Rikthehet frika se në rast të dështimit të krijimit të
institucioneve të reja dhe shkuarjes në zgjedhje, çështja e Gjykatës
Speciale do t'i kalojë në duar Këshillit të Sigurimit, raporton KTV.
Si tendencë e tillë po shihet në Kosovë edhe kërkesa e fundit e
sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki-Moon, që më së largu në
fillim të vitit të ardhshëm të funksionalizohet Gjykata Speciale, e cila
do të merret me krimet e supozuara të UÇK-së.
Naim Rashiti, nga Grupi Ndërkombëtar i Krizës, tha se nëse Kuvendi i
Kosovës nuk arrin që deri në fund të vitit të kalojë ndryshimet
kushtetuese për formimin e kësaj gjykate, atëherë ka tendencë që kjo
çështje të kalojë në dorë të Këshillit të Sigurimit.
Megjithatë, ai është i bindur se institucionet e Kosovës do të
krijohen shpejt dhe Qeveria e re e Kosovës do të negociojë marrëveshjen
me Qeverinë e Holandës e më pas atë ta miratojë Kuvendi.
Ndërkohë, analisti Artan Muhaxhiri tha se mënyra se si do të
funksionalizohet Gjykata Speciale do të jetë një test për klasën tonë
politike.