Çdo diktaturë kur përmbyset le pas vetes, për një farë kohe, sindromat e saj.
Këto vazhdojnë për aq kohë sa do të jetë e aftë shoqëria dhe, sidomos, klasa
politike t'i hedhë poshtë. Varet nga vullneti i saj. Një shtet që pretendon se,
pas përmbysjes së diktaturës, po ndërton një rend demokratik dhe ligjor duhet
që, brenda një kohe të shkurtër, t'i hedhë në koshin e plehrave sindromat e
asaj diktature. Kështu vepruan, pothuajse, të gjitha shtetet ish-komuniste të
Europës Lindore. Po vendi ynë? Kanë kaluar mbi njëzetedy vjet nga ato ditë të
paharruara të përmbysjes së madhe. Sistemi komunist, që sundoi vendin për
dyzetegjashtë vjet, tashmë është shembur. Në vend të tij po ndërtohet sistemi
kapitalist. Sot janë fare të paktë ata që mund të flasin ende me keqardhje për
sistemin e përmbysur. Vetëm disa trundryshkur nostalgjikë që u ka mbetur ora
qysh me mbarimin e Luftës së Dytë Botërore. Megjithatë vazhdon të jetojë ende
sindroma "komunizëm", një sindromë e tmerrshme, një gangrenë që po gryen vendin
dhe nuk e le të ecë si motrat e saj europiane. Madje, në vend që të vijë duke u
zhdukur, kjo gangrenë sikur po shtohet më tepër këto kohët e fundit dhe sidomos
tani që fushata elektorale, megjithse e pashpallur ende, efektivisht ka
filluar. Pikërisht për këtë sindromë dua të shkruaj edhe unë në këtë shkrim.
Çfarë është sindroma "komunizëm"? Është hymnizimi i idhullit, servilizmi,
hipokrizia, zhveshja nga normat morale të jetesës, nënshtrimi ndaj së keqes,
humbja e personalitetit të imtelektualit, humbja e dinjitetit njerëzor, dhe
plot vese të tjera të mishëruara në atë që u quajt "Njeriu i ri socialist".
Këto vese shfaqeshin në të gjitha shtresat e shoqërisë si tek politikanët,
intelektualët dhe deri te ata më të thjeshtit, punëtorët apo fshatarësia
kooperativiste. Le t'i ilustrojmë këto me shembuj konkretë.
Një perëndi e re ishte krijuar në vendin tonë. Ishte numri një i shtetit,
Sekretari i Parë i Komitetit Qëndror të Partisë. Ai ishte gjithçka. Parulla e
tij ishte ajo e Luigjit të XIV-të "Shteti jam unë". Ishte mjeku që shëronte
plagët e vendit, profesori që u jepte leksionet e tij gjithë inteligjencës së
vendit, mjeshtri që u mësonte zejtarinë zanatçinjve apo shkencat bujqësore dhe
blegtorale fshatarësisë e të tjera, e të tjera "mrekulli" që vetëm ai ishte në
gjendje të bënte. Sipas shembullit të tij, kjo gjë vazhdonte edhe në rangjet e
tjera të shoqërisë shqiptare. Vazhdonte në sekretarët e parë të rretheve,
sekretarët e partisë dhe drejtorët e institucioneve qëndrore dhe lokale,
sekretarët e partisë dhe drejtorët e ndërmarrjeve shtetërore apo kryetarët e
kooperativave bujqësore dhe shkallë-shkallë deri në një brigadjer brigate në
qytet apo fshat. E gjithë kjo elitë kishte nën vete një numër të madh plebejsh
që ishin te detyruar vetëm të brohorisnin për drejtuesit e tyre dhe t'u
thurrnin lavde pa mbarim.
Servilizmi, kjo ishte karakteristika e të varturve ndaj vartësve. Një gjë të
tillë e shihje kudo, në të vetmin radio-televizion apo nëpër faqet e shtypit të
kohës. E shihje nëpër mbledhjet dhe konferencat e ndryshme. E shihje në çdo hap
të jetës së përditshme. Shumë prej tyre e dinin që qëndrimi i tyre nuk ishte i
drejtë, megjithatë vazhdonin sipas së njëjtës frymë. I tillë ishte regjimi.
Megjithatë ndihej edhe zëri i së vërtetës. Ky kuptohej nëpërmjet barcaletave të
ndryshme që qarkullonin gojë më gojë fshehtas.
Më lejoni t'ju tregoj një rast
të një servilizmi të pamoralshëm:
Një ish-funksionar i lartë i partisë, një ish-ministër i rënë nga fiku që ishte
degdisur në një qytet të vogël të rrethit të Vlorës. Atë vit zhvilloheshin
zgjedhjet për pushtetin lokal. Ish-funksionari u paraqit në qendrën e votimit.
Në krye të sallës fotografia e diktatorit. Me një hap solemn, iu afrua, mori
drejtqëndrim dhe duke nderuar me grusht thirri:
- Lavdi shokut... dhe përmendi emrin e diktatorit.
Nuk kaloi shumë kohë dhe funksionari u arrestua dhe u ekzekutua disa muaj më
vonë. Ky ishte shpërblimi që diktatori i bëri ish-funksionarit të tij. Në këto
kushte unë pyes:
- Çfarë e shtyu atë të brohoriste për diktatorin që e kishte degdisur në një
vend të humbur
dhe po përgatitej ta zhdukte fare nga faqja e dheut?
Asgjë tjetër veçse ndjenja e servilizmit që kishte pushtuar ndërgjegjen e tij.
Jam i sigurtë se në konditat në të cilat ai ndodhej, një njeri normal kurrë nuk
do ta kishte bërë një veprim të tillë. Por ai nuk ishte njeri normal. Ishte,
sikur edhe gjithë klani i tij, një lake i bindur që vepronte sipas shkopit të
dirigjentit të tij diktator. Ai s'kishte ndërgjegje. Ishte "Njeriu i ri i
socializmit".
Hipokrizia dhe çveshja nga normat morale të jetesës. Njeriu ishte i detyruar të
vinte një maskë të cilën e ndërronte sipas rrethanave. Ishte e pamundur të
zbuloje se si e kishte fytyrën e vërtetë. Aktualisht njeriu nuk kishte fytyrë
të tij. Ai fliste me gjuhën e idhullit të tij, shikonte me sytë e tij, dëgjonte
me veshët e tij, nuhaste me hundën e tij. Për çdo nismë të dërguar nga idhulli
ai do të ishte kurdoherë i gatshëm. Le të sjellim si shembull vitin 1966. Turma
të tëra intelektualësh, si dhëntë që vihen përpara nga një bari i vetëm, në të gjitha
qytetet e vendit derdheshin rrugëve duke thirrur:
- Leni zyrat burokratë, merrni rrugën për në fshat!
A thua t'iu kishte therur zemra për fshatin socialist që mbillte grurë dhe për
vete hante misër, madje edhe ky i racionuar. Shikoni ku kishte arritur
hipokrizia e njerëzve ndaj sistemit.
Nënshtrimi ndaj së keqes. Nuk janë të paktë ata që iu nënshtruan së keqes së
madhe. Disa nënshkruan deklarata kapitulluese. Të tjerë denoncuan deri edhe
shokët apo familjarët e tyre. Puna arriti deri aty sa babai të spiunonte djalin
ose e kundërta dhe vëllai vëllain. Është e vërtetë që një pjesë e tyre u
detyruan nga format më të egra të torturave fizike ose psikologjike të
ushtruara mbi ta, por shumica një gjë të tillë e bënë vullnetarisht, thjesht
për të përfituar diçka. Sidoqoftë ata kanë në ndërgjegjen e tyre peshën e rëndë
të fajit.
Humbja e personalitetit te intelektualit dhe e dinjitetit të tyre. Një
karakteristikë që përfshinte masën më të madhe të intelektualve. Këtë peshë ata
e mbajnë ende në ndërgjegjen e tyre, njësoj si dhe ata që u thyen nga dhuna.
Këto ishin, pak a shumë, karakteristikat e sindromës "komunizëm" që u shfaq në
atë kohë. Po sot a vazhdon ende
kjo sindromë? Le ta analizojmë.
Sot në vendin tonë ekzistojnë, në mos e kam gabim, mbi gjashtëdhjetë parti
politike. Përveç rreth dhjetë prej tyre që kanë një elektorat të caktuar, të
tjerat janë fantazma. Madje ka parti që në zgjedhje nuk marrin as votat e
familjarëve, por drejtuesit e tyre nuk luajnë prej vendit për vite të tëra qysh
prej datës së themelimit. Janë bërë të pazëvendësueshëm. Madje nuk zhvillojnë
as kuvende kombëtare për të bërë zgjedhje. Janë të zgjedhur të përjetshëm.
Shqipëria është në botën e çudirave. Një historian i njohur i kohës së
diktaturës është bërë edhe kryetar partie. Nuk mund ta kuptoj se si mund ta
quajë veten historian një njeri i tillë. A mund të shkruajë ai një histori të
vërtetë? Të gjitha këto si pasojë e sindromës "komunizëm" që vazhdon ende.
Sot janë një mori televizionesh dhe gazetash. Janë me dhjetra e dhjetra gazetarë,
analistë, opinionistë. Disa janë të djathtë dhe disa të majtë. Të pavarur e
quajnë veten shumica. Por të gjithë ligjërojnë sipas ritmit të daulles së
idhullit të tyre. Fare pak janë ato kanale televizive që mund të shihen me
kënaqësi. Të paktë janë ata gazetarë që mund të lexohen me ëndje. Të paktë janë
ata analistë dhe opinionistë që mund të dëgjohen pa u shqetësuar nga dokrat e
tyre. Në këtë kategori bëjnë pjesë edhe disa politikanë. Të verbuar nga
karriera dhe ethet e ngritjes në detyrë, ata harrojnë pse janë zgjedhur,
harrojnë se populli ua ka dhënë votat se ka patur besim te ta. Shembullin më të
keq e ka dhënë një drejtues i një partie që megjithse humbi dy zgjedhje rresht
nuk pranoi të jepte dorëheqjen në një kohë kur kjo parashikohej në statutin e
partisë së tij. Por më e keqja është se edhe ndjekësit e tij nuk u kujtuan t'i
kërkojnë një gjë të tillë dhe kjo do të ishte në nderin e tyre dhe të partisë.
Ata dijnë vetëm t'i thurrin lavde drejtuesit të tyre të dështuar. A nuk është
edhe kjo një shenjë e sindromës "komunizëm"?
Hipokrizia, humbja e personalitetit dhe dinjitetit ishte një karakteristikë e
sistemit totalitar por, kur kjo shfaqet në një sistem demokratik, atëherë bëhet
një gjë shumë e pështirë. Një gjë e tillë i ndodhi pas përmbysjes së madhe një
tjetër funksionari të sistemit komunist të rënë nga fiku. Ishte pikërisht
diktatori i dytë i atij sistemi që e kishte denigruar deri në burgosje. Por,
çuditërisht pas ndryshimeve, ky fatkeq vazhdonte t'i lëpihej atij dhe të
shoqërohej me të gati për çdo ditë në parkun e kryeqytetit sikur të mos kishte
ndodhur asgjë. Përse? Është përsëri sindroma "komunizëm" që e shtynte drejt
humbjes së personalitetit të tij. Por ky fenomen nuk ndodh vetëm me këtë
individ. Janë plot të tjerë që vijnë nga ai sistem dhe ruajnë ende sindromën e
sipërpërmendur.
Le të shohim tani disa shfaqje të tjera të ndikimit të sindromës "komunizëm" në
jetën e përditëshme në Shqipëri. Të gjithë i kemi parasysh ato ditë të
stuhishme të viteve 90-të, kur i gjithë populli u ngrit kundër diktaturës.
Midis tyre edhe ish-të përndjekurit politikë. Në shkurt u rrëzua monumenti i
diktatorit, simboli i sistemit komunist, por nuk rrëzua sindromi "komunist" që
vazhdoi të punonte, fshehtas si hajdut, për të përgatitur kasaphana të tjera si
ajo e 97-ës. Një fjalë e urtë popullore thotë: "Deri sa ujku mbetet
ujk, ai do plumb e jo pambuk". Ne zgjodhëm pambukun se nuk donim më të derdhej
gjak si dikur, se mendonim që djajtë do të ktheheshin në engjëj, gjë që nuk u
realizua dhe nuk kishte si të realizohej pasi nuk i lejonte sindroma e
mësipërme.
Kështu, me marrjen e pushtetit, djajtë filluan gjuetinë e shtrigave dhe mbi të
gjitha kundër atyre që i kishin patur kundërshtarë të përjetshëm, ish të
dënuarve të vërtetë politikë. Mosnjohje e statusit të tyre të miratuar nga
Kuvendi i Shqipërisë, pushime nga puna dhe deri vrasje si ato të shtatorit
98-të. Filluan të nderoheshin figurat e krimit komunist. Me emrat e një pjese
prej tyre filluan të emërtoheshin sheshet dhe rrugët kryesore të qyteteve. Një
pjesë tjetër u shpallën "Qytetarë Nderi" nëpër komuna dhe bashki. Disa të tretë
madje u dekoruan me tituj të lartë nga Presidenti i Republikës. Përmendim këtu
emërtimin e njerit nga sheshet e qytetit të Durrësit me emrin e kryekomunistit
Nako Spiru, shpalljen "Qytetar Nderi" të Mallakastrës të kryekriminelit Mehmet
Shehu dhe dekorimin nga Presidenti i Republikës të gjykatësit që ende vazhdon
të jetë në Gjykatën Kushtetuese, vrasësit të poetit Havzi Nela.
Një gjendje e tillë vazhdoi deri në vitin 2005 kur në krye të djajve doli një
udhëheqës i ri në moshë, por me mendësi shumë më anarshiste dhe karrieriste se
paraardhësi i tij. Ky klloun i politikës e futi partinë, që u bë pronë private
e tij, në një rrugë pa krye, pa vizion, një rrugë që përveç se në anarshizëm nuk
të çon asgjëkundi. Për më tepër ai, pa patur asnjë argument, vazhdon të ngulë
këmbë në mos miratimin e tre ligjeve të vëna si kusht nga Bashkimi Europian për
pranimin e Shqipërisë në gjirin e bashkësisë europiane. Në këtë rrugë pati
ndihmën edhe të një "presidenti të djathtë" që, gati njëlloj me paraardhësin e
tij, vazhdoi të njëjtën rrugë duke mos firmosur ligje themelore si ai i
lustracionit, duke emëruar në shkallët e ndryshme të drejtësisë persona të
përlyer me diktaturën, madje duke dekoruar edhe disa prej tyre dhe, më e
rëndësishmja, duke përkrahur, në mënyrë të heshtur, nje revoltë antidemokratike
dhe barbare si ajo e 21 janarit.
Këto janë disa nga pasojat e asaj që unë e kam quajtur sindroma "komunizëm". Pa
zhdukjen e saj shqipëria do të ketë gjithmonë ngjarje të jashtëzakonshme, të
papranuara nga një vend demokratik. Kur do ta realizojë Shqipëria nje gjë të
tillë? Nuk e di, por nuk besoj se kjo mund të realizohet në ditët e sotme. Per
deri sa në vendin tonë ekzistojnë ende individë të inkriminuar me sindromën
"komunizëm", një gjë e tillë është e pamundur. Duhet të kalojnë, ndoshta edhe
më shumë se pesëdhjetë vjet, kur në vendin tonë të mos ekzistojë asnjë individ
nga ky brez që Shqipëria të shpëtojë një herë e përgjithmonë nga sindroma
"˜konunizëm".