Vanë ditë që poeti Vehbi Skënderi s'është më. Po flë në dheun e huaj në
Zvicër të cilën e këndoi me fisnikëri si «Atdhe të dytë». Dhe Zvicra i hapi
vënd për në gjumin e përjetshëm. I persekutuar në diktaturë dhe i harruar në
"˜demokraci', ai nuk bëri kurrë gjyq për asgjë. Siç e njihja gjatë nga afër, ai
qe harmoni e karakterit të fortë dhe e shpirtit të butë. Së fundi, çdo gjë e
përcolli me qetësinë dhe gjykimin e Sokratit të lashtë: «Tani unë zgjodha udhën
e vdekjes, ju - të jetës. Zoti do na gjykojë se cila është më e drejtë»!
Ai kish habi e pikëllim më tepër nga heshtja e shoqërisë në "˜demokraci'
se nga mundimet që i dha shteti komunist. Nuk e thoshte, por kjo i lexohej në
heshtjet e papritura të tij gjatë bisedës. I "˜konsumonte' ato diku larg, dhe
kthehej prapë në bisedën e afërt, shpesh duke të kërkuar falje me një nënqeshje
të përmbajtur si nga një "˜faj' që s'e kish në dorë. Një ditë mes bisede më tha:
«Heshtja është më dëmprurëse se sharja ashtu si lagështia të vret më shumë se
shiu. Te heshtja kundërshtarët e ziliqarët fshihen të padukshëm brënda saj.
Janë mjeshtra».
Veja nga Gjenevë në Bazel ta takoja. Shtëpia e pastër dhe e thjeshtë, me
një qetësi thua i shërbente një shpirti në ikje, të jepte ndjesinë e një
tempulli, gjithësesi njerëzor. Me vajzën, Elidën dhe dhëndërin, Skënder
Buçpapaj, poetë e publicistë të talentuar përbënin një shtëpi arti në mërgim.
Sa takoheshim, Vehbiun e mbulonte në tërë qënien një gëzim i çiltër fëmie. U
moshua shumë e u thinj, dhe mbeti megjithatë poet i hollë pasi kish lindur poet
që fëmijë. Vargjet bie fjala për hënën apo nipin, çuditërisht të freskëta e të
pabesueshme për atë moshë, ruajnë lirizmin e lëndinave me lule e dele. Ledhatonte nipin e mosha i
kalonte te fëminia dhe atij.
Kalonim
në biseda të tjera. Foli si me vete: «Sidoqoftë, këtu mësuam saktë se ç'viganë
kanë qënë rilindasit dhe atdhetarët e tjerë që në mërgim të detyruar
përballonin tërë këtë mall e dhimbje për vëndlindjen»! Nisnim gjykimet e ditës:
Me Shqipërinë historia bëri shartimin më të pamëshirshëm në ndërimin e
regjimeve: mbi format më të egra të komunizmit mbinë format më të egra të
kapitalizmit. E bënë që diktatura të hakmerrej me popullin: "˜donit liri të
shkëputeshit mga unë !? Merreni, përpëlituni me të aq sa të keni mall për
mua'!..Pastaj Vehbiu e qetësonte bisedën: «Gjersa poetët shkruajnë për
popullin, dhimbja e tyre s'është asgjë para dhimbjes së tij...»!
Ngrinte
qetësisht gotën të më nxiste të pija pak. Dora i dridhej lehtë e më erdhi keq.
«Pimë nga brenga, ku është gota...» më citoi nga Pushkini. Sa e vuri në buzë për
vete dhe shtoi: «Si është ai amaneti i Dostojevskit - As në varreza nuk dua të jem pranë shkrimtarëve që më nxinë jetën!..-
Shkoi diku larg në kujtime dhe u kthye menjëherë. Qarkullonim fjalën nga të
gjitha anët, kryesisht në vëndlindje. Po i bënte një rishikim gjithë
krijimtarisë së tij poetike. «Është si me lëmenjtë e grurit në fshat - shtonte me
humor - ka grurë, ka dhe byk që duhet mënjanuar. Të tillë na e paska bërë
shpirtin Perëndia, me tërë trazirat e kohës ku njeriu lind e rritet. Sidoqoftë
koha mbetet gjykatëse e saktë për çdo gjë». E pyesja si kish mbetur kaq lirik
në poezi, e ma kthente menjëherë se veç të tjerave, është dhe mjedisi i qetë e
human që të jep një shtet fisnik si Zvicra. Kujtonte veçanërisht me pikëllim e
keqardhje sesi kolegu shkrimtar i afërt me Komitetin Qendror, pas mbarimit të
një dënimi i bllokoi një kërkesë dashamirësish për "˜krijimtari të lirë': «Si
mund të bëhet shkrimtari bishë për kolegun»!..
Tani
jetonte mërgimin jo për jetë të bukur po për çlodhje të vërtetë lirie të cilën
nuk ia dha vëndi i tij. («Fitimtarët-fitimtarë./ Të mundurit-të mundur...» tha
saktë që në fillim dashamirësi i tij, poeti Bardhyl Londo). Më tingëlloi tepër
tronditëse kur pëshpëriti me vete vargjet e Kutelit të persekutuar të cilin e
dhuronte aq shumë, i persekutuar gjer në vdekje nga Kryesia e Lidhjes: «Më i
lumtur jam i fjetur/ se sa i mërguar...Po të vdes në dhè të huaj/ - shortë
mërgimtari/- të ma bëni varrin tim/ ku do bje së pari!/ E një grusht nga toka
jonë/- baltë nga balt' e vetë/- të ma sillni e ta vini/ mbi zemrën e shkretë».
Në ikje na përcillte gjer te oborri, thua po i ikte një pjesë nga shpirti që
nuk do ta takonte më...
Ai u
varros në dheun e huaj. Mediat shqiptare dhe bota e shkrimtarëve në tërësi
heshtën, edhe pse kolegu dha një pasuri të shquar arti që, në mos për jetën,
t'i flitej për vdekjen.
Sidoqoftë
ai pushon asnjanës për gjithëçka. U vë veshin vetëm mërmërimës së fijeve të
barit që do lindin mbi trupin e tij, ushqyer nga "˜dheu i huaj'. Ai u buzëqesh
rrënjëve të imëta të atij bari pasi ngjyrën dhe fërfëritjen do ta ketë si bari
i vëndlindjes.©
AGIM SHEHU, shkrimtar, Gjenevë