BOTËROR I NGRITUR MBI GËNJESHTRA Nga JIM WHITE, The Guardian
E Enjte, 07.10.2014, 10:45am (GMT+1)
Festa mbaroi. Karnavalet që ngjyrosën Brazilin për dy muajt e fundit u zvetënuan mbrëmjen e dy ditëve më parë. E gjelbra dhe e verdha që ndezën entuziazmin më të bukur patriotik në çdo rrugë të Brazilin humbën. Tani ka nisur dhimbja e kokës dhe duket se do të jetë për shumë kohë disi e dhimbshme për brazilianët. Disfata ndaj Gjermanisë në shtëpi, për të gjithë brazilianët do të dhembi njësoj. Por njerëzit që do të jenë më shumë nervozë në ditët në vijim janë sigurisht ata, politikanët që qëndruan pas organizimit të këtij kompeticioni. Këta politikanë, menduan se fitimi i këtij kompeticioni do të shuante përgjithmonë trazirat në vend. Për ta, dështimi nuk ekzistonte si mundësi. Fatura prej 10 miliardë eurosh, dhënë për kompeticionin, nuk ka prodhuar thuajse asnjë përfitim ekonomik. Projektet infrastrukturore nuk u materializuan aspak. Fillimisht, u mendua se organizimi i këtij kompeticioni do ta paraqiste Brazilin si vend modern, të etur për të fituar gjithçka, si në sport, si në politikë ashtu edhe në ekonomi. Por, nga dita në ditë, etja u largua disi dhe mbeti vetëm një objektiv si shpëtim: fitimi i trofeut. Pra të fituarit e Botërorit u kthye në gjithçka. Për politikanët që u morën shumë me këtë projekt, fitorja ishte esenciale. Nëse ata nuk kanë mundur t'i sjellin mirëqenie vendit në të gjithë këta vjet, menduan se mund t'i sillnin një shfaqje të bukur. Por, kur edhe kur kjo shfaqje nuk arriti kurrë të vihej në skenë, ishin pikërisht ata, të akuzuarit e përhershëm që u fajësuan: politikanët. Ndërsa Gjermania ishte duke shkatërruar Brazilin dy ditë më parë, tifozët brazilianë në stadium nisën të akuzonin. Menjëherë u zgjua kujtesa kolektive e ditëve të trazirave. Sytë u kthyen nga ajo, Presidentja, Dilma Rousseff. Brenda natës, prestigji i saj, i lidhur ngushtë me organizimin e Kupës së Botës u bë thërrime. Në shumë mënyra, turpërimi i dy ditëve më parë ishte shpagimi i fundit për një turne të ndërtuar mbi një gënjeshtër. Fillimisht, gënjeshtra tha se Kupa e Botës do të transformonte ekonomikisht vendin. Më pas, gënjeshtra mori zemër dhe tha se suksesi në këtë kompeticion do të rikthente në vend identitetin e "përhumbur" kombëtar! Por nuk kishte asnjë mundësi, që ai Brazil të përmbushte këtë objektiv të gënjeshtërt. Pas ndeshjes, teksa ecja në rrugët e Belo Horizonte-s, u përballa me një panoramë, e cila do të më mbetet thellë në kujtesë. Në një kasolle të vogël, të ngecur në qoshen e jashtme të një ndërtese të madhe, një familje e tërë flinte zbuluar. Një nënë ishte shtrirë sa gjatë e gjerë përtokë, dhe në krahët e saj ishin mbështetur dy vogëlushët. Rreth tyre qëndronin rraqet: i gjithë plëngu i asaj familjeje. Ishte një panoramë që të rikujton një të vërtetë të hidhur, se kur vjen puna te përfitimet në kompeticione të mëdha sportive, ata që qëndrojnë të kollarisur në majë të asaj godine do të jenë të shpërblyerit e përjetshëm, ndërsa ata që mundohen të strehohen nëpër kasolle, do të jenë të detyruar të paguajnë faturën.
Përktheu: Erald Deliu
|