ALI LAJÇI - KOSOVA I KA INJORUAR HARTAT E VITIT 1974
E Djelë, 05.10.2015, 07:52am (GMT+1)
Injorimi i kërkesave të banorëve në zonën kufitare me Malin e Zi do të sjellë pasoja të mëdha. Ky është paralajmërimi që ka dhënë anëtari vëzhgues i Komisionit për caktimin e demarkacionit të kufirit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi, Ali Lajçi. Ai ka akuzuar komisionin se është vënë në shërbim të interesave politike, "të cilat do të dalin në shesh më vonë".
Sipas Lajçit, malazezët po vazhdojnë të vizatojnë vija kufitare të papranueshme për popullatën e atjeshme. Ai ka shtuar se në rajonin e Rugovës janë 7 mijë hektarë, kurse në pjesën kah Kulla janë 5.5 kilometra, për të cilët ka shprehur pretendime Mali i Zi.
"Mund të nxjerrin telashe dhe të shkaktojnë edhe konflikte ndërmjet njerëzve, prandaj Qeveria nuk duhet lejuar një gjë të tillë", ka theksuar Lajçi në intervistën dhënë "Kohës Ditore". Ai ka ftuar Kuvendin e Kosovës që në asnjë mënyrë të mos e ratifikojë marrëveshjen për demarkacionin me Malin e Zi.
Ish- kryetari i Komunës së Pejës pretendon se kanë në dispozicion fakte me harta, kadastrat e të gjitha vijave kufitare historike, me të cilat do ta fitonin rastin, nëse ai përfundon pranë Gjykatës së Arbitrazhit.
www.voal-online.ch
|