Javën që kaloi shkrimtari, poeti dhe vuajtësi i burgjeve të regjimit komunist
shqiptar, Zoti Visar Zhiti zhvilloi aktivitete këtu në Shtetet e Bashkuara,
përfshirë New Yorkun dhe Washingtonin, në kuadër të promovimit të dy librave të
tij të fundit, ''Rrugët e Ferrit'' dhe ''Ferri i Çarë'', një dëshmi okulare e
jetës në dy kampet famkeqe të Shqipërisë, Spaç dhe Qafë Bar. Aty ku torturat,
interrogimet, dëshprimi, uria dhe mizori të tjera çnjerëzore, ishin vetëm disa
prej tmereve që përshkonin jetën e e përditshme të kundërshtarëve të burgosur
politikë të regjimit komunist të Enver Hoxhës. Njëri prej këtyre të burgosurve
ishte edhe shkrimtari i njohur Z. Visar Zhiti.
Sipas të dhënave që më dërgoi Mustafa Xhepa i organizatës shqiptaro-amerikane,
Shtëpia e Lirisë, si koordinuese e vizitës, Zoti Zhiti pati një agjendë të
ngjeshur në Washington ku zhvilloi takime zyrtare, përfshirë edhe takimin në
Departmentin amerikan te Shtetit, me Z. Christopher Carver, i cili mbulon
Shqipërinë. Sipas të dhënave, në takimin me Z. Zhiti zyrtari amerikan shprehi
interesimin e tij për trajtimin e ish të përndjekurve dhe të dënuarve politikë
nga qeveria shqiptare. Gjatë takimit me vizitorin nga Shqipëria, Zoti Carver,
ndër të tjera, nënvijoi gjithashtu edhe interesimin e Shteteve të Bashkuara për
mbarëvajtjen e zgjedhjeve të këtij viti në Shqipëri, duke thënë se Amerika në
përgjithësi ndjekë me shumë vëmendje zhvillimet në atë vend. Zoti Zhiti foli
mbi gjëndjen aktuale në Shqipëri duke shprehur optimizmin e tij për të ardhmen
e vendit. Gjatë qëndrimit në kryeqytetin amerikan, shkrimtari dhe vuajtësi i
tmereve të gulagut komunist shqiptar, bëri edhe një vizitë në Bibliotekën e
Kongresit amerikan ku e priti Z. Grant Harris, Drejtor për Evropën i këtij
institucioni të njohur amerikan.
Si i ishpërndjekur i regjimit komunist, Zoti Zhiti nuk kishte si të mos shkonte
tek memorialin në Washington kushtuar viktimave të komunizmit në botë si dhe në
muzeumin Laogai, ku ekspozohen krimet e regjimit komunist në Kinë. Aty Zoti
Zhiti u takua me Drejtorin e muzeut, Zotin Harry Wu, vizitë këjo e cilësuar si
një ''takim mes dy vëllëzërve'', pasi edhe ai vet është një ish i bugosur
politik. Zoti Zhiti vizitën e tij në Washington e përfundoi -- siç është
traditë me personalitetet shqiptare që vizitojnë kryeqytetin amerikan -- me një
intervistë tek Zëri i Amerikës. Pyetjes së Zërit të Amerikës në lidhje me
trajtimin e ish të burgosurve në Shqipëri , ai u përgjigj duke thënë se
megjithëse "janë bërë shumë'' për të ndihmuar ish të burgosurit, ''shoqëria
shqiptare duhej të ishte më e ndejshme në këtë drejtim'', dhe se Shqipërisë i
mbetet ende shumë për të bërë në drejtim të rehabilitimit moral, shoqëror dhe
financiar'', të tyre, shtoi Zoti Zhiti. Por, ai me megjithëse i vuajtur si edhe
shumë të tjerë, me një butësi dhe pa zemërim as inat rrëfei -- atë që më duket
se ishte një frustrim i tij se si gjatë viteve pas rënjes së komunizmit e madje
edhe sot se -- ''gjithmonë mbi krye kishte, një shef, një të dikurshëm që ka
urdhëruar dikurë, edhe tani po kështu.'' . Zëri i Zotit Xhiti është një zë për
mundësi të barabarta dhe për drejtësi për të gjithë. Është një zë që në thelb i
bën thirrje drejtësisë shqiptare që të angazhohet më seriozisht për sigurimin e
dëmshpërblimeve morale dhe material, me qëllim të tranformimit të marrëdhënjeve
midis ish të përndjekurve që kanë mbijetuar kampet e përqendrimit dhe "shefave
të dikurshëm" të regjimit komunist e të cilët ende japin "urdhëra".
Zoti Zhiti tha për Zërin e Amerikës se shoqëria shqiptare dhe shteti, pasi ai
me të drejtë ai tha se ''shoqëria dhe shteti janë pjellë e njëra tjetrës,'' i
kanë borxh kësaj shtrese, duke venë në dukje se "shoqëria shqiptare ka
përfituar shumë nga puna e të burgosurve, nga puna e pa paguar e të
burgosurve'', theksoi ai, duke nënvijuar se, "të gjitha veprat e
rëndësishme në Shqipërinë dikatoriale i kanë themelet në punën dhe djerësën e
ish të burgosurve politikë. Janë kockat dhe gjaku i tyre në to...boll të
bëheshin akcionerë në vepra që edhe sot janë rentabël, kjo do ishte një mënyrë
dëmshpërblimi'', shtoi ai, duke përmendur si shembull aeroportin e Rinasit,
''që ka filluar nga të burgosurit, e kanë bërë ata'' , tha ai, duke shtuar se
madje aty nuk ka asnjë pllakë për dokumentuar këtë fakt të hidhur. Zëri i Zotit Zhiti është një zë për mundësi të barabarta dhe për drejtësi. Është një zë që i
bën thirrje drejtësisë shqiptare që të angazhohet më seriozisht për sigurimin e
dëmshpërblimeve morale dhe material me qëllim të tranformimit të marrëdhënjeve
midis ish të përndjekurve që kanë mbijetuar kampet e përqëndrimit dhe shtypjes.
Me qetësinë e tij shpirtërore, me fjalët e tija të buta dhe pa zemërim e as
inat, ai të detyron t'i kushtohet vëmëndje deklaratave dhe kujtimeve të tija si
dhe të ish të burgosurve të tjerë si At Zef Pllumi e shumë të tjerë, të cilët
janë përpjekur dhe po përpiqen të hedhin dritë mbi ato ngjarje e epizode,
megjithëse të dhimëshme, të atij kapitulli të errët të historisë shqiptare.
Është e rëndësishme për të mësuar nga ato përvoja të rënda, si individë dhe si
shoqëri, me shpresë që të mos përsëriten më, dhe ndoshta eventualisht për të
bër të mundur heqjen e kësaj barre të rëndë që ende rëndon mbi ndërgjegjen e
kombit shqiptar. Kujtimet e këtyre heronjve të kombit dhe librat e tyre janë
një frymëzim dhe ofrojnë mundësinë e një reflektimi mbi vet natyrën njerëzore,
si dhe mbi luftën midis të mirës dhe të keqës. Këto, jo vetëm që përshkruajnë
tmeret e një sistemi anti-njerëzor, si ai i regjimit komunist në Shqipëri, por
ata në të njëjtën kohë nderojnë viktimat e pafajshme të atij sistemi famkeq, me
të cilët ata kanë ndarë të njëjtin fat në birucat e atij sistemi. Besoj se
synimi i Zotit Zhiti dhe i veprave të autorëve të tjerë ish të burgosur është i
të njëjtës rëndësi me objektivin për të informuar ne të gjallët që kemi pasur
fatin të mos jetojmë nën atë sistem, dhe gjithashtu që nga përshkrimi i këtyre
përvojave, brezat e ardhëshëm të mësojnë nga këto vepra mbi vuajtjet, kurajon
dhe qendresën e pa imagjinueshme të shumë bijve dhe bijave më të mirë të
kombit, shumë prej të cilëve nuk patën fatin për të shënuar kujtimet e tyre,
pasi shumica ose u pushkatuan pa gjyq ose vdiqen nepër kampet e përqendrimit, e
të cilëve as varri nuk u dihet.
Librat e Zotit Zhiti dhe të ish burgosurve të tjerë shqiptarë si vepra e njohur
e At Zef Pllumit, Rrno për me Tregue, janë dëshmi dhe deponime të mbijetuarve
të kampeve më të këqia të përqendrimit që ka njohur bota, ato të Shqipërisë
komuniste. Ata ishin ''dëshmitarë të atij shekulli'', dhe siç ka thënë ish i
burgosur rus, Dmitry Likhachev, ''është detyra jonë njerëzore për të thënë të
vërtetën për atë periudhë''.
Në librin e autorit amerikan Harold B. Segel me titull , The Walls Behind the
Curtain, ose Muret pas Perdes, paraqiten punimet dhe veprat e një numër
shkrimtarësh e poetësh evropianë të burgosur gjatë komunizmit. Ndër ta janë
emërat e shkrimtarëve më të mëdhej të Evropës Lindore, si Vaclav Havel, Adam
Kuchnik, Eva Kanturkova, Paul Goma, Milovan Djilas, Tibor Dery e të tjerë.
Është doemethënës fakti se në këtë listë shkrimtarësh të njohur nga Evropa të
cilët kanë bërë histori me veprat e tyre, autori në këtë libër për lexuesin
amerikan, ka përfshirë edhe shkrimtarin dhe poetin shqiptar Visar Zhitin, si
një shembull i një personi që e ndienë për detyrë njerëzore për të shkruar dhe
për të treguar të vërtetën për atë periudhë -- por dhe si simbol i qëndresës
këmbëngulëse dhe i vullnetit të pashtershëm të shpirtit të shqiptarit për liri
e demokraci, vlera dhe parime këto, për të cilat shumë dhanë jetën në kampet e
përqendrimit anë e mbanë Shqipërisë dhe Evropës Lindore.
Zoti Zhiti, meriton përgëzimet e të gjithëve për kurajon dhe qëndresën e tij
morale si individ dhe si shkrimtar, ndaj një regjimi shpirt-thyes. Njëkohësisht
meriton falenderimet tona për kujtimet e tija nga ajo periudhë e zezë e
historisë shqiptare, pasi kujtime të tilla po zhduken dalngadalë me qëllim e pa
qëllim, nga një shoqëri që në mos e krijoi gulagun shqiptar, atëherë të pakën e
toleroi. Është një zë nga ajo e kaluar e trishtueshme e gulagut shqiptar që
duhet të dëgjohet jo vetëm nga shoqëria shqiptare, por edhe nga bota e
qytëruar, si një obligim ndaj të gjallëve dhe ndaj të vdekurve.
Visar Zhiti gjatë promovimit në New York, sesjon i paralajmëruar si, "Visar
Zhiti Gjyqi i New Yorkut"
Mustafa Xhepa, dhe Visar Xhiti me zyrtarin amerikan Christopher R. Carver
Zoti Zhiti pranë përmendores në Washington kushtuar viktimave të komunizmit
botëror