1.
Kësaj pranvere, më 7 prill 2013, shteti i Malit të Zi do të zgjedhin
presidentin e ri. Kandidatura e koalicionit qeverisës do të jetë presidenti
aktual, Filip Vujanoviç. Në rast fitoreje (me gjasa e mundshme) do të ishte
mandati i katërt presidencial (duke përfshirë edhe rreth shtatë muaj të
qëndrimit si president në detyrë, nëntor 2002 deri në maj 2003) i këtij lideri
malazez. Kjo nuk ka ndodh në asnjë shtet ballkanik postkomunist. As në rastin e
diktatorit kriminal Sllobodan Millosheviç. Një i tillë shembull ngjet vetëm në
disa shtete ish-komuniste të Bashkësisë së Shteteve të Pavarura, që Federata
Ruse i hoqi nga kurrizi për t'i futë nën sqetull. Ngjasime të këtij soji ka
edhe në ndonjë vend diktatorial afrikan apo aziatik, si fjala vjen: Hosni Mubarak
i Egjyptit (1981-2011) apo Bashar Al-Assad i Sirisë, një "president
trashëgimtar" që e ka përplasë përgjakshëm vendin e tij arabik në një luftë
civile në këto kohë moderne, etj.
Mali i Zi, si astenji shtet tjetër (antar apo kandidat) në Bashkimin Europian e
në NATO, ka rreth tre dekada që drejtohet nga një treshe e përbashkët. Të tre
janë të etnisë malazeze. Të tre janë të besimit ortodoks sllav. Të tre liderat
kryesorë: Milo Gjukanoviç, Filip Vujanoviç dhe Ranko Krivokapiç i ndrrojnë
vendet ndërveti në krye të Presidencës, të Parlamentit dhe të Qeverisë. Kjo
treshe ka mbijetuar që nga koha e kurorës me Sllobodan Milloshoviçin, pas
divorcit me Unionin Serbi - Mali i Zi dhe pavarësimit sovran si shtet mëvete,
në rreth tre vitet e fundit si vend kandidat për në Bashkimin Europian.
Kjo treshe paraqitet disi si "pro-shqiptare" në dukjen politike-diplomatike (në
kupolë me elitat politike e biznese të veçanta si me aleanca qeverisëse,
portofole zyrtare, etj.) dhe mbetet gjithësesi kundërshqiptare bio-politike (në
bazë tek shqiptarët në vendbanimet e tyre si me asimilim, moszhvillim,
shpërngulje nga trojet etnike, etj.).
Kryeministri i sotëm malazez, 51 vjeçari Milo Gjukanoviç, lider i Partisë
Socialiste Demokrate (DPS) kryesuese e koalicionit qeverisës, është i
gjithëpushtetshëm në shtetin e ri të Malit të Zi. Si askund në Europën
euro-atlantike Gjukanoviçi ka gjashtë mandate si kryeministër i vendit duke
nistue më 15 shkurt 1991 dhe ky më i fundit më 4 dhjetor 2012, po e ka pasë
edhe një mandat si president i Malit të Zi (1998-2002). Edhe nëse
ndërkombëtarët e kanë kushtëzue daljen e Gjukanoviçit nga dera e politikës, si
në rastin e dhanies të Malit të Zi të statusit të vendit kandidat në BE, ai iu
ka hyrë nga dritarja dhe, kësisoj e qëllimisht, iu ka demonstrue të tjerëve
politikisht e diplomatikisht edhe këtë lidhjenyje treshe në krye të shtetit të
vogël ballkanik.
Presidenti i sotëm 58 vjeçar, Filip Vujanoviç, një nga autoritetet e Partisë
Socialiste Demokrate të Gjukanoviçit (DPS), ia ka nisë karrierës së lartë si
kryeministër i Malit të Zi (1998-2002), dy herësh kryetar i Parlamentit (5
shkurt 200219 maj 2003) dhe prej 25 nëntorit 2002 deri 19 maj 2003 edhe
President i Malit të Zi duke u zgjedh në këtë post të lartë në një mandat
plotor nga 22 maji 2003-6 prill 2008 dhe tjetri mandat i vazhdimson deri më 7
prill 2013.
Kryetari i Kuvendit, Ranko Krivokapiç, lider prej vitit 1993 i Partisë
Social-Demokrate (SDP), aktualisht në koalicionin e kryesuem nga Gjukanoviçi, e
ka pasue në detyrë politikanin Filip Vujanoviçin qysh më 19 maj 2003 dhe ende
edhe sot e mban këtë post të lartë në katër legjislatura parlamentare.
Dyshja e hekurt e Malit të Zi Gjukanoviç dhe Vujanoviç i ndrrojnë karriket
njani me tjetrin: kur Gjukanoviçi më 1998-2002 ishte President Vujanoviçi ishte
kryeministër, ndërsa tani që Vujanoviçi është president Gjukanoviçi është
kryeministër. As Vladimir Putini presidenti aktual i Rusisë me kryeministrin
e sotëm Dmitry Medvedev nuk mund të krahasohet me këtë dyshe të politikës
malazeze.
2.
Historia e partive politike shqiptare niston më 9 shtator 1990 me Lidhjen
Demokratike në Malin e Zi (DS), me seli në Ulqinin shqiptar dhe kryetar
themelues e kryesues i derisotëm, Mehmet Bardhin.
Tre vjet ma vonë, më 21 nëntor 1993, në Ulqinin me shumicë shqiptare, del në
skenë një tjetër parti politike Unioni Demokratik i Shqiptarëve (DUA) me
themelues Ferhat Dinoshën.
Një tjetër parti politike shqiptare krijohet në Ulqin më 22 tetor 2005 Forca e
Re Demokratike (Forca) me kryetar Nazif Cungu. Aktualisht kjo parti e qeverisë
sot Ulqinin me rreth 21 mijë banorë, nga të cilët mbi 14 mijë janë shqiptarë të
atyshëm etnikë. Në zgjedhjet e fundit parlamentare (2012) kjo parti hyri në
aleancë me Lëvizja "Perspektiva" dhe Inisiativën Qytetare "Tuzi" duke marrë
5.275 vota dhe deputet në parlamentin malazez.
Në Ulqinin me 255 km2, thue se kishte vakum politik, vjen një tjetër parti
politike në elektoriadën parlamentare të 10 shtatorit 2006: Partia e
Prosperitetit Demokratik. Kjo parti (në zgjedhjet e fundit parlamentare) në
koalicion me Unionin Demokratik të Shqiptarëve ia mbrrinë të marrin 2.848 vota
e të kapin 1 deputet në Parlamentin 81 vendësh të Malit të Zi.
Më 24 dhjetor 2011 në Ulqin themelohet një tjetër formacion politik shqiptar:
Partia Demokratike me kryetar Fatmir Gjekën.
Në zgjedhjet e fundit, në komunën urbane në Tuz (Malësia) të Podgoricës mori
pjesë një tjetër parti politike shqiptare e re: Alternativa Shqiptare me
kryetar Gjergj Camaj, që zuri një vend në parlamentin malazez. Kjo parti politike
shqiptare hyri në "Koalicion Shqiptar" në bashkari me Lidhjen Demokratike
(fitoi një vend në parlament) dhe me Partinë Demokratike (tjetër parti
shqiptare në Mal të Zi) dhe morën 3.824 vota.
Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2012 partitë politike shqiptare u keqndanë
në katër aleancime: "Forca për Bashkim", "Koalicioni Shqiptar", "Unioni
Demokratik i Shqiptarëve", "Aleanca Rinore e Shqiptarëve" (që mori 531 vota
0.15 për qind). Shteti malazez me të gjitha strukturat e tij të dukshme e të
errëta ia ka fort-mbrri për me i gurgac e gudulis disa liderë të vjetër e të
rinj, pjestarë të forumeve të partive politike shqiptare me u shkrinue e
shkretnue në gjithakëto subjekte politike kur numri i shqiptarëve në Mal të Zi
ka ulje të ndjeshme: mbi 30.000 shqiptarë (sipas rregjistrimit të vitit 2011).
Krejt ndryshe ndodh me partitë e komuniteteve etno-kulturore në Malin e Zi:
Boshnjakët kanë një parti kryesore të themelueme në vitin 2006 në Rozhajë
(komunën me popullsi boshnjake më të madhe) me kryetar Rafet Husoviç, e cila
fitoi 3 mandate në zgjedhjet e fundit parlamentare, pavarësisht se ka pasë
përpjekje (vet)përçarëse me Partinë Demokratike Boshnjake në Rozhajë, Unionin
Demokratik Boshnjak-Muslimanë, etj. Kroatët e formuan në vitin 2002 partinë e
tyre nacionale në Tivat me kryetar Marija Vuçinoviç dhe arritën të marrin një
mandat në parlamentin e sotëm me votat e kroatëve të përqendruar në Tivat,
Kotorr, Herceg-Novi, etj.
Gjukanoviçi, lideri i fuqishëm i Partisë Socialiste Demokrate, prej kohësh
krijoi Koalicionin "Mali i Zi Europian" në aleancë me Partinë Social -
Demokrate kryehere dhe Partinë Liberale së vonit, si dhe me shtatë parti më të
vogla, ndër të cilat edhe ato boshnjake e kroate. Tani iu kanë bashkangjit edhe
katër partitë politike shqiptare parlamentare. Kështu ia arriti me sigurue
koalicion multietnik, jo veç malazezët, por edhe boshnjakët, shqiptarët,
kroatët, etj. dhe duke i lanë në opozitë kryesisht serbët në formacionet
politike si Fronti Demokratik me 20 deputetë, Partinë Socialiste Popullore me 9
deputetë, Partinë "Mali i Zi Pozitiv" themelue në maj 2012, me 7 deputetë
(njëri prej të cilëve është shqiptar, Dritan Abazoviç).
3.
Këto ditë Forca e Re Demokratike, drejtuese e koalicionit para e pas zgjedhor
"Forca për bashkim" ka vendosun të mbështesin kandidatin presidencial të
DPS-së, Filip Vujanoviç. Aq sa shohim kjo forcë politike, krahas tjerave
problematikave, kyçëzohet tek dhania e statusit komunë e plotë (mëvete) e Tuzit
(Malësia). Kjo çështje ka fillanis në vitin 1992 dhe politika e kthen shpesh
herë në kryeproblem, aqsa të krijon idenë e turbullt se "Ky na qënka e vetmja
çështje e ditës për Shqiptarët etnikë apo që Shqiptarët etnikë kanë për shtetin
e Malit të Zi". Si nuk u mblodhën një ditë pas zgjedhjeve të fundit të gjitha
partitë politike shqiptare e subjekte të tyre aleancore e t'iu kërkojnë në
bashkari Tuzin (Malësia) komunë mëvete Presidentit, Parlamentit e Qeverisë së
Malit të Zi dhe Këshillit të Europës, OSBE, po edhe BE e disa shteteve
euro-atlantike e kontinentale me ndikim demokratik në Mal të Zi.
Gjithçka e qartë: me kanë mirë me Gjukanoviçin e Co liderë partiakë shqiptarë
të niveleve të ndryshme në Mal të Zi e mbajnë të "ngritur" këtë çështje të
drejtë, sepse iu duhen disa çështje të tilla si kjo e Tuzit në elektoriada e tavolina
pune. Gjukanoviçi thotë se kjo është demokratike e do ta kryejmë, si veproi
edhe në rrenën e fudnit në Tuz, partitë politike shqiptare thojnë se po e
kërkojmë dhe do të realizohet shpejt. Të dyja palët janë në rregull. Edhe
demokracia për shtetarët e ndërkombëtarët janë në rregull parimisht. Çështja
është tek populli i Tuzit, që jep vota për Pavarësinë e Malit të Zi, për të
ardhë në pushtetet politike, legjislative e administrative Gjukanoviçi,
Vujanoviçi e të tjerë, në mes tyre edhe shqiptarë.
Një fakt: në Ulqin kanë tufalakue gjithato parti e subjekte të tjera politike
si tri partitë parlamentare dhe në koalicion qeverisës me Gjukanoviçin, si
Lidhja Demokratike, Unioni Demokratik i Shqiptarëve, Forca e Re Demokratike
(Forca), po edhe të tjerat si Partia e Prosperitetit Demokratik, Partia
Demokratike dhe deri tek "Lëvizja "Perspektiva" po ende ka mbetë problematikë e
ditës përcaktimi i kufirit "të mirat detare" në komunën e Ulqinit (!)
Lideri i Forcës, ndonëse një burrë i mirë e ka mendjen për keq kur për
Vujanoviçin teksa sugjeron se është e mundshme që nga pakënaqësitë shqiptarët
të votojnë për të gjithë kandidatët presidencial. Merak të madh e ka
Vujanoviçin saqë i dhimbset edhe një votë e vetme shqiptare për mos me shkue
për kandadatë të tjerë të listës. Njejtësisht edhe Partia Demokratike në Mal të
Zi.Inisiativa Qytetare në Tuz, në aleancën Forca, e ngrejnë çështjen e statutit
komunë e plotë të Tuzit si vendimtare për dhanien e votave të antarësisë së saj
për presidentin e Malit të Zi, Vujanoviç.
Çështja shqiptare në Mal të Zi nuk duhet trajtuar si "parcelë politike" e disa
liderëve, që i ngrejnë problemet shqiptare vetëm në juridiksionin përrreth
kullave të tyre, në qëndër e rrethina të selive të tyre, po në të gjithë
rajonin etnik shqiptar prej më se 6 mijë km2 nga bregdeti Adriatik deri në
Plavë-Guci e në Rozhajë.
Koalicioni "Forca për Bashkim" në zgjedhjet e fundit parlamentare, pas Ulqinit
e Podgoricës, ka marrë më shumë vota në Plavë-Guci (365 vota), po nuk e thonë
një fjalë për rrugën Deçan-Plavë-Podgoricë, për mosndamjen e saj në dy komuna:
Plavë e Guci, etj.
E keqja e madhe është se këto katër parti politike shqiptare që kanë hyrë në
koalicionin qeverisës të Gjukanoviçit nuk munden të ngrejën plotësisht e deri
në fund problematikat shqiptare, sepse asnjëra prej tyre nuk është në opozitë,
nuk e ka forcën e zërit, nuk e prish rehatinë partiake.
4.
Shqiptarët në Mal të Zi kanë gjithato çështje të ditës: simbolet kombëtare,
rregullimi i problemeve të pronës, arsimimi, decentralizimi i pushtetit lokal,
përcaktimi i kufirit "të mirat detare" në Ulqin, rruga Deçan-Plavë-Podgoricë,
punësimi, ligji zgjedhor, mosndamja e komunës të Plavë-Gucisë, mos shpërngulja
e shqiptarëve etnikë nga trojet e veta të lashta, etj.
Sot, edhe një herë tjetër, ka ardhë koha me i ngritë këto çështje nga partitë
politike shqiptare në Malin e Zi, duke i kërkuar koalicionit qeverisës të
Gjukanoviçit zgjidhjen e tyre me platformë politike dhe afate konkrete,
përndryshe duhet bojkotue masivisht e plotësisht zgjedhja më 7 prill 2013 e
presidentit Vujanoviç.
Mali i Zi nuk mund të zgjedhin një president të shtetit të vet pa votat e
shqiptarëve, sepse kushdo që të zgjidhej nuk do të ishte president edhe i
shqiptarëve.
Ky fakt problematik e shqetëson politikën zyrtare malazeze dhe ndërkombëtarët,
për disa arsye madhore të demokracisë e të progresit:
Shqiptarët në Malin e Zi si popullsi janë nacionaliteti i katërt nga Adriatiku
në Alpe nga Ulqini e Tivari në Plavë-Guci e në Rozhajë në një rajon etnik mbi 6.000 km2
dhe nuk janë ardhacakë si serbët, malazezët e boshnjakët.
Asnjë nacionalitet etnik apo komunitet etno-kulturor në Malin e Zi (ndryshe nga
çdo shtet tjetër në Ballkan) nuk është dominues për nga popullsia (as
Shqiptarët, as malazezët, as serbët, as boshnjakët, as kroatët...). Kjo nuk ia
krijon mundësinë Malit të Zi të vetveprojnë si të duan përballë faktorit
politik e demografik shqiptar.
Mali i Zi i krajloviçëve kërkon të antarësohet në NATO e në Bashkimin Europian
dhe nuk mund të heshtin përballë një bojkoti masiv të Shqiptarëve etnikë.
Mali i Zi po i ban presion Kosovës për vendosjen e misionit të saj diplomatik
në Prishtinë për pa ia njohë statusin e "minoritetit etnik të malazezëve në
Kosovë" (!) dhe po i imponohet e keqveprohet me vijën e kufirit Mali i Zi Kosovë.
Ndërkohë Mali i Zi nuk po iu njeh të Drejtat Shqiptarëve Etnikë as në Tuz, as
në Plavë-Guci, as në Rozhajë, as në Ulqin...?!.
Ky qëndrim "me dy standarte" duhet të jetë një fakt i fortë përballës i partive
politike shqiptare në Malin e Zi që të bojkotojnë Presidentin malazez Vujanoviç
të lindur në Beograd, të rritun si kundërshqiptar.
Vujanoviçi më 7 prill 2013 synon për mandatin e katërt si President i Malit të
Zi (edhe një herë ishte kryeministër për 4 vjet) dhe kjo stërgjatje mandatore
nuk shihet me sy të mirë nga Perëndimi euro-atlantik dhe as nga fqinjët
ballkanikë.
Këta faktorë do ta detyrojnë Gjukanoviçin e Vujanoviçin dhe partinë e tyre
qeverisëse të ulen në tavolinë me liderët politik shqiptarë me ndërhyrjen e
ndërmjetësimin e faktorit Ndërkombëtar t'i zgjidhin problematikat e shqiptarëve
në Malin e Zi, pasi janë në tokën e vet iliro-arbnore dhe shtetin e ri ta
shohin e ndjejnë si shtetin e vet multietnik.