Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Naim Tërnava, i tha Zërit të Amerikës se e mbështetë
operacionin e policisë për arrestimin e të dyshuarve për përfshirje në
luftërat në Siri e Irak. Ai tha se terrorizimi dhe ekstremizmi nuk kanë
asgjë të përbashkët me besimin fetar islam dhe se Bashkësia Islame e
Kosovës do të bëjë gjithë çfarë është e mundur edhe në bashkëpunim me
bashkësitë tjera fetare që të ruhet toleranca ndërmjet besimeve të
ndryshme. Në intervistën dhënë korrespondentit tonë në Prishtinë, Besim
Abazi, ai bëri thirrje besimtarëve që të bashkëpunojnë me autoritetet
për të luftuar çdo kërcënim ndaj sigurisë dhe qëndrueshmërisë në Kosovë.
"‹"‹
Zëri i Amerikës: Zoti Tërnava, këtë javë filloi një
operacion në shkallë të gjerë drejtuar kundër personave të përfshirë në
luftërat në Siri dhe Irak dhe sot ka pasur të arrestuar edhe në mesin e
imamëve të Bashkësisë Islame të Kosovës. Si e shihni këtë operacion?
Naim Tërnava: Bashkësia Islame e Republikës së
Kosovës ka vite që ka qenë e shqetësuar për këso lloj aktivitetesh, të
cilat ne i kemi gjykuar qysh herët se shkojnë në dëm të vendit, në dëm
të bashkëjetesës, në dëm të tolerancës dhe vendit, në dëm të përsiatjeve
tona shekullore të përbashkëta që të arrijmë tek qëllimi final. Po
sigurisht që për këtë operacion të marrë nga institucionet e vendit, nga
policia e Kosovës, BIK ka dalë edhe me deklaratë për opinion, që ka
përkrahë dhe përkrah çdo operacion që ka të bëjë me sigurinë e vendit,
ngase Kosova, populli i Kosovës nuk guxon asnjëherë të tolerojë askënd,
pavarësisht se kush është ai, i cili synon destabilizimin e vendit dhe i
cili synon që në mesin e popullit tonë të mbjellë farën e urrejtjes dhe
të ndasisë. Po, janë marrë 40 persona, janë arrestuar dhe janë tash në
procedura të mëtutjeshme për t'u vërtetuar fajësia apo pafajësia e tyre,
që është punë të cilën e kryen gjykata dhe sigurisht që ata do ta japin
edhe fjalën e fundit në lidhje me këta të dyshuar për nxitje të
urrejtjes dhe për një rrezik për terrorizëm apo për një ekstremizëm të
mundshëm fetar. Sigurisht që ne e presim fjalën e gjykatës se çfarë do
të vendosë në lidhje me këta.
Zëri i Amerikës: Nisur nga rasti i sotëm dhe siç
kanë paralajmëruar autoritetet, hetimet përfshijnë edhe imamë që kanë
nxitur radikalizmin dhe rekrutimin e luftëtarëve që kanë shkuar në
lindjen e mesme. Cilat janë informacionet tuaja? Sa është i madh numri i
imamëve të tillë?
Naim Tërnava: BIK është përgjegjëse direkte për
nëpunësit e saj të cilët janë të shpërndarë në të gjitha pjesët e
Kosovës dhe janë imam aktiv nëpër xhamitë e Kosovës. Rasti që ka ndodhur
mbrëmë dhe ku është arrestuar një imam i vetëquajtur, në një xhami në
Gjilan, e them kështu ngase ai nuk është imam i cili ka vendim nga
BIK-u, absolutisht. Por, megjithatë, ne jemi përgjegjës për aktivitetet
që i bëjnë imamët brenda xhamisë. Derisa për aktivitetet e mundshme
bëjnë jashtë xhamisë, çfarë ata punojnë pas orarit të punës dhe ku ata
gjenden e çfarë veprojnë, ajo është punë të cilën duhet ta kryejnë
institucionet e vendit, që sigurisht ata e dinë më mirë se ne se sa janë
apo sa mund të jenë ata individë, qofshin imamë, qofshin qytetarë të
rëndomtë, kushdo qoftë ai. Sepse, sigurisht që askush, siç po themi së
paku, edhe pse nuk po ndodhë, por po themi se askush nuk mund të jetë
mbi ligjin. Se asgjë nuk ka në Kosovë më të rëndësishme sesa siguria dhe
asgjë nuk mund të dalë përtej interesave kombëtare, nacionale të kombit
tonë, ngase për këtë siguri, për këtë tolerancë dhe për këtë mirëqenie
të popullit tonë është derdhur gjak shekuj me radhë dhe sigurisht e kemi
të freskët edhe luftën e fundit sesa dëshmorë kanë shkuar që ne të jemi
këtu ku jemi, të jemi një shtet i pavarur, sigurisht që më dëshira edhe
më të mëdha që të anëtarësohemi edhe në të gjitha mekanizmat
ndërkombëtarë dhe në BE.
Zëri i Amerikës: Myftiu Tërnava, në rastet kur
dyshohet apo vërtetohet se imamë të caktuar mund të jenë të përfshirë në
veprimtari nxitëse, cilat janë masat që merr Bashkësia Islame?
Naim Tërnava: BIK deri tash ka marrë disa masa
kundër disa imamëve. Mirëpo, mund t'u them edhe njëherë se institucionet
e vendit kanë bërë shumë pak në raport me Bashkësinë Islame, ngase ne
tash e 15 vjet pas luftës ende nuk e kemi të qartë pozitën juridike të
bashkësive fetare në Kosovë, në veçanti të BIK-ut. Ende punojmë pa një
mbështetje të pozitës sonë, pa qartësimin e pozitës sonë juridike, gjë
që neve na e ka vështirësuar dhe po na e vështirëson punët në të
ardhmen. Vërtetë, tashmë kur edhe ndodhën këto arrestime, unë edhe
njëherë dua të deklarohem se po kërkohet nga BIK-u të flasë kur i është
mbyllur goja, po kërkohet nga BIK-u të ecë kur i janë lidhur dy këmbët
në mungesë të qartësimit të pozitës juridike që Bashkësia Islame të ketë
mundësi që të operojë edhe brenda saj me punëtorët e saj, kudo që ata
gjenden. Qofshin ata nëpër xhami, qofshin nëpër këshilla të bashkësive
islame, qofshin nëpër institucione të tjera të BIK-ut. Ne kemi rastin
kur kemi suspenduar imamë nga gjashtë muaj, kemi rastin kur kemi larguar
imamë tërësisht nga xhamia. Mirëpo kemi tepër vështirësi të mëdha,
sepse neve na mungon ekzekutivi në mungesë të ligjit për bashkësitë
fetare. Në kemi masa të ndryshme ndëshkuese bazuar në kushtetutën e
BIK-ut, pastaj edhe në ligjet dhe rregulloret të cilat janë brenda për
brenda BIK-ut. Dhe unë edhe njëherë deklaroj dhe kërkoj edhe nga xhemati
edhe nga opinioni i gjerë, që aty ku hetohet se dikush vepron apo nxitë
diçka kundër interesit nacional, ata të jenë të hapur, ta thonë atë dhe
të jenë shumë bashkëpunues edhe me institucionet tjera të vendit, gjë
që të keqen ta largojmë nga vetja jonë. Ngase, nëse atë e lëmë që ajo të
mbillet në trupin e shëndoshë, ajo do të ndikojë që vërtetë ta dëmtojë
edhe trupin e shëndoshë të kombit tonë dhe të vendit tonë. Unë po
shprehem edhe sot, si myfti i Republikës tash e dhjetë vjet në
vazhdimësi, e dini edhe ju si gazetar, kam kërkuar në vazhdimësi nga
institucionet e vendit që të jenë të kujdesshëm në hyrjet dhe daljet e
njerëzve të cilët kanë pasur dhe kanë për qëllim mbjelljen e urrejtjes
dhe nxitjen për vepra të liga e të këqija të xhematit tonë, në veçanti
të një pjesë të të rinjve të Kosovës. Dhe sigurisht që në këtë drejtim
është punuar, por jo edhe sa duhet dhe se bashkërisht mungon edhe një
koordinim i bollshëm mes BIK-ut dhe atyre organeve tona që janë
kompetente në luftimin e këtij problemi, i këtij fenomeni, ta quaj
kushtimisht, i cili nuk është vetëm në Kosovë por është një fenomen
tashmë mund ta quajmë global që e gjejmë kudo nëpër botë dhe i cili ka
qëllime jo të mira në raport me vetë fenë. Ekstremizmi dhe terrorizmi së
pari janë kundër vet islamit, janë kundër fesë islame, janë kundër
frymës islame, ngase islami është një fe e cila prodhon vetëm paqe,
lumturi, harmoni në mesin e njerëzve dhe nxitë në bashkëpunim njëri me
tjetrin.
Zëri i Amerikës: Gjatë operacionit të së hënës
policia mbylli edhe një xhami që u cilësua si e paligjshme dhe jashtë
juridiksionit të Bashkësisë Islame. Sa objekte të tilla sipas
informacioneve tuaja, veprojnë në Kosovë?
"‹"‹Naim Tërnava: Së pari kjo nuk ka qenë xhami. Është
mese e nevojshme që ta kuptojë opinioni i gjerë. Ajo asnjëherë nuk ka
qenë xhami. Ajo ka qenë një vend faljeje ku disa individë e kanë marrë
me qira nga dikush që nuk e di se kush është ai, nuk e di pronë e kujt
është ajo, por aty ka vite, nja pesë-gjashtë vite që aty kanë filluar në
vazhdimësi që njerëzit të falin pesë kohë të namazit, ne veçanti gjatë
muajit të Ramazanit të jetë shumë aktive. Thënë të drejtën unë në atë
xhami, po e quaj tash kushtimisht, në atë vend falje nuk kam hyrë
asnjëherë. Mirëpo, e kam parë se është jashtë juridiksionit të BIK-ut
dhe kjo na ka shtyrë neve, sepse ne e kemi vendimin nga qeveria e
Kosovës se asnjë xhami nuk mund të funksionojë jashtë juridiksionit,
jashtë ombrellës së BIK-ut.
Zëri i Amerikës: E megjithatë ka të tilla.
Naim Tërnava: Po, po e përmendi tash, pse kjo është
lejuar kaq vite që të funksionojë kështu, këtë e dinë më miri organet
tona kompetente, të cilët janë të thirrur dhe janë përgjegjës për atë.
Në si BIK në vazhdimësi kemi tërhequr vërejtjen për këtë aktivitet
jashtë BIK-ut në Kosovë. Mund të them se në Kosovë të gjitha xhamitë
janë nën ombrellën e BIK-ut. Por, po ndodhin disa, kohëve të fundit po e
shohim se ka, p.sh. një lagje fillon ta ndërtojë një xhami,
paraprakisht e merr imamin dhe për ne është tepër e vështirë pastaj ta
lëvizim atë imam prej asaj xhamie, sepse në mungesë të mbështetjes edhe
me buxhet të BIK-ut, ne po jemi të detyruar shpeshherë, sepse ne nuk
kemi mundësi t'u japim pagë mujore atyre dhe kjo pa krijojnë më tepër
vështirësi të mëdha. Në Kosovë, nuk kemi xhami të tjera, që janë jashtë
juridiksionit të BIK-ut. Mund të ketë edhe një vendfalje në një vend
tjetër e cila gati i përngjanë kësaj të ashtuquajtur xhami e cila tashmë
është mbyllur këtu në Prishtinë.
Zëri i Amerikës: Zhvillimet e fundit në Kosovë a
mund të dëmtojnë atë që është quajtur për një kohë si një prej pasurive
të mëdha të Kosovës tolerancës fetare?
Naim Tërnava: Jo a mund ta dëmtojnë, por atë e kanë
dëmtuar. Por, BIK-u ka gjetur në vazhdimësi, gjen dhe do të gjejë forcë,
motiv në bashkëpunim edhe me bashkësitë e tjera fetare në Kosovë që ta
tejkalojmë edhe këtë situatë dhe në veçanti qofshin ata imamë, qofshin
nëpunës të BIK-ut, kushdo qofshin ata, të njëmendësohen që mbi interesin
nacional, mbi interesin e Kosovës, nuk ka asgjë. Këtë e kamë thënë në
vazhdimësi, po e ritheksoj edhe njëherë. Edhe gjatë Ramazanit e kam
thënë se kjo është një "vijë e kuqe" si po e quajmë ne: sigurinë
kombëtare sigurinë nacionale nuk guxon ta prekë askush. Qoftë ai myfti,
qoftë kryetar vendi, qoftë kryeministër, qoftë qytetar i thjeshtë. Ajo
është e shenjtë dhe aty nuk guxon kush ta prekë atë. Dhe nuk guxon
askush asnjëherë që të jetë i paprekshëm në këtë drejtim kushdo qoftë
ai, kushdo qoftë ai. Mirëpo, gjithherë me fakte, gjithherë duke
vërtetuar, jo vetëm duke akuzuar njerëz pa fakte është fjala, kushdo
qofshin. Kur faktohet, atëherë meriton edhe dënimin për veprën të cilën e
ka bërë, sepse nuk guxojmë ne asnjëherë që të punojmë për interesa të
grupeve, të klaneve, për interesa të grupeve të ndryshme që mund të na
vijnë edhe nga shtete nga jashtë, siç po e shohim tash, ku ne kemi një
numër të të rinjve tanë që fatkeqësisht edhe sot gjenden në Irak dhe në
Siri. Ne që nga viti 2012 kemi ngritur zërin për mos shkuarje atje.
Disave të cilët tash kanë filluar të flasin kohëve të fundit, janë bërë
shumë, po them, kanë ngritur zërin shumë të madh në lidhje me këtë
problematikë, mirëpo ne kaherë kemi qenë vizionar, pra prej viti 2012, e
kemi parë se shkuarja atje nuk ka të bëjë asgjë me fenë. Dhe ne kemi
qenë kundër dhe jemi kundër shkuarjes atje dhe marrjes pjesë edhe ne
Irak të të ashtuquajturit një ISIS apo një lloj kalifati të rremë i cili
absolutisht nuk ka të bëjë asgjë me fenë islame, nuk ka të bëjë asgjë
me realitetin islam, nuk ka të bëjë asgjë me parimet, konditat, themelet
që i ka Islami, pra me Kuranin dhe Hadithin. BIK në vazhdimësi ka qenë
kundër kësaj është kundër saj dhe do të jetë kundër kësaj. Mirëpo, në
anën tjetër, kisha thënë edhe njëherë se kjo situatë, e cila veç është
në Kosovë, të mos shfrytëzohet që të atakohet, që të, po e shpreh kështu
më shkurt, që të shahet dhe të fyhet BIK-u dhe të mos i vishen BIK-ut
përgjegjësitë që ajo nuk i ka. Se ne nuk kemi përgjegjësi për qytetarë e
Kosovës se çfarë veprojnë ata nëpër vende të ndryshme ku ata gjenden
apo nëpër shtëpitë e tyre. Ato janë punë të shtetit. Elhamdurial prej
Zotit, e kemi shtetin. Dhe unë e ftoj shtetin edhe njëherë,
institucionet e shtetit, që vërtetë me fakte, nëse veç ka fakte të mos
hezitojë, qoftë ai edhe Naim Tërnava, qoftë ai edhe myftiu i Kosovës,
kushdo qoftë ai, të dalë e të thotë: zotëri, këtë e ke bërë. Por, jo
vetëm t'i teket dikujt, me marrë dikë dhe me fye personalitete pa asnjë
të drejtë siç po ndodhë çdo ditë tashmë nëpër portale të ndryshme
sociale, nëpër gazeta të përditshme dhe nëpër, po e them gjithherë,
nëpër disa, jo të gjitha, disa mediume të shkruara apo elektronike.
Duhet pasur kujdes në personalitete, duhet pasur kujdes ne vetë fenë,
ngase ekstremizmi është i rrezikshëm, sepse nuk ka vetëm ekstremizëm
fetar, ke ekstremizëm ekonomik, politik, kulturor e të natyrave të
ndryshme. Andaj të mos riprodhojmë ekstremizëm në fusha të tjera. Dhe të
mos e shohim "privilegj" të disa njerëzve që vetes po i japin aq të
drejtë që të gjuajnë dhe të mundohen ta njollosin BIK-un tamam si në
sistemin komunist-ateist që ka qenë në Kosovë. Por, BIK do të dijë t'i
kapërcejë edhe këto, sepse mbi interesin nacional, mbi interesin
kombëtar, mbi interesin e vendit, të atdheut, bashkësia islame nuk ka
pasur, nuk ka dhe kurrë nuk do të ketë asgjë.
Zëri i Amerikës: Shqetësimet për dëmtimin e
tolerancës fetare i ka ngritur edhe departamenti amerikan i shtetit mbi
liritë fetare në botë. Aty është përmendur edhe emri juaj. Si e
vlerësoni raportin?
Naim Tërnava: Unë mirëpres, si gjithherë raportet që
vijnë nga State departamenti amerikan. Kuptohet që vijnë nga një vend
mik i Kosovës. Nga një vend i cili ka qëndruar gjithherë krah kombit
shqiptar, ne veçanti Kosovës gjatë luftës së fundit, por edhe pas luftës
së fundit. Kosova ka një miqësi, ta quaj kushtimisht, të veçantë me
SHBA-të. Sigurisht që aty nuk ka përcaktuar asgjë raporti. Aty janë
ngritur ca dyshime për disa imam, që BIK-u i ka mirëpritur, i ka marrë, i
ka shtjelluar, është biseduar për ata, kemi nisur edhe ne të shohim se
fare ka dhe çfarë mund të ketë me ata emra që janë përmendur. Ne jemi
duke u marrë me atë problematikë. Derisa, sa i përket anës që po e
potenconi emrin tim, ngase unë nuk i ikë, pavarësisht se kush e përmend
emrin tim, unë jam një myfti i zgjedhur nga myslimanët e Kosovës dhe unë
e ndjej veten mire jashtëzakonisht ngase unë e kam pasur përkrahjen e
99 për qind të atyre që më kanë zgjedhur. Dhe edhe njëherë deklarohem se
i falënderoj të gjithë ata që kanë qenë pro zgjedhjes sime, kanë qenë
zgjedhje shumë demokratike, kanë qene zgjedhje ku prej 30 këshillave që
ka BIK-u, 29 më kanë propozuar mua që unë të jem kryetar i BIK-ut. Dhe
kjo ka shkuar në mënyrën më demokratike të mundshme. Unë nuk kam fituar
me 51 për qind, por kam fituar me 99 për qind.