*** Kjo deklaratë politike e Ivica Daçiqit hudh në baltë të gjitha tezat e
derisotme falsifikatore serbe se "Kosova është Serbi" (1844-2013).
Mirëpo, kjo deklaratë "shokuese" për ultranacionalistët serbë, do bëhet e
besueshme, konkrete dhe realiste vetëm atëherë, kur kryeministri Ivica Daçiq,
do të kërkojë nga parlamenti i Serbisë ndryshimin e Kushtetutës ekzistuese
(2006) për heqjen e dispozitës së saj të gabueshme se "Kosova është territor i
pandashëm i Serbisë", si dhe të heqë dorë nga kërkesa e tij që në Republikën e
pavarur dhe sovrane të Kosovës, të formohet e ashtuqujatura Bashkësi e komunave
serbe. Ndryshe, kjo deklaratë, do të mbetet vetëm një bllof politik sa për t'i
zbutur qëndrimet e politikës zyrtare të Prishtinës në të ashtuquajturin"dialogun
historik" të nivelit kryeministror Daçiq Thaçi, që po bëhet në Bruksel me
ndërmjetësimin e kryeshefes së politikës së jashtme të BE-së, Catherine Ashton
( tetor 2012 mars 2013), në mënyrë që minoritetit serb në Kosovë, t'i
sigurohet statusi i një autonomie politike dhe territoriale, duke filluar me
krijimin e një Bashkësie të komunave serbe me kompetenca dhe me autorizime
ekzekutive dhe legjislative. Mirëpo, në takimin e radhës në Bruksel, më 5 mars
2013, një propozim i tillë i palës serbe është refuzuar nga kryeministri i
Kosovës, Hashim Thaçi. Por pritet që e njëjta temë, do të debatohet, edhe në
takimin e atdhshëm Daçiq - Thaçi, që do të mbahet në Bruksel, më 20 mars të
këtij viti. -Ia vlen të theksojmë se, me një propozim të tillë të palës serbe,
nuk po pajtohet diplomacia e Uashingtonit zyrtar, këtë e ka deklaruar edhe
ambasadorja e SHBA-së në Prishtinë, Zonja e nderuar Tracey Ann Jacobson.
Deklarata e Daçiqit ka shokuar gjithë mileun e mashtruar serb, por në anën
tjetër, është kontradiktore me kursin politik të qeverisë Beogradit, që në
Kosovën shqiptare, të formohet Bashkësia e komunave serbe me pushtet ekzekutiv
dhe legjislativ, duke mos e njohur Republikën e Kosovës.
-Ivica Daçiq ka deklaruar se: "Qe dhjetë vjet na kanë gënjyer se Kosova është
serbe, dhe se kjo, madje, është zyrtarizuar, edhe me Kushtetutën e Serbisë.
Pra, pothuajse qe dhjet vjet Kosova ka qenë tabu temë për të cilën zyrtarisht
askush nuk ka pasur guximin ta thotë të vërtetën..."
Dacic/http://www.telegraf.rs/vesti/politika/03//072013/-
dacic-deset-godina-se-laze-da-je-kosovo-srpsko//.
Nëse është kështu, atëherë kryeministri serb Ivica Daçiq në dialogun me
homologun e tij shqiptar , Hashim Thaçi, që po bëhet në Bruksel nën drejtimin e
Catherine Ashton (kryeshefe e politikës së jashtme të BE-së), nuk ka asnjë
arsye politike, ligjore e as kushtetuese, që të kërkojë nga Prishtina, as nga
BE-ja e as nga Amerika, të formohet Bashkësia e komunave serbe me kompetenca
dhe me autorizime ekzekutive dhe legjislative, që në thelb përbëjnë pushtetin shtetëror
serb pandan sistemit të pushtetit shtetëror të Republikës së Kosovës.
Pra, nuk ka dilemë se kjo është një deklaratë sensacionale pozitive, jo vetëm
për opinionin publik politik serb dhe shqiptar, por edhe për tërë Ballkanin dhe
për Evropën demokratike, sepse paralajmëron një diskurs të ri të politikës
zyrtare serbe të Beogradit ndaj Kosovës dhe ndaj shqiptarëve. Kjo është formula
e vetme shpëtimtare konstruktive politike, e cila do t'i ndihmonte serbët, që
të shëroheshin përgjithmonë nga paranoja kolektive se"Kosova është serbe".
Në këtë pikëvështrim, duhet kuptuar dhe interpretuar drejt deklaratën e
kryeministrit Ivica Daçiq, pa asnjë ekzagjerim dhe entuziazëm të tepruar
politik, sepse pa pajtimin e serbëve dhe të shqiptarëve mbi baza të ndërsjella
konstruktive historike dhe politike, Ballkani përherë, do të jetë një zonë e
minuar e shpërthimit të konflikteve ndëretnike dhe ndërshtetërore.
Së fundi, një domosdoshmëri të tillë, të hapjes së një kaptine të re historike
të Serbisë ndaj Kosovës, e ka kuptuar drejt, edhe Ivica Daçiqi, sepse kanë
marrë fund përgjithmonë rrenat, mashtrimet, kërcënimet, shantazhet, simulimet
dhe improvizimet e politikës destruktive ultranacionaliste serbe në disfavor të
Kosovës së pavarur, se gjoja "Kosova është zemra e Serbisë"!!!
Unë do shtoja se me këtë parullë të rreme kuazishkencore,
politiko-porpagandistike dhe kishtare antishqiptare, serbët janë mashtruar,
gënjyer dhe manipuluar veçanërisht nga Kisha Ortodokse Serbe, nga politikat
shtetërore serbo-jugosllave, si dhe nga pseudoshkenca serbomadhe, JO VETËM QE
"10 VJET", siç ka deklaruar kryeministri serb Ivica Daçiq, POR që nga Beteja e
Kosovës (1389) e deri në ditët e sotme (shekulli XXI, viti 2013).
Kjo është fatkeqësia më e madhe për vetë popullin serb, e shkaktuar nga KOS-i,
nga kuazishkenca akademike dhe nga politika zrytare e të gjitha qeverive të
derisotme të Serbisë.
Pavarësisht nga fakti se sa mund të konsiderohet serioze një deklaratë e
këtillë politike e kryeministrit Ivica Daçqi, duke ditur se ai ishte bashkëpunëtor
dhe "ushtar"lojal i Slobodan Milosheviqit, kjo është tejet e rëndësishme dhe
pozitive për këndelljen e mendjes së të gjithë serbëve, të cilët deri më sot
kanë jetuar, duke u ushqyer me ëndrra të kota, me iluzione, me rrena dhe me
lloj-lloj mitesh, falsifikimesh historiagrafike, kulturore, politike dhe
religjioze se, gjoja Kososva "ishte djepi dhe zemra e Serbisë.
Ivica Daçiqi nuk është si Dimitrije Tucoviqi!
Me gjithë deklaratën e theksuar se "Kosova nuk është Serbi", kryeministri
aktual i qeverisë së Serbisë, Ivica Daçiq nuk është dëshmuar sikurse
socialdemokrati Dimitrije Tucoviq, sepse deri më tash, asgjë nuk ka mësuar nga
programi, nga idetë dhe nga politika socialdemokratike dhe paqësore e tij, kur
është fjala për pajtimin dhe për normalizimin e marrëdhënie ndërmjet serbëve
dhe shqiptarëve, përkatësisht ndërmjet Serbisë dhe Shqipërisë.
Këtë e provon edhe hipoteka e kryeministrit aktual serb, Ivica Daçiq, i cili
dikur ishte "dora e djathtë" e politikës partiake (SPS) dhe asaj shtetërore të
Slobodan Milosheviqit për shtypjen dhe për mohimin e lirisë së shqiptarëve, kur
Kosova u ripushtua dhe u rikolonizua nga regjimi gjenocidal dhe kolonial
policor, paramilitar dhe militar i Serbisë gjatë viteve 1989-1999.
Nuk asnjë dyshim se, kur të gjithë serbët ta mësojnë këtë të vërtetë të
pamohueshme se Kosova nuk është Serbi, por Shqipëri ( të cilën, para një
shekulli, realisti dhe socialdemorkati i madh serb, Dimitirije Tucoviq e ka
pohuar dhe e ka shkruar në veprat e tij, se "derisa serbët nuk e kuptojnë se jetojnë
në truallin e huaj (domethënë shqiptar), kurrë nuk do të kenë marrëdhënie të
mira me shqiptarët në Ballkan"), serbët kurrë më nuk do të grinden dhe nuk do
të kenë konflikt me shqiptarët. Ky është çelësi kryesor, që Ballkanin, do ta
shndërronte vërtet në një zonë paqeje, sigurie, bashkëpunimi, harmonie dhe
qëndrushmërie për të gjithë popujt e tij.
Pa pajtimin e serbëve dhe të shqiptarëve mbi baza të qëndrueshme realiste
historike dhe gjeopolitike, ajo çfarë është shqiptare, të mbetet pronësi
shqiptare dhe e Shqipërisë, e ajo çfarë është serbe, të mbetet vetëm serbe dhe
e Serbisë, e askujt tjetër.
Kjo është dialektika e përmabjtjes së çdo dialogu a marrëveshjeje politike a
historike, e arritur ndërmjet Serbisë dhe Kosovës. Ndryshe, shqiptarët dhe
serbët mund të dialogojnë edhe 100 vjet (me ndërmjetësimin e BE-së dhe të
SHBA-së), por rezultate konkrete dhe të dobishme për të dyja palët, nuk do të
ketë në terren përderisa serbët njëherë e përgjithmonë nuk e spastrojnë nga
mendja e tyre e indoktrinuar se "Kosova është Serbi"!
Historikisht, kurrënjeherë Kosova nuk ka qenë kurrfarë prone legale e Serbisë,
por vetëm një koloni e pushtuar dhe e ripushtuar (me gjenocid dhe me
aggression) disa herë gjatë historisë së saj të derisotme. Këtë të vërtetë,
duhet ta kuptojnë të gjithë serbët, pavarësisht se, deri më sot(që nga Beteja e
Kosovës 1389 e deri me gjenocidin e fundit në Kosovë, gjatë viteve 1989-1999)
kanë qenë të gënjyer, të mashtruar, të indoktrinuar dhe të manipuluar nga
historiografia falsifikatore e shtetit dhe e Kishës Ortodokse Serbe.
-Jo vetëm kaq, një historiografi dhe politikë e tillë e falsfikuar serbe mbi
Kosovën shqiptare, se gjoja kjo në vazhdimësinë historike "ishte serbe", më se
një shekull, gënjeu, helmatisi dhe mashtroi jo vetëm serbët dhe popujt e tjerë
të Ballkanit, por edhe tërë politikën dhe shkencën evropiane dhe botërore.
Pikërisht mbi këto gënjeshtra dhe improvizime antishkencore se "Kosova është
Serbi", propaganda dhe politika zyrtare shtetërore, kishtare dhe akademike e
Serbisë, bëri që në vitin 1989, të vinin në shprehje populizmi,
ultranacionalizmi, nacionalshovinizmi, fashizmi dhe hegjemonizmi gjithëserb me
në krye MESIJEN e tyre, Slobodan Milosheviq dhe me Kishën Ortodokse Serbe, me
qëllim që Kosovën, ta rikolonizonin dhe ta ripushtonin me aggression dhe me
gjenocid sikurse Anamoravën (prej Nishi deri në Kurshumli...1878-1945) dhe, më
pas edhe Kosovën e Shqipërisë (1912-1999).
Mirëpo, një politikë e tillë e gabuar agresive dhe shfarosëse ndaj shqiptarëve,
Serbisë kolonialiste dhe gjenocidale, i kushtoi me humbjen e përgjithmonshme të
Kosovës-kolonisë së saj njëqindvjeçare (1912-1999).
Kur të gjithë serbët, sikurse së fundi, edhe Ivica Daçqi, ta kenë kuptuar drejt
të vërtetën se kurrënjëherë Kosova nuk ka qenë pronë legale e Serbisë, por e
Shqipërisë dhe e shqiptarëve, atëherë mund të shpresohet se gjasët për
normalizimin e marrëdhënieve Kosovë Serbi, janë të sigurta dhe të afërta.
Ndryshe, nëse serbomëdhenjtë hegjemonistë dhe imperialistë, edhe më tej
ushqehen me rrenën shekullore se gjoja "Kosova është Serbi", atëherë, mund të
lidhen edhe njëqind e një marrëveshje apo traktate me Beogradin zyrtar, por ato
nuk do të kenë kurrfarë efekti praktik, as kurrfarë dobie pozitive reciproke as
për shqiptarët, as për serbët.