S'DIHET KUSH DO TA PËRFAQËSOJË KOSOVËN NË KËSHILLIN E SIGURIMIT
E Premte, 08.08.2014, 09:07am (GMT+1)
Ende nuk është vendosur se kush do ta përfaqësojë Kosovën në seancën e radhës të Këshillit të Sigurimit të OKB-së e cila do të mbahet më 25 gusht.
Në këtë seancë, Këshilli i Sigurimit do ta shqyrtojë situatën në Kosovë në bazë të raportit të rregullt të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së Ban Ki-Moon.
Zv/kryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi, i kontaktuar nga "˜Tribuna', ka thënë se Këshilli i Sigurimit është ai që vendos për nivelet e përfaqësimit.
"Ende nuk kemi vendosur se kush do ta përfaqësojë Kosovën. Këshilli i Sigurimit vendos për nivelet dhe ne sigurisht se do t'i përshtatemi. Por, varësisht edhe nga niveli i përfaqësimit të palës tjetër edhe ne do të përfaqësohemi", ka thënë Kuçi.
Ndërsa, Arber Vllahiu, këshilltar i Presidentes, në një prononcim për gazetën, ka thënë se janë duke i bashkërenduar veprimet me faktorin ndërkombëtar sa i përket çështjes së përfaqësimit.
"Janë duke u shqyrtuar të gjitha modalitetet me institucionet e Kosovës dhe në bashkërendim me ato ndërkombëtare do të vendoset për prezantimin e Kosovës në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, kurdo qe të mbahet seanca", ka thënë Vllahiu.
www.voal-online.ch
|