Jeb (Xheb) Bush, djali dhe vëllai i dy presidentëve të fundit republikanë të
Shteteve të Bashkuara dhe ish-governatori i shtetit Florida nga viti 1999 deri
në vitin 2007, botoi kohët e fundit një libër mbi imigracionin dhe gjatë
promovimit dhe intervistave për median e shkruar dhe vizive gjatë kësaj jave,
ai refuzoi të hedhë poshtë mundësinë për të qenë kandidat për president i
Partisë Republikane më 2016. Promovimi i librit ngjalli interesim të madh nga
media amerikane në lidhje me një kandidtaurë të mundëshme për president të Xheb
Bush-it. Megjithëse është heret për të folur për kandidaturat për zgjedhjet e
vitit 2016, 60-vjeçari Xheb Bush i tha rrjetit të televizionit amerikan NBC se,
''Unë kam një zë dhe dëshiroj të ndajë qendrimet dhe mendimet e mia me të
tjerët mbi mënyrat se si lëvizja konservatore dhe Partia Republikane mund ta
marrin veten rishtas, pasi e kemi humbur drejtimin.'' Ai shtoi duke thënë se,
''nuk e përjashtoj mundësinë për të qenë kandidat për president, por në të
njëjtën kohë as nuk jam duke deklaruar sot se jam kandidat.'', por duhet të
kuptoni, shtoi ai, se partia Republikane duhet të jetë partia që përsëri do të
qeverisë vendin.
Gjatë intervistave me media të ndryshme, ish-governatori Bush, përveç subjektit
të librit të tij që është imigracioni, dhe në të cilin propozon ndryshime
rrënjësore në sistemin amerikan të imigracionit, foli gjithashtu edhe për
problemet e tanishme buxhetore me të cilat përballen Shtëpia e Bardhë dhe
Kongresi, si dhe mbi shkurtimet e mëdha buxhetore që kanë ndërmarrë entet e
ndryshme të qeverisë federale, duke i quajtur ato si, "një problem i
përkohëshëm në historinë tonë.'' Mbi subjektin e librit që është imigracioni,
një temë këjo që mbizotëroi edhe fushatën e fundit për president, Zoti Bush tha
se ndërkohë që mbështetë një politikë imigracioni që do t'u jepte status legal
atyre që janë futur ilegalisht në këtë vend --nëqoftse plotësohen disa prej
kushteve -- ai nuk është në favor që atyre t'u jepet nënshtetësia ameikane. Ai
i tha rrjetit të televizionit NBC se, ''Duhet të ketë një dallim midis atyre
personave që hyjnë në këtë vend legalisht me letra dhe atyre që futen këtu
ilegalisht.''
Në lidhje me çështjen e imigracionit, gjatë intervistave me median amerikane,
ish-governatori republikan Xheb Bush kritikoi rëndë partinë e tij, por sulmet
më të ashpëra i rezervoi për Presidentin Obama, duke e cilësuar politikën e
administratës së tij mbi imigracionin si cinike dhe të njëanshme. Në një
intervistë me gazetën USA Today, Zoti Bush tha se, ''Udhëheqsit duhet të udhëheqin,
e jo të përçajnë. Ai (Presidenti Obama) mund të jetë i mrekullueshëm si
kandidat për të bërë fushatë, por fushata ka marrë fund, ndërkohë që ai
gjithnjë vepron sikurë është duke bërë fushatë për president'', shtoi ai.
Një shënjë tjetër, se Xheb Bush mund të flirtojë me ambicjet për të qenë
kandidat për president në zgjedhjet e ardhëshme, është vendimi se ai pranojë
ftesën për të mbajtur fjalimin kryesor javën që vjen para Konferencës
Konservatore të Aksionit Politik, një organizatë këjo konservatore me influencë
të madhe në Partinë Republikane Analistët e shikojnë këtë vendim, nga ana e
tij, si një qëndrim, të pakën për të mos ia mbyllur derën vetes për një
kandidaturë të mundëshme në të ardhëmen.
Gjatë tri dekadave të kaluara, emëri Bush ka qenë prominent në fushatat e
Partisë Republikane për president ose zëvendës president -- dhe nëqoftse Xheb
Bush do vendosë të kandidojë për president dhe nëse ai do të fitonte, familja
Bush do të ishte e para në historinë e Amerikës, që të nxjerrë nga gjiri i saj
tre presidentë.
Për më tepër, nëqoftse ish-governatori Bush do vendoste të deklaronte
kandidaturën e tij në zgjedhjet e ardhëshme për president, mediat amerikane
spekullojnë se në zgjedhjet e përgjithëshme ai mund të gjëndet përballë një
anëtarje të një familje tjetër të dalluar politike amerikane Zonjës Hillari
Klinton, e cila megjithëse tani thotë se nuk ka plane për të kandiduar, as ajo
nuk e përjashton mundësinë e një kandidature të tillë për president.
Mirëpo, një problem i cili mund të pengojë Zotin Xheb Bush në ambicjet e tija
për të kandiduar për president -- sipas vërejtësve politikë -- është mbiemëri i
tij, pasi sipas tyre një pjesë e elektoratit, përfshirë edhe republikanët
konservatorë janë gjithnjë të pakënaqur me disa nga politikat e babait të tij
Xhorxh H.W. Bush, i cili nuk mbajti premtimin për të mos rritur taksat dhe ndaj
vëllait të tij Xhorxh W. Bush, I cili gjithnjë konsiderohet si një president jo
aq popullor për arsye të mbështetjes së tij për shtimin e shpenzimeve të
qeverisë federale si edhe për ndihmat që ai u dha firmave financiare të Uoll
Stritit, për t'i shpëtuar nga falimentimi në vitin 2008. Elektorati mund të
jetë lodhur me emërin Bush dhe politikat e tyre, thonë ata.
Por sidoqoftë, ish-bashkpuntori i Xheb Bush, Cory Tilley, i tha gazetës
Washington Post se Zoti Bush, "dha sinjalin e parë të rëndësishëm këtë javë, se
ai për herë të parë, është duke marrë në konsiderim në mënyrën më serioze,
mundësinë për të qenë kandidat për president. Është një sinjal për të cilin
kanë pritur shumë veta", shtoi ai.
Në fund të fundit, cilido që të jetë vendimi i tij, ish-governatori Bush ka
mjaft kohë për të marrë në shqyrtim opcionet e tija që eventualisht të vendosë
për të ardhmen e tij politike.

Ish-governator i shtetit Florida Jeb Bush

Dy ish-presidentët e familjes Bush