Në
Shqipëri, Këshilli Mbikqyrës i Bankës së Shqipërisë rikonfirmoi
mbështetjen ndaj Guvernatorit Ardian Fullani, pas kërkesës së një prej
anëtarëve të vet për shkarkimin e tij gjatë mbledhjes jashtë radhe të
mbajtur dje pasdite. Këshilli edhe një herë ka përsëritur se vjedhja
prej disa milion dollarësh ka ardhur si pasojë e moszbatimit të
rregullave e procedurave e jo për mungesë të tyre, ndërsa ka vlerësuar
se dhe aktiviteti i vetë Këshillit ka qenë në përputhje me ligjin
Instancat më të lartë të Bankës së Shqipërisë nuk i njohin asnjë
përgjegjësi vetes së tyre për vjedhjen prej 7 milion dollarëshe të
ndodhur nga punonjës të saj. Guvernatori Ardian Fullani ka marrë dje
mbështetjen e Këshillit Mbikqyrës, pasi një prej anëtarëve, Ermelinda
Meksi, ka kërkuar shkarkimin e tij. Të gjithë anëtarët e tjerë të
Këshillit kanë votuar dje, gjatë një mbledhjeje jashtë radhës, kundër
një propozimi të tillë, duke mbrojtur kështu edhe veprimtarinë e vet
Këshillit, ndërsa zërat, edhe nga shumica e majtë, për dorëheqjen si të
guvernatorit ashtu dhe të vetë Këshillit kanë ardhur duke u forcuar.
Në deklaratën e shpërndarë pas takimit, Këshilli ka përsëritur të
njëjtin qëndrim të mbajtur që në ditët e para pasi u bë publik lajmi i
vjedhjes. Kështu, sipas Këshillit, në përfundim të analizës mbi ngjarjen
"grupet e punës të ngritura për të bërë vlerësimin administrativ të
respektimit të procedurave, kanë arritur në përfundimin se nuk ka
shkelje ligjore nga ana e Këshillit Mbikëqyrës dhe Administratorëve, se i
gjithë kuadri ligjor dhe rregullator është i plotë dhe garanton
administrimin e aktivitetit të Bankës së Shqipërisë dhe të sektorit
bankar. Në mënyrë të veçantë, u verifikua baza rregullatore dhe ajo
proceduriale që trajton ruajtjen, përpunimin dhe sigurinë fizike të
parasë kash, nga ku konfirmohet se në vazhdimësi ajo ka qenë e
mjaftueshme për të eliminuar çdo boshllëk ligjor që mund të krijonte
keqinterpretime apo kuptime të dyfishta në lidhje me përgjegjësitë
individuale të çdo punonjësi të përfshirë".
Por pavarësisht shpjegimeve të Bankës, mbetet e paqartë se si është e
mundur, kur gjithshka, sipas Këshillit, ka qenë e mirëpërcaktuar, që
vjedhja të realizohet përgjatë më shumë se tre viteve. Edhe një herë
Banka e kufizon përgjegjësinë te një grusht i vogël punonjësish të saj
apo tek "elementi njerëzor, i cili me veprimet apo mosveprimet e tij ka
lehtësuar punën e elementit kriminal për të realizuar vjedhjen", siç
thuhet në deklaratën për mbledhjen ku rezulton se është shprehur
ndërkohë shqetësim për faktin se "në media apo në rrjetet sociale janë
hedhur në publik edhe qëndrime jo të përshtatshme apo jo të vërteta, të
cilat cenojnë kolonat institucionale mbi të cilat Banka e Shqipërisë
kryen aktivitetin e saj".
Deklarata e mbrëmshme e Këshillit Mbikqyrës përfshin një listë të
gjatë masash që janë marrë e po merren në mënyrë që ngjarje të tilla të
mos përsëriten më. I ashpër ka qenë reagimi i kryetarit të Komisionit
parlamentar të Ekonomisë Erion Braçe. Në një postim në Facebook, zoti
Braçe shkruan se "Bankën e vodhën të emëruarit e Këshillit, të
favorizuar nga papërgjegjshmëria, mospërmbushja e detyrës nga të tjerë
të emëruar po nga ju", shprehet zoti Braçe duke ju drejtuar Këshillit e
duke paralajmëruar se për këtë çështje do të përballet me parlamentin.