28 prilli 1912, dita e deklarimit të themelimit të Federatës Panshqiptare të
Amerikës"Vatra" mbetet një ditë e shenjtë, jo vetëm pse u bekua nga një prift
idealist siç ishte Fan S Noli, që kishte në krah një mendje të artë si e Faik
Konicës, por edhe pse ajo dukej si dhuratë Perëndie në ato kohë të vështira,
kur ekzistenca e Kombit shqiptar ishte në pikëpyetje dhe ende nuk ishte
shpallë shteti i Pavarur shqiptar.
Vatra i priu pavarësisë së Shqipërisë. Më 17 nëntor 1912, njëmbëdhjetë ditë
para se Ismail Qemali të ngrinte flamurin në Vlorë, "Vatra" organizoi një
miting të madh në Boston kundër planeve të Fuqive të Mëdha për një ndarje të
mundshme të Shqipërisë midis fqinjëve të saj. Ajo i kërkoi Presidentit amerikan
Taft, që të mbante një qëndrim të favorshëm për krijimin e shtetit të pavarur
shqiptar. Ndërsa, në telegramin që kryetari i Vatrës, Faik Konica, i dërgoi
Kuvendit të Vlorës, i kërkoi orientim nga Perëndimi. Vatra luftonte për një Shqipëri si Danimarka,
Belgjika, ose Holanda.
Shqiptarët dukeshin si të pafat në agun e lirisë pas 500 vjetëve sundimi nën
Turqi, pasi nuk arritën që ta gëzonin shtetin e mosvarur shqiptar të 28
Nëntorit 1912, pasi lufta Ballkanike dhe Lufta e I Botërore e bënë vendin e
shqiponjave shesh betejash.Princi që dërgoi Europa me kredencialet e Mbretit,
dukej si jetim, pa përkrahje të vetë Europës. Pikërish që aty filluan punët e
mëdha të Vatrës.Faik Konica, Fan S Noli, që së bashku me patriotët e tjerë lanë
Amerikën dhe shkuan të punojnë për Shqipërinë nëpër Europë, ndërsa Vatra këtu
kultivonte me Diellin dashurinë dhe përkushtimin ndaj çështjes Kombëtare. Vatra
në SHBA, po llogariste fundin e luftës botërore dhe asaj në Ballkan dhe
fatin e Shqipërisë së mjerë, që vazhdonte të ishte e kërcënuar, me Pavarësi në
udhëkryq. Duheshin miq në Evropë dhe këtu në SHBA, që të shpëtonte Shqipëria.Në
këto kushte Vatra mori në dorë fatet e shtetit të vdekur dhe i doli për zot
Kombit.Vatranët ishin në një mendje që Federata të financonte delegatët e
saj-diplomatë në Londër, Gjenevë, Romë, Washington, me qëllim, që çështja
shqiptare të kishte avokatët e saj. Ky shërbim diplomatik i
ngritur nga Vatra e kishte kosto të lartë. Gjithëçka e financonte vetë
Vatra. Ata, vatranët që jetonin në kushte të vështira, 8-10, 12 vetë në një
konak, hoqën mënjanë kursimet dhe i caktuan rrogë mujore kryedelegatit të
Vatrës në Londër, Mehmet Bej Konica, që mbetet një figurë e shquar diplomatike
dhe bëri aq shumë për të siguruar miq të çështjes tonë kombëtare në Londër. Nga
1300 franga në muaj, që iu caktuan më 1916, shifra shkoi në 1600 franga. Edhe
diplomatët e tjerë nëpër Europë, dr. Mihal Turtulli, Mithat Frashëri, e të
tjerë, ishin delegatë të Vatrës dhe punuan fort për çështjen shqiptare. Një
kartë e fortë diplomatike ishte edhe miku i shtrenjtë i shqiptarëve, delegati
tjetër i Vatrës, amerikani Erikson, që mbeti besnik i çështjes shqiptare deri
ne vdekje. Të gjithë së bashku ata i dhanë zë çështjes shqiptare dhe e shpëtuan
atë copëz Shqipërie të mbetur pas copëtimeve.
Mbetet një faqe nderi kontributi i Vatrës për shpëtimin e Shqipërisë në
Konferencën e Paqes.Pikërisht para se të fillonte punimet ajo konferencë
shqiptarët e Amerikës të grumbulluar rreth Vatrës, treguan se Shqipëria ishte
mbi gjithçka për ta. Të ushqyer nga poezia e Nolit" Jepni për nënën", vatranët
iu përgjigjën zemërhapur thirrjes për shpëtimin e Shqipërisë. Noli,
prijësi i tyre shpirtëror, i kishte prekur atje ku nuk mund të duronin, në
poshtërimin e Nënës, e cila diku, kishte qenë zonjë e rëndë, siç pat kënduar
Vaso Pashë Shkodrani, por që tani e pafuqishme, e lodhur, e gjakosur nga
fqinjët, kërkonte ndihmën e bijëve, që e kishin harruar detyrën ndaj Nënës. Dhe
vargjet e Nolit shkonin drejt e në zemër:Qan e lutet Nën' e mjerë,/Kërkon
vatrën edhe nderë,/Do lirinë dhe atdhenë,/ Si ç'e pat me Skënderbenë,/ Bijt' e
besës thërret pranë./ Kur i thirri dhe s'i vanë?/ Mbahu, Nëno, mos kij frikë,/
Se ke djemtë n'Amerikë.
Por që të shpëtohej Nëna duhej që shqiptarët e Amerikës të boshatisnin xhepat
dhe të jepnin gjithçka për shpëtim. Noli, di ku t'i prekë bijtë e shqipes: ai e
bën fakt të kryer se ata nuk do të kursejnë asgjë për shpëtimin e Nënës:Sa
kërkon e sa të duhen?/ Burrat nga detyra s'ndruhen!/ Trim i mirë do të japë,/
S'kursen jetën as paratë;/ Hithni, hithni tok dollarë,/ Të mos mbetemi të
share/ Mbahu, Nëno, mos kij frikë./ Se ke djemtë n'Amerikë...
Dhe djemtë nuk e turpëruan Nënën. Nëse u mendua në fillim të paktën të
grumbulloheshin rreth 40 mijë dollarë, vatranët dhuruan më shumë se 150 mijë
dollarë, shumë që u përdor për mbrojtjen e çështjes shqiptare. Gazeta e
Vatrës"Dielli" e mbajti të ndezur garën e madhe të dhurimeve duke nxjerrë në
faqe të parë ata që dhuronin më shumë. Çdo dollar i dhuruar konsiderohej "plumb
për armiqtë e çështjes shqiptare".
Krahas punës diplomatike në Evropë, Vatra punoi fort edhe në Washington, me
qëllim që të kishte me vete edhe votën amerikane. Ishte fat, që Fan S Noli,
takoi me 4 korrik 1918, presidentin Wilson, i cili i dha fjalën
bashkëthemeluesit dhe prijësit të Vatrës, se një votë që kishte do ta përdorte
në favor të shqiptarëve.
Në Konferencën e Paqës, Vatra pagoi jo vetëm harxhet e delegatëve të vet, por
edhe të delegatëve të tjerë, përfshirë dhe atyre të kolonisë të Rumanisë.Me
shpenzimet e Vatrës u mbajtën delegatët, u dërguan misione, u paguan agjensi që
punuan për çështjen shqiptare, u kablluan mijëra protesta, me një fjalë u
organizua mbrojtja e Shqipërisë dhe u organizua aq e mirë sa Kryeministri i
Greqisë Z. Venizelos tha në Konferencën e Paqes në Paris, se të vetmin pengim
serioz që gjeti në Epir Greqia, ish pengimi i vënë nga Vatra...".
Misioni i Vatrës nuk mbaroi me "shpëtimin e Shqipërisë" në Konferencën e Paqës,
jo, Vatra dërgoi djemtë e saj vullnetarë në Shqipëri, Trupat Vullnetare që
mbërritën në Durrës me 3 prill 1920, dërgoi bandën muzikore Kombëtare "Vatra"
në mëmëdhe, dërgoi delegatë të saj në Kongresin Kombëtar të Lushnjës, dhe
shkëlqeu sërish me bujarinë e saj, kur Qeveria e dalë nga Kongresi i Lushnjës,
i kërkoi ndihmë për të mbushur arkën bosh të shtetit dhe për të shpëtuar nga
falimentimi financiar. Qeveria dërgoi në SHBA Mit'hat Frashërin që shëtiti
nëpër koloni, dhe ai pa me sytë e tij, dëgjoi me veshët e tij, shqiptarët e
Amerikës, që ishin gati të jepnin gjithçka për shpëtimin dhe forcimin e
Shqipërisë."Huaja Kombëtare", e organizuar me shqiptarët e Amerikës, e shpëtoi
shtetin shqiptar. Plot 197 mijë dollarë, 707.89 u mblodhën nga ajo hua
Kombëtare.
Ndër punët e Vatrës duhet llogaritur edhe kontributi kulturor e arsimor që dha
ajo. Shumë prej vatranëve shkuan në Shqipëri dhe dhanë kontribut në
administratën shtetërore,një pjesë edhe pse ishin antimonarkistë nuk e kursyen
veten për t'i shërbyer shtetit. Vatra dërgoi në Shqipëri për nevojat e
shkollave shqipe më shumë se 200 mijë libra, që i shtypi me harxhet e veta në
shtypshkronjën e Diellit.
Fatkeqësisht, vatranët që kishin shpëtuar Shqipërinë, u trajtuan si armiq nga
sistemi komunist dhe një pjesë e tyre u shkuan në plumb, si ish editori i
Diellit për tetë vjet, Bahri Omari, Aqif Përmeti, që përgatiti, stërviti 200
vullnetarët që shkuan në Shqipëri në vitet '20 të shekullit të shkuar, burgosi
e torturoi pa mëshirë vatranët mëmëdhetarë: Kristo Kirka ,(Themelues i Vatrës)
Kolë Rodhja, dhe Koço Kotta, u ndëshkuan prej diktaturës vetëm pse nuk u bënë
bashkëpunëtorë të saj. Editori i Bahri Omari u pushkatua pa iu provuar asnjë
lloj fajësie, Aqile Tasi, që për tetë vjet kishte qenë zyrtar e kryetar i
Vatrës si dhe editor i Diellit, dhe pat lënë Amerikën për të pranuar detyrën e
drejtorit të Bibliotekës Kombëtare në Tiranë e për të kontribuar në shtypin
shqiptar, u dërgua në burgun e Burrelit duke u shpërblyer në mënyrën më
çnjerëzore për atdhetarizmin e tij. Kristo Kirka, kryetar i "Besa
Besën",krahu i djathtë i Nolit në krijimin e Kishës Autoqefale Ortodokse
Shqiptare, delegat i krijimit të Vatrës, kryetar i degës së Vatrës në Boston,
nënkryetar i Federatës më 1915, manager i Diellit më 1912, deputet në
Parlamentin shqiptar për katër vite, nënprefekt në Himarë dhe Bilisht, kryetar
i bashkisë së Korçës, ironikisht shpërblehet duke e dërguar në qelitë e ferrit
të Burrelit, ku shpirti atdhetar iu shua pa nxjerrë një shenjë pendimi për
ç'kishte bërë për kombin. Tek do ta vajtonte atdhetarin e orëve të para,
bashkëvuajtësi i tij, poeti Arshi Pipa, do të klithte dhimbshëm: Vdiq
flamurtari i moçëm!
Çfaj kishte bërë Kolë Tromara, kryetar i "Vatrës" më 1917, që i kishte
dhënë Shqipërisë gjithëçka kishte të shtrenjtë? Po Andon Frashëri ,
editor i Diellit, Aqif Përmeti, menaxher i Diellit, Përse u ndëshkua Ali Kuçi,
ai vatrani që u printe dhurusve për çështjen shqiptare duke dhuruar më shumë se
të gjithë për shpëtimin e Shqipërisë nën thirrjen e imzot Nolit: "Jepni për
Nënën"? Edhe shpirti i tij u shua në qelitë e errëta të dhunës. Vatranët që
kishin ndezur ëndërrën për mëvetësinë e Shqipërisë dhe kishin iluminuar
shpirtrat e shqiptarëve për të ringjallur kombin e motit të madh të
Skënderbeut, u martirizuan për të mos e tradhëtuar idealin kombëtar. Në
memorien e historisë ata do të mbeten martirë të iedaleve kombëtare. Në 100
vitetet e Vatrës është edhe qendresa e vatranëve të gjysmës së dytë të një
shekulli jetë të saj; këmbëngulja për ta mbajtur të pashuar zjarrin
mëmëdhetar në Vatrën shqiptare, kur , si Beogradi edhe Tirana, përpiqeshin ta
shuanin me cdo kusht. Në 100 vitete e Vatrës është edhe kontributi për lirinë e
Kosovës si dhe për demokratizmin e Shqipërisë.
100 Vitetet e Vatrës, ne 100 vitete e Pavaresise se Shqiperise, e hijeshojne me
shume festen dhe dëshmojnë rrugën e komunitetit shqiptar në Shtetet e Bashkuara
të Amerikës. (Ky artikull u botua me 28 nentor 2012 ne numrin special per 100
vjetorin e Pavaresise se Shqiperise te gazetes ILLYRIA, gazete ne te cilen
autori, punoi 10 vite si editor i sec. Shqip)