RIFILLOJNË GËRMIMET NË RASHKË
E Premte, 08.08.2014, 08:13am (GMT+1)
Gërmimet për gjetjen e trupave të pajetë të shqiptarëve të vrarë gjatë luftës në Kosovë, në Rudnicë të Rashkës në Serbi kanë filluar përsëri, pas më shumë se një muaj ndërprerjeje.
Gërmimet në vendin ku po hulumtohet varreza masive, ishin ndërprerë muajin e kaluar për shkak se pala serbe e angazhuar në këtë proces kishte, siç thuhej, mungesë fondesh.
Kryetar i Komisionit Qeveritar për të Zhdukur, Prenk Gjetaj, për Radion Evropa e Lirë tha se kësaj radhe pala serbe i ka siguruar fondet me ndihmën ndërkombëtare, dhe besojnë që punimet do të vazhdojnë pa u ndërprerë përsëri.
"Tani janë siguruar fondet, sepse zviceranët, britanikët dhe norvegjezët kanë mbledhur mjete në llogarinë e tyre, kështu që tash që kanë filluar punimet, shpresoj që nuk do të ketë ndërprerje", tha Gjetaj.
Fillimin e punimeve në Rashkë e konfirmoi drejtori i Departamentit të Mjekësisë Ligjore të Kosovës, Arsim Gërxhaliu, ku për Radion Evropa e Lirë tha se puna ka filluar që nga mesi i ditës së enjte, dhe pala shqiptare është duke shpresuar që ajo të vazhdojë pa ndërprerje.
"Sot rreth orës 12:00 ka filluar puna në të ashtuquajturën 'Rudnica 3', jemi duke punuar me dy eskavatorë. Momentalisht, për shkak të terrenit të keq, sepse kemi dy rënie të dheut në një kënd përafërsisht 90 shkallësh, janë duke u ndërtuar dy taraca të cilat e eliminojnë rrezikun e rënies së dheut. Puna është duke ecur, dhe shpresoj që do të vazhdojë pa ndërprerje", bëri të ditur Gërxhaliu.
Varreza masive në Rudnicë të Rashkës është zbuluar në dhjetor të vitit të kaluar, ndërsa ekipet mjeko-ligjore kanë gjetur mbetjet mortore të rreth 50 personave, dhe ata dyshojnë që në këtë zonë janë rreth 250 trupa të varrosur të shqiptarëve.
Sa i përket identifikimit të mbetjeve mortore që janë gjetur deri tash, zoti Gërxhaliu thotë se Departamenti i Mjekësisë Ligjore pret që së shpejti të vijnë rezultatet e identifikimit, dhe më pas të vazhdohet me procedurat tjera përkatëse.
"Ju e dini se ICMP-ja [Komisioni Ndërkombëtar për Persona të Zhdukur] kërkon kohë minimum prej 6 deri në 8 javë për këtë çështje. Dhe sipas disa informatave, na është thënë se nga gjysma e gushtit do të arrijnë edhe analizat e para të identifikimit. Në Rudnicë kemi gjetur diku rreth 50 trupa të njerëzve, dhe me të arritur analizat e para të identifikimit, ne do të kërkojmë edhe riatdhesimin e menjëhershëm në departamentin tonë", u shpreh Gërxhaliu.
Sipas Gërxhaliut, vetëm largimi i dheut parasheh së paku 20 ditë deri në një muaj pune pandërprerë. Ai bëri të ditur se në qoftë se dalin mbetjet mortore, atëherë ndërpritet puna me makineri të rëndë dhe vazhdohet me vegla të dorës.
Ai tha se nëse gjenden mbetje mortore, atëherë puna mund të zgjatet me muaj të tërë.
Vendi ku janë gjetur mbetjet mortore në këtë varrezë, gjendet skaj magjistrales Rashkë-Mitrovicë, në pjesën e territorit të Serbisë, i cili ka shërbyer më parë si vend parkim i automjeteve të rënda industriale, dhe të makinave të tjera që janë përdorur nga një kompani shtetërore e mirëmbajtjes së rrugëve.
Përndryshe, në Kosovë mbeten mbi 1,700 persona të pagjetur, që nga përfundimi i luftës në vitin 1999.
www.voal-online.ch
|