BUKURIA E PËRBASHKIMIT TË SHQIPTARËVE TË AMERIKËS E FRYMËZON QËNDRIMIN KOMBËTAR TË SHTETEVE SHQIPTARE Nga ARTUR VREKAJ
E Djelë, 12.29.2013, 12:27pm (GMT+1)
Shqiptarët
e Ballkanit edhe pse me dy shtete Shqiptare, me prani të OKB, EULEX,
NATO në Kosovë dhe një monitorim Amerikano-Europian në Shqipëri nuk kanë
arritur të marrin akoma mbështetjen e plotë të të gjithë Diasporës së
Bashkuar me mundësitë që me të vërtetë mund të japin Shqiptarët e
Amerikës të gjithë së bashku me biznesmenë, shoqata atdhetare e
organizatat fetare.
Pse? Sepse nuk kemi një ende një
bashkëkuvendim për një platformë kombëtare të përbashkët të të gjithë
faktorëve të Mërgatës në Amerikë. Edhe sepse Shqipëria e ka harruar fare
këto 23 vjet demokraci sikundër e luftoi dhe e përndoqi për 46 vjet me
Hoxhën.
Kosova ka një qasje më të mirë me Draft-Strategji për
Mërgatën dhe një program në vazhdimësi për të forcuar lidhjet
Vëndlindje-Mërgatë jo vetëm në Europë por edhe duke e parë Mërgatën
Shqiptare një e të pandarë me Shqiptarët e trojeve Shqiptare.
Rasti
më i fundit këtë Dhjetor 2013 është projekti që u bashkëkuvendua nga
Ministria e Diasporës së Kosovës për rrjetëzimin e bizneseve me pronësi
të origjinës Shqiptare në Europë dhe Amerikë. Janë shembuj realë dhe
frymëzues. Që Mërgata Shqiptare të investojë më mirë në çdo qytet
Shqiptar të Shqipërisë Natyrale.
Ne në Amerikë rrojmë me orën e
Shqipërisë Natyrale! Na vjen shumë keq për çka ndodh keq me Shqiptarët
edhe kur fajin më shumë e kanë shtetarët Shqiptarë edhe kur e kanë
fqinjët apo edhe faktori ndërkombëtar. Sepse edhe diplomacia Europiane
nuk është e kulluar, apo edhe sepse ne Shqiptarët e sotëm nuk dimë të
bëjmë diplomaci për Shqipëri e komb, sepse sillemi si provincialë si në
Bruksel dhe New York apo Uashington ku përcaktohen fate të Shqiptarëve
të Ballkanit. Ndërkohë, në New York shoqatat e Dibrës më 20 Dhjetor
2013 i ftuan dhe bashkuan në protestë para Kombeve të Bashkuara drejtues
dhe Shqiptarë veprimtarë të shoqatave më në zë të Shqiptarëve të
Amerikës si të Dibrës, VATRA, AACL, Albanian Roots, Ana e Malit, Forumi
për Demokraci etj, për ti bërë të qartë opinionit ndërkombëtar se po
shkelen Konventa Ndërkombëtare për devijimin e rrjedhës së lumit Radika
nga derdhja në Adriatik.
Fill pas kësaj në Shqipëri më datën 26
dhe 27 Dhjetor 2013 sipas të përditshmeve Panorama, Dita dhe Tema
deputeti Bogdani nxori një material sekret nga mbledhja e komisionit të
Jashtëm të Kuvendit të Shqipërisë lidhur me kërkesën e Maqedonisë dhe
Greqisë e devijimit të lumenjve Radikë dhe Vjosë nga shtetet fqinje?!
Duke mos cekur rëndësinë e sekretit, u pa se sekreti kishte dalë për
këtë projekt anti-Shqiptar që disa javë më parë, sepse në rrjetet
sociale Shqiptarët e Amerikës ndjeheshin të shqetësuar për fatin e
vëndlindjes së tyre, (Dibrës).
Protesta e Mërgatës në New York
për këtë qëllim e dha efektin e saj edhe si një thirrje për qeveritë
Shqiptare apo Shqiptarët shtetformues në Maqedoni që të mos lëshojnë pe
në dëm të interesave kombëtare.
Por, nga ana tjetër është edhe mbështetje e pastër për shtetarët Shqiptarët lokalë apo qëndrorë të Shkupit dhe Dibrës. Si
ka mundësi që media Shqiptare në Tiranë nuk e vë në dijeni publikun
Shqiptar për çdo të mirë që manifeston apo prosteston Mërgata
Shqiptaro-Amerikane? Ku është misioni kombëtar i medies?
Apo ju
duken pak TV-ve apo gazetave të financuara nga pushteti i Tiranës
veprimtaritë përfaqësuese të Mërgatës në Amerikë? Pra, çalon dhe shumë
bile promovimi i Mërgatës. Herë-herë biem në siklet se më shumë
vlerësohet nga klasa politike e Tiranës klientela e biznesit në Amerikë
se sa ndonjë shoqatë atdhetare që nuk ta mbush shumë synë se nuk ka emër
në Shqipëri. Sepse mirëorganizimi dhe përbashkimi me bashkëkuvendim apo
veprimtari të përbashkëta të Mërgatës e rrit frymëzimin për një qëndrim
të pastër kombëtar të shteteve Shqiptare.
Ne e shohim
mbështetjen me media dhe njëherësh vetëveprimin si një lloj fryti të
bashkëkuvendimit të përditshëm, të hapur e të lirë midis Mërgatës së
Amerikës dhe Shqiptarëve kudo.
Disa syresh mund të thonë që
Shqiptarët e Ballkanit kanë dy shtete tani e më ndryshe duket
sensibilizimi për bashkëpunim. Unë prapë them se nuk e ka në axhendë
Shqipëria Mërgatën e Shqiptarëve të Amerikës. Herë-herë zë vënd
folklorizmi dhe ahengu në Amerikë ku janë të pranishëm dhe shtetarët
Shqiptarë si mundësi promovimi e përfitimi personal të tyre. Por, po u
ftoh kombëtarizmi Shqiptar në Amerikë prej asimilimit e keqdrejtimit a
mosprogramimit të një platforme programore të përbashkët edhe ndihma
morale dhe diplomatike e Mërgatës Shqiptare për vëndlindjen do të jetë e
pakët dhe e vakët.
Historikisht Mërgata ka bërë më shumë për
Shqipërinë edhe ka patur hallet e saj bashkuese e ndarëse, që kur hyri
Zogu e Hoxha në pushtet.
Por nuk duhet të harrojmë se Amerika e
merr në konsideratë mendimin dhe vetëveprimin e Shqiptarëve të Amerikës
për fatet e kombit Shqiptar. Dhe kjo nuk do fakte. Por ajo që shohim në
realitet se çfarë ndodh me Mërgatën dhe me vëndlindjen duken gati-gati
po njëlloj.
Ka më shumë vendnumëro dhe përgjumje kur bie fjala
për të rizgjuar fuqinë e përbashkimit të Mërgatës në Amerikë. Kjo do të
ndodhë kur vetë Mërgata e Amerikës të ulet këmbëkryq me të gjithë
faktorët e saj aktivë, individë apo organizata kombëtarë dhe fetare e të
sjellë në skenën e së ardhmes Kuvendin e parë të Shqiptarëve të
Amerikës për të përcaktuar qartë prioritetet e këtij shekulli për
fuqizimin e saj dhe të Identitetit Kombëtar.
Sepse do të
frymëzojmë më shumë një ardhmëri më të kthjellët për fatin e përbashkuar
të kombit Shqiptar që i kërcënohen me ligj e presion policor simbolet
në Maqedoni, Mal të Zi dhe Serbi.
Nëse duam që me të vërtetë të
jemi në krah të Shqiptarëve të Ballkanit me aksion të plotë kombëtar,
bashkëkuvendues e bashkëveprues duhet të reflektojmë të gjithë njeherësh
në New York, Tiranë, Prishtinë dhe Shkup.
ARTUR VREKAJ
|