-Moon dhe ekipin e tij që përzgjodhën vendin tim, për programin e OKB Delivering as One. Më lejoni të afirmoj këtu se kjo përzgjedhje ka rritur shumë eficiencën e bashkëpunimit midis vendit tim dhe agjencive të OKB dhe ka arritur një implementim më të suksesshëm të dhjetëra e dhjetëra projekteve të përbashkëta, në fusha të shumta, të cilat e kanë ndihmuar shumë vendin tim në rrugën e përmbushjes së OZHM-ve dhe integrimit evropian.
Së fundmi, dëshiroj t'iu falënderoj ju, zonja dhe zotërinj të pranishëm këtu sot, për vëmendjen që më kushtuat.
-
Fjala në sesionin e 65-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, Nju Jork, 22 shtator 2010