Në shërbim të veprimeve destruktive të politikës antishqiptare u vu ushtria dhe
policia maqedonase, e cila, nëpërmjet dhunës e terrorit, bastisjeve, rrahjeve,
burgosjeve, vrasjeve, kërkon të shuajë aspiratën e shqiptarëve për të drejtat e
tyre legjitime kombëtare.
Kohëve të fundit përveç aksioneve represive ushtarako-policore, u thirrën nëpër
polici në të ashtuquajturat "Biseda informative" një numër i madh
shqiptarësh me profesione nga më të ndryshmet, nga të gjitha trevat etnike të
shqiptarëve në Maqedoni. Nëpër stacionet policore këta intelektual të shquar u
stresuan, u vunë nën një terror psikik të pashembullt, u keqtrajtuan fizikisht,
u kërcënuan dhe u mbajtën me orë të tëra. Qëllimi kryesor i policisë-politike
maqedonase është t'i mposhtë këta luftëtarë të dijes, t'i frikësoj, dhe në fund
t'i detyroj të heqin dorë nga ideja për të drejtat themelore demokratike ku ka
shqiptar në territoret etnike shqiptare në Maqedoni.
Këto veprime banditeske të autoriteteve dhe policisë-politike maqedonase janë
një shprehje e urrejtjes së thellë që ata ushqejnë ndaj popullsisë shqiptare,
me veprimet e të tyre antihumane, antikulturë, gjë që është e pashembullt për
çdo vend evropian. Këto veprime kryhen në një kohë kur udhëheqës të ndryshëm
politikë, personalitete të larta maqedonase flasin me të madhe për
"barazinë"e popujve, për"respektimin"e të drejtave dhe të
lirive të njeriut. E kjo është hipokrizia më e madhe e mashtrimi më i ulët që
shfaqet aktualisht në Ballkan, sidomos në trojet ku banojnë kryesisht
shqiptarët.
E drejta e shkollimit është e garantuar për çdo popull kudo në botë, është një
e drejtë e patjetërsueshme, e shkruar jo vetëm në dokumentet ndërkombëtare, por
edhe në Kushtetutat e vendeve demokratike. Nuk është parë dhe dëgjuar që në një
vend evropian të ushtrohet dhuna e terrori, të përdoren armët dhe të derdhet
gjaku ndaj një populli që lufton për të drejta kombëtare, arsimin në gjuhën
amtare. Kjo ndodh vetëm në vendet me orientim sllavo-ortodoks; Serbi,Mal i Zi,
Maqedoni, Greqi, në këto vende ballkanike që njihen për egërsinë dhe barbarinë
e tyre.
Ky atentat i qeverisë maqedonase ndaj shqiptarëve është në të njëjtën kohë edhe
një atentat ndaj Shqipërisë dhe Kosovës, të cilat ndër të parat e njohën
Republikën e Maqedonisë pas "shkëputjes" së saj nga ish Jugosllavia
titiste. Kjo politikë që ndiqet nga qarqet sunduese maqedonase është një
politikë dritëshkurtër, pa asnjë të ardhme, një politikë që është në dëm edhe
të vetë interesave të popujve maqedonas. Por duhet ditur se ekzistenca e vetë
Maqedonisë si shtet rrezikohet tej mase, duke nëpërkëmbur një popull
autokton,që ka gjuhën dhe zakonet e veta, kulturën dhe traditat e tij. Është e
pamundur të nënshtrohet dhe të shtypet populli më i vjetër në Maqedoni, siç
është populli shqiptar. Historia shumëshekullore e popullit shqiptar dëshmon
për luftërat që ka bërë ai për të ruajtur identitetin e tij, për të mbrojtur
trojet e tij nga pushtuesit e ndryshëm qysh në kohët më të hershme e gjer m ë
sot.
Shumë shtete evropiane me demokraci të zhvilluara, me potencial ekonomik e
shkencor, me një kulturë të lashtë, kanë bërë dhe bëjnë përpjekje të
vazhdueshme për emancipimin e mëtejshëm të shoqërisë, për sigurimin e barazisë
së njerëzve përpara ligjit, për afirmimin dhe mbrojtjen e të Drejtave dhe të
Lirisë së qytetarëve të saj. Kjo natyrisht nuk është arritur pa mund e
përpjekje, pa luftëra dhe ndeshje sociale, pa kontradikta. E ne sot flasim për
Evropën e qytetëruar dhe të emancipuar, për vende me demokraci të zhvilluar.
Këto janë arritje të shënuara që ne i mbështesim dhe i përshëndesim, janë
fitore që Evropa mundohet me fanatizëm t'i ruaj, zhvilloj e thelloj më tej.
E megjithatë ne e shohim qartë se si kjo Evropë "demokratike" dhe e
civilizuar qëndron indiferente ndaj fateve të popujve të tjerë, ku shkelen këto
të drejta, ku mungon barazia përpara ligjit, ku nëpërkëmben liria dhe pavarësia
e individit, ku ushtrohet dhuna e terrori ndaj popullsisë së pafajshme. Shihet
gjithnjë e më qartë hipokrizia e qarqeve sunduese evropiane ndaj fatit dhe të
ardhmes së popujve të tjerë. Heshtin dhe bëhen të paditur për shpërnguljet nga
Toplica e Sanxhaku, kur derdhet gjaku si lumi në fshatrat e Medvegjes,
Bujanovcit, Preshevës, Karadakut dhe Tetovës, kur vriten, ndiqen dhe torturohen
me qindra e mijëra shqiptarë nga shtëpitë e tyre, kur ushtrohet një etnocid e
gjenocid i pashembullt-sistematikisht ndaj popullit shqiptar. Është hipokrizi
akordimi i kredive dhe furnizimi me armë më moderne në një kohë kur derdhet
gjaku i shqiptarëve si Lum në shtëpitë e tyre.
Ndaj luftës disavjeçare në qendër të Ballkanit, ku janë shfarosur me dhjetëra e
mijëra njerëz, ata kanë mbajtur qëndrim indiferent, për të mos thënë se e kanë
nxitur atë për të nxjerrë përfitimet e veta. Shqiptarët vetëm në qoftë se me
luftën e tyre të drejtë dhe çlirimtare do të dinë jo vetëm të rezistojnë, por
edhe të dalin fitimtarë, atëherë Evropa e "qytetëruar", e gjendur
përpara një fakti të kryer, do të mbante një qëndrim tjetër dhe hipokrizia e
saj do të dilte sheshit, kurse propaganda do të flasë me një gjuhë tjetër, se
"ne evropianët gjithnjë kemi qenë në mbrojtje të pafajshmëve, në mbrojtje
të lirisë dhe të pavarësisë së popujve".
Ç'bëri Evropa kur ndaj shqiptarëve të pambrojtur u qëllua me armë. Me qëndrimin
e tyre mospërfillës ata i nxitën qarqet sunduese serbo-maqedonase që të
vazhdojnë edhe më tej dhunën e egër ushtarako-policore, duke shtypur çdo ëndërr
të shqiptarëve për të drejtën e tyre legjitime kombëtare për arsimin në gjuhën
amtare.
Është koha që shqiptarët t'i kuptojnë miqtë dhe armiqtë e tyre, çiltërsinë dhe
hipokrizinë, fjalët nga veprat.
Qeveritarët maqedonë me të gjitha mënyrat përpiqen t'i ndalojnë shqiptarët të
organizohen, të shkollohen, sepse nuk duan që ata të jenë të barabartë me ta.
Kjo është arsyeja përse ata u hodhën me tërbim për të ndaluar themelimin e Universitetit
të Tetovës, për të ndalur rininë shqiptare të marrë arsimin e lartë.
Gjakderdhja, terrori i egër ushtruar ndaj nismëtarëve për themelimin e
Universitetit të Tetovës dhe ndaj studentëve të parë në këtë tempull të dijes
dhe kulturës, na kujtojnë pa dashur kohën e mesjetës kur shkencëtarët digjeshin
të gjallë, ngaqë shkenca e tyre u hapte sytë njerëzve të pashkolluar, na
kujtojnë Xhordano Brunon që u dogj i gjallë në sheshin e Romës për arsye të
zbulimeve të tij të mëdha shkencore për planetin e Tokës.
Sikurse politika e pushtetmbajtësve serbo-maqedonë t'i përmbahej porosive dhe
mësimeve të Goce Delçevit; "Kombet të bëjnë gara kulturore dhe jo gara të
dhunës dhe të intrigave", sikurse pushtetarët maqedonas t'i ktheheshin
politikës reale dhe miqësore ndaj popullit shqiptar në Maqedoni, dhe në mënyrë
demokratike të pranonte t'u njohë shtetasve shqiptar barazinë sociale,
politike, nacionale, qytetare dhe shtetërore, kjo do të ishte ajo politikë që
do të nxirrte nga pellgu i pafund këtë vend ballkanik. Kjo do të shërbente si
një faktor i rëndësishëm për ekzistencën e Maqedonisë. Me barazi të plotë në
çdo fushë, pa dhunë dhe diskriminim midis të gjitha nacionaliteteve që
bashkëjetojnë sot në Maqedoni.
Shqiptarët që jetojnë në trojet e veta, nuk kërkojnë gjë më tepër, ata duan të
trajtohen si qytetarë të barabartë me maqedonasit. Në qoftë se kjo politikë
diskriminuese do të vazhdojë edhe në të ardhmen, atëherë shqiptarët do të
kërkojnë t'i jepnin fund kësaj gjendjeje jo normale dhe do të kërkonin të
ndaheshin nga Maqedonia. Pa asnjë hezitim e diskutim, kjo do të sillte
shpërbërjen dhe zhdukjen nga harta evropiane të kombit maqedon.
Do të ishte mirë që qeveritarët maqedonas të nxirrnin përfundime pozitive nga
qëndrimi realist i qeverisë shqiptare që ishte i vetmi shtet dhe komb fqinj i
maqedonasve që e njohu ekzistencën e kombit dhe të shtetit maqedon. Në barazinë
e plotë midis popujve qëndron edhe formula e stabilitetit të brendshëm të
Maqedonisë. Në qoftë se nuk kuptohet realisht kjo gjë, atëherë pasojat do të
jenë më të mëdha me përmasa katastrofike.
Gjilan, nëntor 2007