TIRANE-Ish-drejtori i Departamentit të Emisionit në
Thesarin e Shtetit, Dorian Çollaku rrezikon deri në 7 vjet burg për
shpërdorim detyre. 34-vjeçari u la në burg si bashkëpërgjegjës në
skandalin e vjedhjes së 713 milionë lekëve në Bankën e Shqipërisë. Sipas
prokurorisë, Çollaku është përgjegjës për mosnxjerrjen e shumë akteve
që do të rregullonin funksionimin e departamentit që ai drejtonte. Duke
qenë se "ka rrezik ikje", gjykata vlerësoi ta linte atë në "arrest me
burg". "GSH" po boton sot dosjen e plotë të prokurorisë që la në qeli
Çollakun.
DOSJA E PLOTE Në datë 21.07.2014,
prokuroria pranë gjykatës së shkallës së parë Tiranë, ka regjistruar
procedimin penal nr.5454 për veprat penale të parashikuar nga neni 135 e
248 K.Penal, në ngarkim të punonjësve të Bankës së Shqipërisë Ardian
Bitraj dhe Mimoza Bruzia. Në datë 05.08.2014 është regjistruar emri i
personit nën hetim, Dorian Çollaku, si i dyshuar për kryerjen e veprës
penale të "Shpërdorimit të detyrës", parashikuar nga neni 248 K.Penal.
Nga
aktet provohet se me vendimin nr. 67 datë 14.09.2011 të Këshillit
Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, është emëruar shtetasi Dorian
Çollaku në detyrën e Drejtorit të Departamentit të Emisionit të Bankës
së Shqipërisë. Nga hetimet e zhvilluara deri në këtë fazë të hetimit
është konkluduar se: Shtetasi nën hetim, Ardian Bitraj ka qenë i
punësuar pranë Bankës së Shqipërisë, në detyrën e përgjegjësit të "arkës
stok" dhe asaj "për veprim" që gjenden pranë Departamentit të
Emisionit. Gjatë ushtrimit të detyrës së tij, ky shtetas ka përvetësuar
shuma të mëdha parash, veprime të cilat sipas deklarimit të tij, i ka
filluar qysh prej vitit 2010 e deri në ditën kur është depozituar
kallëzimi penal. Personi nën hetim, Ardian Bitri ka qenë i ngarkuar me
administrimin e vlerave monetare që disponoheshin pranë "arkës stok" dhe
asaj "për veprim", gjithashtu ka përvetësuar vlera monetare edhe prej
"arkës stok" në kartëmonedha të dëmtuara, të cilat sipas urdhrit të
administratorit përkatës së Bankës së Shqipërisë duhet të asgjësoheshin.
Në lidhje me faktin është pyetur si deklarues e në vijim si
person nën hetim shtetasi Ardian Bitraj, i cili ka pranuar faktin penal,
pra se ka vjedhur shuma parash në vendin ku ishte përgjegjës për
ruajtjen dhe administrimin e tyre, si dhe ka shpjeguar në detaje
mekanizmin e vjedhjes.
Nga procesverbali i kqyerjes së vendeve, i
datës 22.07.2013, konkludohet se rrethanat dhe mekanizmi i shpjeguar
nga personi nën hetim, Ardian Bitraj, përputhet plotësisht nga
konstatimet e bëra në këqyrje. Po kështu me procesverbalin e
sekuestrimit të datës 22.07.2014 janë sekuestruar gjurmë që kanë lidhje
me veprën penale.
Nga deklarimet e shtetases nën hetim, Mimoza
Burzia pranohet fakti se ka pasur dijeni se shtetasi Ardian Bitraj
vidhte shuma parash në arkën për veprim, por nuk e kallëzuar këtë fakt.
Rezulton
e provuar se Departamenti i Emisionit është zhvendosur në repartin "X"
Linzë në janar 2013, në përbërje të të cilit funksionojnë krahas të
tjerave edhe të ngarkuarit me vlera në arkën për veprim dhe në arkën
stok. Në këtë departament është shtuar dhe dhoma tranzit që organizmin e
vjetër quhej "Rondo". Por pavarësisht se kanë vazhduar funksionimin si
arka për veprim, arka stok dhe "˜dhoma tranzit', organizimi i punës në
këto tri arka nuk është shoqëruar me miratimin e akteve nënligjore, si
udhëzime apo rregullore, por ka vazhduar me rregulloret e vjetra e
konkretisht me vendimin e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë
nr.04 datë 16.01.2012 "Për organizimin dhe funksionimin e Departamentit
të Emisionit" si dhe udhëzimit nr.1798 datë 06.11.2001 "Mbi përdorimin e
çelësave të arkave me vlera monetare".
Siç konstatohet, këto
akte nënligjore nuk e kanë rregulluar funksionimin e Departamentit të
Emisionit, e si rezultat i mungesës së këtyre akteve është mundësuar dhe
kryerja e veprimeve kriminale, vjedhjes së shumave të mëdha në Bankën e
Shqipërisë. Urdhëri nr.1798 datë 06.11.2001 i Bankës së Shqipërisë,
mbi bazën e të cilit ka funksionuar Departamenti i Emisionit deri në
datë 28.03.2014 (dalja e udhëzimit nr. 741), flet për çelësa "dublikatë"
dhe jo për çelësa "aktivë". Siç shihet, ky udhëzim nuk rregullon asnjë
procedurë mbi përdorimin dhe administrimin e çelësave aktivë dhe kodeve
të kombinatorëve numerikë". Për sa më sipër provohet se Departamenti
i Emisionit nga data 01.01.2013 deri në datë 28.03.2014 ka funksionuar
pa udhëzime e rregullore konkrete.
Bazuar në vendimin e
Këshillit Mbikëqyrës nr.13 datë 22.02.2006 "Për miratimin e rregullores
për nxjerrjen e akteve juridike" në nenin 5 të tij parashikon
përgjegjësinë e Departamentit të Emisionit për hartimin e
projekt-rregulloreve dhe projekt-udhëzimeve për funksionimin e këtij
departamenti.
Mbi bazën e këtij vendimi, personi nën hetim,
Dorian Çollaku duhej të përgatiste aktet nënligjore të funksionimit të
arkave me vlera monetare pranë këtij departamenti.
Në datë
28.03.2014 nga ana e Këshillit Mbikëqyrës, mbi propozimin e
Departamentit të Emisionit është miratuar rregullorja nr.741 "Mbi
administrimin dhe përdorimin e çelësave dhe kodeve numerike të dyerve në
Bankën e Shqipërisë. Ky udhëzim, konkretisht neni 5, pika 2 ndër të
tjera përcakton se: "Përdorimi dhe administrimi i çelësave aktivë dhe
kodeve të kombinatorëve numerikë, çelësat e dhomës së tranzitimit,
përdoren dhe administrohen nga të ngarkuarit me vlera në Departamentin e
Emisionit". Më tej në pikën 3, gërma "c" përcaktohet se: "Çelësat e
dhomës së tranzitimit, të mbyllur në pliko të veçantë, depozitohen dhe
ruhen në kasafortë në arkën për veprim. Treshja e arkës për veprim
vendos plikon në kasafortë brenda mjediseve të dhomës kasafortë të arkës
për veprim dhe çelësat e kësaj kasaforte vendosen në modulin e
menaxhimit të çelësave". Nga këqyrja e arkës për veprim datë
04.08.2014, rezulton se në këtë ambient nuk gjendet kasafortë apo objekt
për vendosjen e plikos së çelësave të arkës trazit dhe stok. Mosmarrja
e masave për krijimin e kushteve në zbatim të udhëzimit nr. 741 datë
28.03.2014 ngarkon me përgjegjësi direkte drejtorin e Departamentit të
Emisionit, personin nën hetim, Dorian Çollaku. Referuar pamjeve
filmike, procesverbalit të kqyerjes së tyre si dhe deklarimeve të
shtetasit Ardian Bitraj në cilësinë e përgjegjësit të arkës stok,
deklarimeve të shtetasit Petrit Ramohitaj në cilësinë e përgjegjësit të
arkës për veprim, ka rezultuar se kjo procedurë nuk është zbatuar dhe
kjo ka sjellë për pasojë që shtetasi Ardian Bitraj të përfitojë nga kjo
situatë dhe të përvetësojë shuma të mëdha parash. Shtetasi Dorian
Çollaku në cilësinë e Drejtorit të Departamentit të Emisionit në Bankën e
Shqipërisë, i ushtron funksionet dhe detyrat e tij në mbështetje të
rregullores nr. 26 datë 27.03.2014 "Mbi organizmin dhe funksionimin e
Departamentit të Emisionit" të miratuar nga Këshilli Mbikëqyrës. Siç
është provuar nga hetimi, si në arkën stok, ashtu dhe në arkën për
veprim janë kryer vjedhje në vazhdimësi të shumave të mëdha monetare,
vjedhje këto që kanë ardhur si rezultat i mosfunksionimit të organizimit
të brendshëm të Departamentit të Emisionit që drejtohej nga shtetasi
nën, hetim Dorian Çollaku. Nga hetimet e zhvilluara rezulton e provuar
se si në arkën për veprim, ashtu dhe në mjediset e tjera të përcaktuara
në udhëzimin nr.741 dt.28.03.2014, mungonte e gjithë infrastruktura për
mirëfunksionimin e këtyre arkave, gjë e cila ka sjellë edhe pasojën e
ardhur, vjedhjen nga të dyja arkat në fjalë shuma të mëdha monetare që
kapin vlerën e mbi 700 milionë lekëve. Shtetasi në hetim, Dorian
Çollaku ka pasur për detyrë në bazë të rregullores "Mbi organizmin dhe
funksionimin e Departamentit të Emisionit" miratuar me vendimi n nr.26
dt.27.03.2014 nga Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë, të
miratonte manualet e vendit të punës për çdo punonjës, si detyrimin që
buron nga neni 25/3 e rregullores së sipërcituar. Kjo, pasi me
vendimin nr.26 dt.27.03.2014 është shfuqizuar vendimi i Këshillit
Mbikëqyrës, nr.4 dt.16.01.2012 "Për miratimin e rregullores "Mbi
organizimin dhe funksionimin e Departamentit të Emisionit", i ndryshuar
dhe për rrjedhojë edhe manualet e vendit të punës së punonjësve të këtij
departamenti, manuale të cilat nuk janë hartuar dhe miratuar nga
personi nën hetim, Dorian Çollaku. Për sa më sipër ka të dhëna të
mjaftueshme të bazuara në prova se shtetasi Dorian Çollaku është autori i
veprës penale të "Shpërdorimi i detyrës", parashikuar nga neni 248
K.Penal. Në këto kushte duke qenë së ka rrezik ikje, pasi shtetasi i
dyshuar akuzohet për një krim që ka një marzh dënimi gjer në shtatë
vite burgim, është e domosdoshme ndalimi i këtij shtetasi. Për këto arsye: KËRKOJ: 1. Caktimin e masës "arrest me burg". MASA E SIGURISE Gjykata
e Tiranës, pasi ka dëgjuar versionin e të gjitha palëve, ka vendosur që
të lërë në burg Çollakun, i akuzuar për shpërdorim detyre. |