VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - DUELI ENERGJITIK RUSI-SHBA NË PRAGËNga SHABAN MURATI

                                                                                      

E Djelë, 12.08.2024, 10:14am (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
OPINONE-EDITORIALE
 
DUELI ENERGJITIK RUSI-SHBA NË PRAGË
Nga SHABAN MURATI

E Hënë, 12.10.2012, 04:44pm (GMT+1)




Naivët e fundit, që besonin se privatizimet strategjike janë dhoma vakuumi teknik e financiar, duhet të kenë dhënë dorëheqjen, kur mësuan axhendën e vizitës së shefes së diplomacisë amerikane në Pragë më 3 dhjetor. Qëllimi kryesor i kësaj vizite dhe i bisedimeve me krerët e shtetit në Republikën Çeke ishte lobimi i hapur, që tenderin e organizuar nga kompania e madhe shtetërore çeke CEZ për ndërtimin e dy reaktorëve në centralin bërthamor të prodhimit të energjisë elektrike në Temelin, ta fitonte kompania e mirënjohur amerikane "Westinghouse electric". Hilari Klinton deklaroi në Pragë se SHBA-të e kanë bërë energjinë një prioritet në diplomaci, se nuk kemi ndrojtje të bëjmë presion për rastin e "Westinghouse", se populli çek meriton një siguri më të madhe energjetike dhe se SHBA-të inkurajojnë Republikën Çeke të diversifikojë burimet e saj energjetike, që do të thotë një pakësim i varësisë nga Rusia.

Ndërhyrja e diplomacisë amerikane në nivelin më të lartë për të këshilluar një shtet aleat anëtar të NATO-s që të bëjë zgjedhjen e duhur strategjike shënon një faqe të re të luftës energjetike dhe gjeopolitike, që zhvillohet mes SHBA-ve dhe BE-së nga njëra anë, dhe Rusisë nga ana tjetër. Është një rivalitet i papushuar strategjik për sigurinë e burimeve jetike, sepse varësia energjetike e bën çdo shtet anëtar të NATO-s dhe të BE-së tepër të brishtë përballë presionit dhe influencës ruse. Tenderi i ndërtimit të dy reaktorëve të rinj atomikë, që ka organizuar qeveria çeke, dhe e cila do ta shpallë fituesin në vitin 2013, ka nxjerrë në finishin e tij dy kompani të mëdha, njëra amerikane "Westinghouse" dhe tjetra ruse "Atomstrojexport". Në mënyrë sinjifikative kemi një garë energjetike, të shndërruar në duel mes SHBA-ve dhe Rusisë, rezultati i së cilës do të ketë pasojat e veta pozitive ose negative në politikën dhe në sigurinë energjetike të Republikës Çeke. Nuk është fjala vetëm për vlerën e këtij ndërtimi, i cili kap shifrën prej 8-12 miliardë eurosh, por është fjala për fatin e një tenderi, i cili do të prodhojë pozita ndikimi në tregun energjetik të Republikës Çeke. Po të mbajmë parasysh se Republika Çeke është eksportuesi i tretë më i madh në Europë i energjisë elektrike, del akoma më në pah rëndësia, sepse nëse e fiton Rusia, ajo do të sigurojë një dominim edhe në tregun europian të energjisë elektrike. Rezultati i tenderit mund të ketë ndikim edhe në një drejtim tjetër, atë të shtrirjes në tregun energjetik europian, sepse reaktorë bërthamorë për prodhimin e energjisë elektrike parashikohet të ndërtohen edhe në Poloni e në Britaninë e Madhe.

Rusia, e cila me presidentin Vladimir Putin, i ka hyrë që në vitin 2000 rrugës së ringjalljes së ndikimit dhe rolit, që kishte dikur superfuqia sovjetike në Europë dhe në botë, ka prioritarizuar mënyrën e penetrimit dhe të monopolit energjetik në kontinentin europian. Diplomacia e saj e dikurshme ushtarake është zëvendësuar me diplomacinë energjetike, e cila nëpërmjet gazit dhe naftës, nëpërmjet vartësisë së shteteve europiane nga burimet energjetike ruse, ka arritur të sigurojë një pozicion strategjik ndikues në kontinentin europian. Pozita dominuese, që Rusia ka krijuar dhe po krijon në nevojat energjetike europiane dhe në tregun europian të gazit, përmes ndërtimit të gazsjellësit "North Stream" në veri të kontinentit dhe ndërtimit në juglindje të Europës të gazsjellësit "South Stream", punimet e të cilit i përuroi presidenti V.Putin në 7 dhjetor, ka prodhuar një avantazh strategjik për Rusinë që të sigurojë, tani dhe në të ardhmen, një instrument presioni ekonomik, energjetik dhe politik mbi shtetet konsumatore të gazit rus. Krahas gazit dhe naftës, Rusia po punon të arrijë pozicione dominuese edhe në tregun e energjisë elektrike dhe jo rastësisht është synuar Republika Çeke si një eksportues i madh europian i kësaj energjie.

Duke ndjekur taktikën e kapjes së shkallëve të monopolit të tregut europian të energjisë një nga një, Rusia ka siguruar një peshë të madhe dhe pozitë kontrolli në burimet energjetike të vendeve europiane. Këto shkallë po ndihmojnë zgjerimin e ekspansionit energjetik dhe ekonomik rus. Republika Çeke plotëson me importet nga Rusia 60 për qind të nevojave për naftë, 75 për qind të nevojave për gaz dhe 100 për qind të lëndës së parë bërthamore, që i duhet për centralet ekzistuese bërthamore të saj. Këto parametra shënojnë një formë varësie të madhe energjetike, e cila e ngushton hapësirën e lirisë së veprimit dhe të vendimmarrjes së këtij shteti për diversifikimin e burimeve të energjisë. Rusia ka përdorur dhe po përdor të gjitha format e hapura dhe të fshehura të ndërhyrjes për të siguruar fitoren e tenderit të Temelinit. Gazeta çeke "Ekonom" shkruante në 11 tetor se rusët dhe amerikanët janë përfshirë në një garë, ku janë angazhuar politikanë, lobistë dhe shërbimet sekrete. Gazeta njofton se, në një raport vitin e kaluar, shërbimi çek i kundërzbulimit, BIS, tërhiqte vëmendjen se për rastin e Temelinit shërbimet sekrete ruse kanë qenë dominuar nga çështjet ekonomike dhe se oficerët e shërbimeve sekrete ruse janë përpjekur të forcojnë kontaktet e vjetra dhe të krijojnë kontakte të reja në Republikën Çeke.

Moska ka vënë në lëvizje lidhjet e saj të vjetra politike dhe të llojeve të ndryshme, të cilat datojnë nga koha kur Çekosllovakia ishte pjesë e Traktatit të Varshavës të sunduar nga Moska. Lobi rus në Pragë është i pranishëm në nivele të larta të politikës dhe ka intensifikuar veprimtarinë për tenderin e Temelinit. Një konfuzion duket se qarkullon edhe në qeverinë çeke. Presidenti çek Vaclav Klaus deklaronte vitin e kaluar, pas takimeve me Dimitri Medvedevin, se rusët ofrojnë një proporcion më të madh oportunitetesh për kompanitë çeke si nënkontraktore. Është e njohur se kompania e madhe ruse e naftës "Lukoil" ka financuar botimin në gjuhën ruse të librit të presidentit çek. Në 4 dhjetor, gazeta çeke "Pravo" shkruante se "deklaratat e ministrit të Industrisë, Martin Kuba, tregojnë se ministri mund të jetë mbështetës i ofertës ruse".

Për ta kamufluar më mirë ofensivën e tyre për tenderin, rusët dhe lobistët prorusë në Pragë po e paraqesin kompaninë konkurruese ruse sikur është ruso-çeke, meqë ka angazhuar dhe kompaninë "Skoda JS". Por pavarësisht se selia e "Skoda JS" është në Pragë, pronarja e saj është kompania e madhe ruse OMZ. Kompania konkurruese ruse "Atomstrojexport" nënshkroi këto ditë edhe një marrëveshje me dhjetë kompani çeke dhe sllovake për t'i angazhuar ato si nënkontraktore, nëse fiton tenderin. Kjo bëhet për të rritur presionin mbi qeverinë nga biznesi dhe nga opinioni publik, me argumentin se rusët do të krijojnë më shumë vende pune për çekët se sa amerikanët.

Përplasja e interesave gjeopolitike shoqëron në mënyrë të qartë garën për të fituar tenderin e ndërtimit të reaktorëve të rinj atomikë në Republikën Çeke. Nëse qeveria do të vendosë t"˜ia japë Rusisë, kjo do të sillte shumë të panjohura dhe pasiguri për vendin. Sepse mundësitë e uljes së çelësave nga Moska për forma të ndryshme të energjisë do të ishin më të mëdha dhe Rusia do të dispononte më shumë mjete presioni politik ndaj një shteti anëtar të NATO-s. Ka një provë shumë të fortë në këtë drejtim, kur në vitin 2008 Rusia i preu pothuajse fare furnizimet me naftë për Republikën Çeke, në shenjë hakmarrjeje dhe shantazhi për marrëveshjen e nënshkruar nga Praga me Uashingtonin për vendosjen e elementëve të sistemit të mburojës antiraketë në Republikën Çeke.
Çështja e tenderit të reaktorëve bërthamorë në Republikën Çeke evidenton dy probleme të mëdha të karakterit gjeopolitik dhe strategjik:
E para, që tenderat e privatizimeve të sektorëve apo objekteve të rëndësishme strategjike nuk janë dhe nuk mund të trajtohen vetëm në parametra financiarë dhe teknikë. Në to gërshetohen interesa dhe strategji depërtuese të kompanive të mëdha të shteteve, që kanë objektiva për penetrimin dhe për zgjerimin e sferës së influencës së shtetit të origjinës.

Së dyti, që anëtarësimi në NATO dhe në BE nuk është mbrojtje automatike nga rreziqet dhe kërcënimet e rreziqeve të penetrimit dhe të influencave të fuqive rivale apo jomiqësore ndaj NATO-s dhe BE-së. Nëse njëra apo tjetra qeveri e një shteti anëtar, me ndërgjegje ose për arsye korruptive, tregohet neglizhente në privatizimet strategjike, karta e anëtarësisë atlantike e humbet fuqinë mbrojtëse. Vendet e NATO-s dhe të BE-së janë vazhdimisht të ekspozuara ndaj një kërcënimi të depërtimit në forma të ndryshme në sektorët jetikë të influencës dhe të kontrollit nga fuqi jashtë NATO-s, siç është Rusia. Nuk është rastësi që Moska po intensifikon dhe po sofistikon format e presionit të drejtpërdrejtë mbi shtete të ndryshme të NATO-s dhe të BE-së, që kanë nevoja energjetike. Po e shohim në rastin e Republikës Çeke, po e shohim edhe në rastin e Greqisë, ku "Gazprom"-i rus dhe qeveria ruse po bëjnë presion mbi qeverinë greke që, nëse nuk i jep tenderin e kompanisë së madhe shtetërore greke të gazit DEPA, Rusia mund ta fshijë Greqinë nga harta e projektit të gazsjellësit "South Stream", që parashikon një degëzim të kalojë nga Greqia për në Itali.

Dueli energjetik dhe gjeopolitik mes Rusisë dhe SHBA-ve në Republikën Çeke është një zhvillim, që ka interes dhe reperkusione për arkitekturën energjetike dhe të sigurisë së organizatës së NATO-s, sepse siguria energjetike përbën një nga shtyllat kurrizore të sigurisë kombëtare të çdo shteti. Jo rastësisht sekretarja amerikane e shtetit deklaroi në Pragë se mesazhi i saj i rëndësishëm është për të gjithë aleatët tanë europianë. Nga këto zhvillime duhet të nxjerrë mësime edhe diplomacia, edhe qeveria shqiptare, në lidhje me privatizimet strategjike, sepse dorëzimi i sektorëve jetikë në dhomat e butonëve në Moskë apo në Beograd mund t'i kushtojë tepër shtrenjtë sigurisë kombëtare të Shqipërisë.


SHABAN MURATI


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
MBLEDHJA VJETORE E OSBE-SË NË DUBLIN DHE PARALAJMËRIMI I HILLARI KLINTONITNga FRANK SHKRELI (12.10.2012)
KUR SHKRUHET KUNDËR PUSHTETITNga ROBERTO SAVIANO, La Repubblica (12.09.2012)
ME PROGRAM TË QARTË PËR PËRFAQËSIMIN DHE ARDHMËRINE E SHQIPTARISËNga ARTUR VREKAJ, WORCESTER, MA-SHBA (12.09.2012)
100 VITET E VATRËS DHE 100 VITET E PAVARËSISËNga DALIP GRECA* (12.08.2012)
BE ME REFUZIMIN E TRETË, NXJERR JASHTË LOJE SI SHKAKTARE KLASËN POLITIKE TË SHQIPËRISËNga ELIDA BUÇPAPAJ (12.07.2012)
NJË MARRËVESHJE E TREGTISË SË LIRË ME EVROPËN?Nga DAVID IGNATIUS, Washington Post (12.07.2012)
NGA BERISHA DHE RAMA VJEN SHOW POLITIK DHE INFANTILIZËM SHTETFORMUESNga ELIDA BUÇPAPAJ (12.05.2012)
NDERIME IBRAHIM RUGOVËSNga FRANK SHKRELI (12.05.2012)
KULTI I MBIPUSHTETIT DHE I MBISHËNDETITNga SHABAN MURATI (12.03.2012)
PËRKATËSIA PERËNDIMORE E SHQIPTARËVEJusuf BUXHOVI -- KOSOVA -- Perandoria Osmane(Me rastin e promovimit të tre vëllimeve mbi historinë e Kosovës, New York 1 Dhjetor 2012)Nga FRANK SHKRELI (12.02.2012)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Dhjetor 2024  
D H M M E P S
1 2 3 4 5 6 7
8 9 10 11 12 13 14
15 16 17 18 19 20 21
22 23 24 25 26 27 28
29 30 31        
 
::| Hot News
PËRMBYTJET NË SHQIPËRI - QEVERIA THOTË SE GJENDJA ËSHTË KRITIKE, KËRKON NDIHMË NGA BRUKSELI
ARVIZU - PRESIM QË DREJTËSIA SHQIPTARE TË DËNOJË TRAFIKANTËT E NJERËZVE
NATO NUK MUND TË NDIHMOJË NË KRIJIMIN E USHTRISË NË KOSOVË
GJERMANIA, FRANCA, BRITANIA E MADHE, HOLLANDA DHE DANIMARKA KUNDËR STATUSIT TË VENDIT KANDIDAT PËR SHQIPËRINË
THAÇI PARALAJMËRON ZGJEDHJEN E PRESIDENTIT GJATË JAVËS SË ARDHSHME
MISIONI MISHELËNga MICHELLE OBAMA, Newsweek
BABAI E NJEH MË MIRËNga THOMAS L. FRIEDMAN, New York Times
NATO dhe BE borxhlinj ndaj Kosovës ?Nga Elida Buçpapaj

 
VOAL
[Shko lartë]