Ministrat e Jashtëm nga më shumë se 50 vende morën pjesë në mbledhjen vjetore
prej dy ditësh të Organizatës për Sigurim dhe Bashkpunim në Evropë (OSBE) që u
mbajt në Dublin të Irlandës, të enjten dhe të premten e javës që kaloi. Në
mbledhjen ministrore prej dy ditësh, Kryetari i radhës i Organizatës për
Sigurim dhe Bashkpunim në Evropë, zëvendës kryeministri dhe ministri i jashtëm
irlandez, Eamon Gilmore njoftoi se ministrat e punëve të jashtme të 57 vendeve
pjesëmarrëse kanë rënë dakord për projekt planet e ardhëshme të OSBE-s, duke
thënë se ''kemi arritur një marrëveshje për një proces për të forcuar dhe për
të ri-ngjallur organizatën e OSBE-së tani e deri në vitin 2015, viti që shënon
40-vjetorin e Marrveshjes përfundimtare të Helsinkit.'' Sekretari i Përgjithshëm
i OSBE-së, Lamberto Zannier e mirëpriti marrëveshjen duke e cilësuar atë si një
bazë të mirë për të përcaktuar vizionin e kësaj organizate për fazën e
ardhëshme të veprimtarisë së saj, duke e aftësuar OSBE-në të përballohet në
mënyrë më efektive me sfidat e reja ndaj sigurimit rajonal.
Siç dihet, Marrveshja e Helsinkit e vitit 1975 ishte dokumenti bazë që themeloi
OSBE-në dhe njëra prej marrveshjeve kryesore që konsiderohet të ketë ndihmuar
në dhënjen fund të luftës së ftohët. Por roli i saj pas rënjes së Murit të
Berlinit ka rënë ndjeshëm, ndërkohë që roli i organizatave si Bashkimi Evropian
dhe NATO është shtuar gjatë dy dekadave të fundit.
Megjithse Ministri i jashtëm irlandez, Z. Gilmore, si kryetar i OSBE-së
mirëpriti marrëveshjen e arritur për projekt-planet e organizatës për tre vitet
e ardhëshëm, ai në të njëjtën kohë shprehu keqardhjen e tij në lidhje me
''mungesën e një marrëveshjeje mbi vendimet që kanë të bëjnë me të drejtat e
njeriut.'' Por ai u tha delegatëve se ajo që është ''shumë shqetsuese është
realiteti trishtues se respekti për të drejtat e njeriut dhe për liritë
themelore është tani më i kërcënuar se përpara në shumë vende të rajonit të
OSBE-së''.
Ironia e këtij komenti është se ai iu drejtua ministrave të jashtëm të vendeve
anëtare të një organizate, misjoni i së cilës është për të promovuar dhe për të
mbrojtur të drejtat e njeriut anë e mbanë zonës së OSBE-së. Ndërkaq, nuk është
aspak e rastit atëherë, kur Sekretarja amerikane e shtetit, Hillari Klinton në
njërën që mund të jetë prej mbledhjeve të fundit ndërkombëtare që ajo merr
pjesë para se të largohet nga detyra muajin që vjen, shprehu shqetsimet e saj
mbi të ardhmen e OSBE-së, duke thënë se 20-vjetë pas luftës së ftohët, ''mbetet
pa u kryer puna për një Evropë të tërë, të lirë dhe në paqë'', dhe njëkohësisht
theksoi ''shqetësimin e saj në rritje e sipër për të ardhmen e kësaj organizate
dhe të vlerave që ajo ka promovuar'', për pothuaj 40-vjetë.
Hillari Klinton me Ministrin e Jashtëm irlandez Gilmore
Para se të fliste para ministrave të jashtëm të OSBE-së, Hillari Klinton u
takua me përfaqsues të shoqërive civile nga disa vende anëtare të kësaj
organizate, të cilët e informuan Zonjën Klinton mbi abuzimet e të drejtave të
njeriut në vendet e tyre. Sekretarja amerikane e shtetit ishte dakord me
përfaqsuesit e shoqërive civile se ''hapësira për veprimtarinë e tyre po
ngushtohej dhe mbrojtja e të drejtave të njeriut dhe lirive bazë ka rënë
gjithashtu dhe se qeveritë janë duke u treguar më agresive ndaj
kundërshtarëve.'' Zonja Klinton foli posaçërisht kundër vendosjes së kufizimeve
të reja ndaj të drejtave të njeriut në disa ish-shtete sovjetike, duke
kritikuar në veçanti qeverinë ruse për kriminalizimin e ndihmave të huaja për
organizatat e të drejtave të njeriut dhe të shoqërisë civile në Rusi.
Por akuzat më të forta, zyrtarja e lartë e Shteteve të Bashkuara i rezervoi për
Rusinë pak para takimit të saj me Ministrin e jashtëm rus Sergei Lavrov. Duke
përdorur gjuhën më të ashpër që ka përdorur administrata e presidentit Obama gjatë
katër viteve të fundit ndaj Moskës, Sekretarja e amerikane e shtetit
paralajmëroi delegatët duke kritikuar ashpër ato që ajo quajti, ''përpjekje për
të sovjetizuar rishtas rajonin'', një referencë këjo ndaj planeve të Moskës për
të krijuar një bashkim të ri tregtar midis Rusisë dhe ish- shteteve satelitë
sovjetikë, ose një të ashtuquajtur Bashkim euro-aziatik. Ajo shtoi se Shtetet e
Bashkuara janë duke marrë masa për të ngadalësuar ose për të penguar këtë
proces''. Madje, ajo tërhoqi vëmendjen edhe ndaj disa zhvillimeve, sipas saj,
"shqetësuese'' në fushën e të drejtave të njeriut dhe të zhvillimeve
demokratike në disa vende anëtare të Bashkimit Evropian dhe NATO, dhe shtoi se
''ia vlenë t'ia kujtojmë vet-vetes se secili vend anëtar (i OSBE-së) --përfshirë
edhe Shtetet e Bashkuara -- kanë hapësirë për përmirësim'', në këtë fushë.
Megjithë kritikat e ashpëra ndaj disa vendeve anëtare të OSBE-së dhe mungesës
së përparimit në fushën e të drejtave të njeriut dhe të zhvillimeve demokratike
në radhët e shteteve anëtare të kësaj organizate, Sekretarja Amerikane e
Shtetit, Hillari Klinton në emër të vendit të saj, tha se ''Shtetet e Bashkuara
mbeten të angazhuara ndaj objektivit për një Evropë të tërë, të lirë dhe në
paqe, si edhe ndaj parimeve të OSBE-së'', dhe njëherazi u bëri thirrje
ministrave të jashtëm të vendeve anëtare, që të ''zbatojmë dhe jo të minojmë
angazhimet dhe zotimet që i kemi bërë njeri tjetrit dhe qytetarëve tanë'', për
të mbrojtur dhe për të promovuar të drejtat e njeriut dhe zhvillimet demokratike
anë e mbanë eurozonës.
Kështuqë, përfundoi Zonja Klinton, ''ndërsa po i afrohemi 40-vjetorit të
nënshkrimit të Marrveshjes së Helsinkit, ka ardhur koha që OSBE-ja të veshë
edhe njëherë mantelin e udhëheqjes për të zgjëruar kufijtë e të drejtave të njeriut
dhe dinjitetit njerëzor dhe për të ripohuar prapë vlerat dhe parimet që kanë
udhëhequr këtë organizatë ç'prej themelimit të saj''.
Ministrat e jashtëm të vendeve anëtare të OSBE-s në takimin e tyre në Dublin,
javën që kaloi.