Komisioni zyrtar i lustracionit në Maqedoni nisi të publikojë në 3 gusht në
faqen e tij zyrtare emrat e bashkëpunëtorëve të shërbimit të dikurshëm sekret
jugosllav, UDB, në mesin e të cilëve figurojnë disa emra, që u bënë pjesë e
garniturës së lartë politike shqiptare të periudhës së shtetit të pavarur të
Maqedonisë. Përtej kuadrit maqedonas apo shqiptaro-maqedonas, ngjarja shërben
si alarm apo kambanë për të tërhequr vëmendjen mbarëkombëtare për një të
vërtetë të madhe, të pandriçuar dhe të pazbuluar, të pozicionit dhe të
marrëdhënieve ende jo plotësisht të sqaruara të të dy shteteve shqiptare dhe të
kombit shqiptar me Serbinë.
Në 100-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë kjo mbetet enigma e madhe e
padeshifruar për opinionin mbarëkombëtar dhe tek e cila mund të qëndrojë
ndoshta çelësi i shpjegimit se përse Shqipëria, Kosova dhe kombi shqiptar,
gjatë rrugëtimit të tyre historik kanë kaq litarë nëpër këmbë dhe ende nuk kanë
qenë në gjendje të sigurojnë standardet normale të stabilitetit dhe zhvillim
normal të një shoqërie demokratike dhe të lulëzuar ekonomikisht.
Kjo nxit dhe duhet të hapë debatin e madh për nevojën e njohjes me emrat dhe
dosjet e atyre politikanëve, ministrave, deputetëve, biznesmenëve apo
intelektualëve opinionbërës në të gjitha trevat shqiptare në Ballkan, të cilët
kanë qenë dhe janë të lidhur me shërbimet sekrete të Serbisë. Në Tiranë, në
Prishtinë dhe në Shkup, vazhdimisht pas rënies së komunizmit është prekur
çështja e domosdoshmërisë së zbulimit të dosjeve të protagonistëve të politikës,
të partive politike, etj. që kanë firmat në dosjet e arkivit sekret të zbulimit
serb. Për ta bërë sa më konfuz opinionin dhe faktorin mbarëshqiptar, forcat
politike shqiptare në të tre kryeqytetet që përmendëm, kanë akuzuar rregullisht
njëra-tjetrën se strehojnë spiunë të Serbisë, një konstruksion propagandistik i
cili, duke mos qenë i shoqëruar me përçapje juridike, më shumë ka shërbyer për
të fshehur më mirë identitetin e atyre agjentëve. Nuk mund të mos ngjallë një
ndjenjë përçmimi sjellja e atyre politikanëve apo zyrtarëve të lartë, të cilët,
ndërsa inskenojnë në podiumet parlamentare apo televizive "damkosjen në
shtyllën e turpit" për x apo y funksionar të lartë të shtetit si agjent të
Serbisë, nuk kanë ndërmarrë gjatë 20 vjetëve postkomuniste as edhe një denoncim
konkret në prokurori për njerëzit, që i akuzojnë se kanë tradhtuar interesat e
Shqipërisë tek Serbia.
Rrjetet agjenturore shqiptare në shërbim të Serbisë në Tiranë, në Prishtinë dhe
në Shkup, kanë qenë dhe janë pjesë e realitetit politik në këto kryeqytete. Në
një konferencë ndërkombëtare të mbajtur në Bruksel në muajin maj të këtij viti,
eksperti serb Zoran Petroviç, i shoqatës joqeveritare serbe "Koop i kapinic",
shpalli disa të dhëna të zbuluara pas hulumtimeve në disa arkiva serbe se regjimi
i Sllobodan Millosheviçit ka pasur një rrjet të gjerë agjenturor në Ballkan
prej 2200 spiunësh, nga të cilët 700 vepronin në Kosovë, 200 në Mal të Zi dhe
150 në Maqedoni. Zoran Petroviç bëri të ditur edhe të dhënën tjetër, sipas së
cilës, 200 agjentë të Serbisë vepronin në Shqipëri, Bullgari, Rumani, Qipro. Në
mënyrë më të specifikuar për këtë veprimtari drejt Shqipërisë u shpreh në atë
kohë ish- shefi i shërbimit informativ kombëtar, SHIK, Fatos Klosi, i cili
deklaroi në mediat shqiptare në 28 maj 2012, se "regjimi i diktatorit të
Serbisë, Sllobodan Millosheviç, ka pasur agjentë edhe në Shqipëri. Madje mund
të them se ishin me dhjetëra. Sigurisht që agjentët e Sllobodan Millosheviçit
në Shqipëri kanë qenë të niveleve të ndryshme, pa përjashtuar as zyrtarë të
rangut të lartë. SHIK-u i ka ndjekur një pjesë të këtyre personave".
Ish-drejtori i shërbimit informativ kombëtar shqiptar e ka vlerësuar të udhës
t'i shmanget pyetjes logjike të qytetarëve se çfarë ndodhi me këta dhjetëra
agjentë të Serbisë dhe a përfundoi ndonjëri prej tyre në bankën e drejtësisë të
Shqipërisë. Sidoqoftë, këtu kemi një pohim kompetent për atë të vërtetë të
dhimbshme se agjenturat serbe janë pjesë e realitetit politik shqiptar.
Qytetarët shqiptarë, kudo që jetojnë, në Shqipëri, në Kosovë, në Maqedoni, në
Mal të Zi, në Luginën e Preshevës, dhe kudo në diasporë, kanë të drejtën
legjitime dhe shqetësimin kombëtar të shtrojnë pyetjen se në çfarë situate jemi
në këtë temë sot në vitin e 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë. Sepse askush
nuk mund të besojë se spiunët e shërbimit sekret serb të kohës së
Millosheviçit, pas ikjes së Millosheviçit nga pushteti, zbritën nga autobusi
serb dhe u larguan nga skena e veprimit të tyre në Tiranë, në Prishtinë apo në
Shkup. Sepse mund të ndodhë fare mirë që në tribunat ceremoniale të festimit të
100-vjetorit në Tiranë, në Prishtinë dhe në Shkup, të jenë pikërisht disa prej
agjentëve të Serbisë, të cilëve, pozicioni i arritur politik apo shtetëror, iu
krijon luksin dhe ironinë e të qenit në tribunat festive. Logjika më e thjeshtë
të shtyn të mendosh se ata, që kanë pasur dhe kanë detyrën të sabotojnë
pavarësinë reale të Shqipërisë dhe të Kosovës, nuk mund të pajtohen me
pavarësinë reale të të dy shteteve shqiptare dhe të kombit shqiptar. Ndaj në 100-vjetorin
e Pavarësisë së Shqipërisë mbetet i pakryer misioni i shenjtë mbarëkombëtar i
mbrojtjes së kësaj pavarësie nga sabotimet, deformimet dhe rrugët qorre, ku
përpiqen ta fusin agjenturat serbe.
Kjo shfaqet sot, dhe normalisht duhet të jetë, një detyrë prioritare e shtetit
dhe e organeve shtetërore në Shqipëri dhe në Kosovë në 100-vjetorin e
Pavarësisë së shtetit shqiptar. Kjo po bëhet dhe do të bëhet gjithnjë e më
jetike, sa më keq të shkojnë punët në Shqipëri, në Kosovë dhe në faktorin
shqiptar. Është naive të mendohet se me kalimin e kohës dhe të shkëputjes
formale të Shqipërisë dhe të Kosovës nga Serbia, kjo çështje nuk ka më efekte.
Gabimi i parë strategjik, që mund të bëhet, është pretendimi se me anëtarësimin
e Shqipërisë në NATO dhe në BE, rreziku i agjenturës serbe, që noton në
garniturat politike shqiptare në Tiranë, në Prishtinë dhe në Shkup, shkon drejt
vetëneutralizimit.
Serbia i ka mbjellë celulat e saj të fjetura në garniturat më të larta të
pushtetit politik e shtetëror në Shqipëri dhe në Kosovë gjatë gjithë 100
vjetëve të kaluara nga themelimi i shtetit shqiptar dhe sidomos në prag të
përmbysjes së komunizmit dhe të shembjes së federatës jugosllave.
Serbia ka një interes konstant strategjik për të pasur nën kontrollin e vet
faktorin shqiptar në Ballkan, qoftë në Shqipëri, qoftë në Kosovë, qoftë në
Maqedoni, qoftë në Mal të Zi dhe kudo. Ky interes strategjik nuk është pakësuar
me formalizimin e entiteteve shtetërore të Shqipërisë dhe të Kosovës. Nuk është
keq të rikujtohet se dhe në 25-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, në vitin
1937, diplomati i lartë serb dhe antishqiptar i certifikuar, Ivo Andriç,
deklaronte me mburrje se "ne kemi njerëzit tanë në Tiranë". Nuk është keq të
rikujtohet deklarata e mirënjohur e presidentit serb, Sllobodan Millosheviç, në
parlamentin e Serbisë se "ne kemi shpenzuar 17 milionë dollarë për
destabilizimin e Shqipërisë".
Vështirë të ketë ndonjë shqiptar kaq naiv, sa të besojë se këto rrjete spiunësh
të Serbisë në garniturat politike dhe shtetërore shqiptare janë neutralizuar.
Ndryshimi i sistemit politik në Shqipëri, në Kosovë dhe në shtetet e tjera, ku
jetojnë shqiptarët, solli ndryshimin e metodave të Serbisë për të ruajtur
kontrollin e vet. Serbia u kujdes të kishte ndikimin e vet në garniturat e reja
politike, që u krijuan bashkë vendosjen e erës së re të pluralizmit dhe të
demokracisë në shtetet ballkanike shqiptare ose ku banojnë shqiptarët. Fakti, i
konfirmuar plotësisht ose jo, që në radhët e garniturave të larta politike në
Shqipëri, në Kosovë, në Maqedoni, etj, ka pasur dhe ka agjentë shqiptarë të
shërbimit sekret serb, duhet të bëjë të mendohen mirë si qeveritë, ashtu dhe
organet shtetërore të sigurisë kombëtare.
Ato dosje, të vjetra ose të reja, janë një pengesë kolosale për konstituimin e
pavarësisë së vërtetë dhe të shoqërisë së vërtetë demokratike në Shqipëri dhe
në Kosovë. Sepse ato dosje janë një barrikadë në konsolidimin e demokracisë dhe
në përparimin e popullit dhe të kombit shqiptar. Sepse Serbia ka qenë dhe është
e interesuar strategjikisht për një Shqipëri dhe një Kosovë të dobët, të varfër
dhe të nënshtruar, me qëllim që faktori shqiptar në Ballkan, jo vetëm të mos
rimëkëmbet e të mos forcohet dhe as të mos rivalizojë faktorin serb, por edhe
të jetë sa më i varur nga Serbia.
Natyrisht dosjet e agjentëve shqiptarë të Serbisë në Shqipëri dhe në Kosovë
ndodhen në Beograd dhe ato, vështirë se do t'i bëjë të njohura ndonjë qeveri
"demokratike" serbe, derisa nuk do të pushojë interesi strategjik i Serbisë për
të kontrolluar dhe dominuar shtetet shqiptare dhe kombin shqiptar. Dehja, që
mund të shkaktojnë në kryeqytetet shqiptare overdozat e opiumit euroatllantik
ballkanik, nuk duhet ta zhvendosë vëmendjen nga gjeopolitika dhe gjeostrategjia
antishqiptare e Serbisë.
Është naive të pritet që një Serbi e demokratizuar të gjejë në të ardhmen, pas
50 apo 100 vjetësh, gatishmërinë për të publikuar emrat e shqiptarëve, që i
kanë shërbyer interesave serbe në Tiranë, në Prishtinë apo në Shkup. Kjo mbetet
detyrë ekskluzive e shtetit në Shqipëri dhe në Kosovë. Një detyrë tepër e
vështirë, sepse Serbia është kujdesur që njerëzit e saj në këto kryeqytete të
jenë shumë të pasur, me shumë pushtet, me shumë influencë politike, zyrtare dhe
publike. Dhe këta drejtohen nga Beogradi me telekomandën e dosjeve. Ndaj dosjet
e Serbisë janë një litar në qafën e kombit shqiptar.