Deutsche Welle - RRITET TRYSNIA NDAJ ZVICRËS PËR ZBUTJEN E SEKRETIT BANKAR
E Mërkurë, 05.15.2013, 05:50pm (GMT+1)
Pasi Austria hoqi dorë nga rezistenca BE mund të negociojë tani me Zvicrën për
një marrëveshje fiskale. Për këtë ranë dakord ministrat e financave të BE-së.
Ajri po bëhet gjithnjë e më i rrallë për evazorët fiskalë.
Pas një konflikti disavjeçar ministrat e financave të BE-së ranë dakord të
martën (14.5.) të nisin negociatat me Zvicrën dhe katër vende të tjera
joevropiane, për një marrëveshje për tatimin e të ardhurave nga interesat. Deri
para pak kohësh Austria kishte rezistuar, pasi donte të mbronte sekretin bankar
në vend dhe nuk donte t'u përcillte shteteve të tjera të dhëna për klientët e
bankave.
Ministrja austriake e Financave Maria Fekter, deklaroi para fillimit të takimit
të ministrave të Financave në Bruksel, se tani ajo do të "zhbllokojë"
dhe do të bashkohet me shumicën brenda BE-së, që synon masa më të forta kundër
evazionit fiskal.
Më parë kishte lëshuar pe edhe Luksemburgu, i cili gjithashtu fillimisht
refuzonte përcjelljen e të dhënave bankare. Mandati i negociimit që mori tani
Komisioni i BE-së nga ministrat e financave, nuk është formuluar plotësisht.
Duket se negociatat nuk duhet të rëndohen me kërkesa konkrete.
Maria Fekter, në takimin e ministrave të Financave në Bruksel
Objektivi është që Zvicra të pranojë të marrë pjesë në një këmbim automatik të
të dhënave bankare. Atëherë të ardhurat nga kapitali e para së gjithash nga
interesat, që merren nga një llogari në Zvicër apo një tjetër parajsë fiskale
në Evropë, do t'i njoftoheshin autoriteteve fiskale në vendin e origjinës të
titullarit të llogarisë, ku dhe do t'i nënshtrohen tatimit.
Brenda BE-së ekziston që prej vitit 2005 një këmbim automatik i të dhënave në
25 nga 27 vendet anëtare. Deri tani atë e kundërshtonin vetëm Luksemburgu dhe
Austria. Objektivi i qartë i ministrave të financave të BE-së është ta ngrenë
këtë lloj krahasimi të dhënash në nivelin e një standardi global.
Në këtë përpjekje ata morën së fundi mbështetje edhe nga Azia: Singapori
njoftoi të martën (14.5.) në mënyrë të papritur se dëshiron të marrë pjesë në
këmbimin e të dhënave fiskale. Me vendimet e Brukselit dhe Singaporit, shtohet
trysnia ndaj Zvicrës për të zbutur sekretin e saj bankar.
www.voal-online.ch
|