Si çdo vit edhe sivjet, organizata Freedom House (Fridëm Haus), një organizatë
kjo e pavarur me qendër në Washington, misioni i së cilës është zgjerimi i
lirisë anembanë botës, mbështetja e zhvillimeve demokratike dhe mbrojtja e të
drejtave të njeriut, botoi raportin vjetor për këtë vit në të cilin vlerësohen
liria dhe zhvillimet demokratike ose mungesa e tyre anembanë botës.
Në njoftimin për media me rastin e botimit të raportit për vitin 2013, Freedom
House thotë se raporti i sivjetëm mbi "Lirinë në Botë'' tregon se për të
shtatin vit me radhë, liria në botë gjatë vitit që kaloi ka shënuar më shumë
rënie se sa zgjerim. Për më tepër, thekson raporti, të dhënat e raportit
tregojnë dhe pasqyrojnë ndërmarrjen e një fushate persekutimesh në rritje e
sipër nga diktatorët anembanë botës, kundër lirisë dhe të drejtave të
njeriut, veçanërisht drejtuar kundër orgnaizatave të shoqërisë civile dhe
medias së pavarur. Arç Pudington, nëndrejtor për kërkime i Freedom House tha se
të dhënat e mbledhura nga organizata e tij, venë në dukje se, ''autoritarët
modernë po bëhen më të sofistikuar'', duke shtuar se megjithëse ata ,
''tregohen më të kuptueshëm, ata shtrëmbërojnë dhe abuzojnë me kornizat ligjore
dhe i përshtaten kollaj teknikave të propagandës moderne.'' Ai shton se,
''Sidomos ç'prej Pranverës Arabe, ata (diktatorët) janë nervozë nga lëvizjet
popullore për liri e demokraci, gjë që çon në intensifikimin dhe persekutimin
nga ana e tyre, të lëvizjeve popullore për ndryshim''.
Raporti flet për rënie të dukshme të lirisë gjatë vitit që kaloi, ndër të
tjera, në Kazakistan, Kenia, Mali, Nigeri dhe në zonën evropiane, përmenden
Rusia, Turqia dhe Ukraina, si vendet ku është shënuar një rënie e dukshme e
lirive civile në përgjithësi. Freedom House thotë se të dhënat mbi gjendjen e
lirisë ishin posaçërisht ogurzeza për disa vende të Euroazisë. Rusia, thuhet në
raport, ka marrë një drejtim vendosmërisht për më keq ç'prej se Vladimir
Putini është kthyer në detyrën e presidentit. Freedom House thotë se pasi ai
anashkaloi dhe margjinalizoi opozitën formale politike, Putini dekretoi një
numër ligjesh që kanë për qëllim t'i marrin frymën opozitës në rritje e sipër
nga grupe të ndryshme të shoqërisë civile. Dekretet e reja të imponuara nga
udhëheqsi rus Putin, sipas Freedom House, vendosin dënime të rënda për bërjen e
demonstratave të paautorizuara, dhe u kufizojnë grupeve të shoqërisë civile të
drejtën që të mbledhin fonde për veprimtarinë e tyre dhe në të njëjtën kohë,
vendosin kontrolle te reja mbi përdorimin e internetit në Rusi. Si përfundim,
thuhet në raport, e gjithë zona e ish- Bashkimit Sovjetik, me përjashtim të tri
vendeve baltike, rivalizon Lindjen e Mesme, si njëra prej zonave më shtypëse e
lirive në botë, ku udhëheqësit autokratë qeverisin në shumicën e 12-vendeve të atij
rajoni, duke e bërë këtë si një ndër rajonet më pak të lira në botë.
Ndërsa theksohet se shtypjet e lirisë po shtohen dukshëm në një numër vendesh
anembanë botës, raporti i Freedom House u bën thirrje Shteteve të Bashkuara
dhe vendeve të tjera demokratike që të tregojnë udhëheqje më të vendosur në
luftën për liri e demokraci. Raporti kritikon administratën amerikane të
Presidentit Barak Obama si edhe opozitën Republikane për dështimin e tyre që të
tregohen udhëheqës në përpjekjet për zgjerimin e lirisë dhe të demokracisë anembanë botës. Presidenti i Freedom House, David Kramer, tha në lidhje me këtë
se ''nga e kaluara kemi mësuar se normalisht liria sigurohet me pjesëmarrjen
dhe mbështetjen aktive të vendeve demokratike, siç janë Shtetet e Bashkuara të
Amerikës dhe vendet evropiane. Dhe ndërkohë që këto vende kanë vendosur të mos
jenë pjesë e përpjekjeve për sigurimin e lirisë në botë, atëherë, rezultati
zakonisht është humbja dhe shtypja e lirisë kudo në botë''.
Është ironik fakti, sipas Freedom House, se ky mos interesim nga vendet
demokratike perëndimore në mbështetje të lirisë anembanë botës po ndodh në
një kohë kur rezistenca kundër shtypjeve anembanë botës, është më e madhe se
kurdoherë tjetër.
Thuhet në raport se disidentët anti-komunistë të cilët
luftuan për të drejtat e njeriut dhe për liritë themelore gjatë Luftës së
Ftohtë -- shpesh të izoluar dhe anonimë -- janë zëvendësuar tani me lëvizje të
cilat gëzojnë përkrahje nga shtresa të dukshme të shoqërisë.
Në lidhje me Evropën Perëndimore dhe Shtetet e Bashkuara raporti i Freedom
House thotë se, megjithëse këto vende vazhdojnë të jenë të mbërthyera nga kriza
ekonomike, ndërkohë që Evropa gjatë vitit të kaluar ka parë një rritje të
dukshme të ndjenjave nacionaliste si përfundim i rritjes së fluksit në numrin
e emigrantëve, këto vende, megjithë këto sfida, kanë mundur të përballen me këto
probleme pa dobësuar respektin tradicional për standardet demokratike dhe
liritë civile në këto vende.
Freedom House, Shqipërinë dhe Kosovën i rendit midis 58-shteteve të botës duke
i vlerësuar ato si vende me liri të pjesëshme, kategori kjo që -- sipas
Freedom House, është një vend në të cilin mbizotëron një respekt i kufizuar për
të drejtat politike dhe liritë civile dhe një vend i cili shpesh vuan nga një
ambjent korrupsioni dhe nga një regjim i dobët ligjor.