«Nenikékamen» (fituam) bërtiti korrieri që kishte vrapuar nga Maratona në
Athinë për ta sjell lajmin për «fitoren» e grekëve ndaj persëve dhe ra përtokë,
vdiq. Kështu duket shqiptari që nga dita e rënies së komunizmit; që nga dita e
çlirimit të Kosovës.
Kohë bilancesh. Jo në stilin broshuresk të Sami Frashërit «ç'kemi qenë, ç'jemi
e ç'do të bëhemi», por më shumë ç'sjanë e çka dëshirojnë shqiptarët; ata nuk
janë dashnor të realitetit që kanë. E urrejnë atë. E çmontojnë përditë, madje e
kishin këmbyer edhe me sekuencat më banale virtuale. Dëshirojnë më të mirin
pushtet në botë pa u obliguar për një pushtet më të mirë ndaj vetes, në shtëpi,
në mentalitetin individual, familjar, grupor. Mendësi paradoksale. Kërkojnë të
pamundurën? Jo, dëshirojnë minimalen e së mundshmes që në qytetin real të të
urtit amerikan David K. Lewis (Plurality of Worlds 1986, Blackwell) janë
praktikë jo vetëm filozofike; atë copë lirie që kanë duan të jetë e
dinjitetshme. Dhe siç thoshte shkrimtari gjerman Peter Bamm (Adami dhe majmuni,
1969) «një dëshirë s'ka ç' humb përveç vetes kur realizohet». Sa reale janë dëshirat shqiptare? Mbase nuk i kuptojmë
dot ëndrrat pa realitetin: Si duket ai?
phidippides
Nga njëra anë përparimet!
Në krahasim me shoqëritë përreth inteligjencia e përfillur nga mediat debaton
suksesshëm çdo tabu; as përballë çështjeve seksuale nuk druhet më. Historia e
humbi virgjëritetin e saj sakral dhe diskutohet racionalisht si në gjithë atë
botën e çliruar nga lugetërit e nëntokave muzeale. Denoncohen pafrikshëm politikanët
afektivë bashkë me mushkarët e tyre në terren. Mediat kosovare (kryesoret së
paku) nuk heshtin më para krimit as atëherë kur kryepatriarku i fisit më të
madh të vendit kërcënon me gisht revolverashi. Shkrimtarë, poetë, piktorë dhe
krijues të zhanreve të ndryshme deri dje të modës kanë pensionuar
«vullnetarisht» lapsat e tyre për ta sabotuar traditën monotone socrealiste,
kështu duke u hapur rrugë atyre pak autorëve që i kemi të rrallë e përmallë. E
ata tash e kanë fjalën: me veprat e tyre do - Beqë Cufaj si shembull
konkret qësot kanë përlarë e shpuar këndej e përtej murrët e «Europa
universalis» it me mesazhe estetike të origjinës shqiptare. Në klubet e
ajkave nuk hyhet më vetëm me pasaportë klanesh por edhe me individualitet.
Grykësve u është zënë fyti me tarifën që morën nga masat; iu tha manifestueshëm
se nuk gëzojnë asnjë privilegj më shumë se sa i vdekshmi, i zakonshmi tjetër pa
asnjë qindarkë në xhep.
Nga ana tjetër dështimet!
«Nenikékamen» (fituam) bërtiti korrieri që kishte vrapuar nga Maratona në
Athinë për ta sjell lajmin për «fitoren» e grekëve ndaj persëve dhe ra përtokë,
vdiq. Kështu na duket shqiptari që nga dita e rënies së komunizmit; që nga dita
e çlirimit të Kosovës. Ai fitoi lirinë për të vdekur çdo ditë nga mjerimi, nga keqtrajtimi,
nga ngulfatja politike. Demokracia ecë si një adaxhio në ato gramafonat
defektuoz, zëprishur të paraluftës së dytë. Politikani dhe gazetari bëjnë lojën
e maces me miun: njëri maskon, tjetri demaskon, i treti plaçkit i fundit
ulërinë dhe humb zërin pa e dëgjuar kush. Ka edhe politikanë të pafajshëm që
distancohen nga fabrika mizantropike pushtetare, të atillë që harrojnë të bëhen
të sinqertë deri në fund duke pranuar se janë dekor, trumpakët ushtarë të po
atij legjioni ditëvrasës si të tjerët.
Qytetari me fytyrë të përplasur për ndonjë rrëpire ta çon mallin e atyre
artefakteve arkeologjike që besojmë të na i kenë lënë dinozaurët me plisa
testament: në portretin e tij e shohim historinë e nesërme të pushteteve të
sotme. Shkrimtarët, intelektualët, akademitë nuk arrijnë ta gjejnë përgjigjen
ndaj psesë ontologjike; pse janë pikërisht në këtë epokë? Nuk dinë dhe nuk e
pranojnë që iu mungon kapaciteti të dekodojnë realitetin. E
kur nuk pranon, nuk ndryshon, nuk mëson, ke jetuar dhe vdes kot.
Në thellësia e frymës dëshirat!
Të përshkruash anatominë e dëshirave është e njëjte sikur të bëhesh autor i
«Uchronia: The Alternate History List» të motivuar nga psikanalitiku Immanuel
Velikovsky (18951979). Kjo metodë kontrafaktike tashmë e adaptuar, qëllimisht
akronike është bërë seminar permanent akademik për diagnostikët e kohës,
sidomos atyre që duan të lexojnë dëshirat (edhe historike) e masave. Në thelb
qëndron pyetja; si do të ishte sikur? Me këtë pyetje ia nisim maratonës së
spekulimeve: Si do të ishte sikur shqiptarët ta bënin vetëkritikën parim të
reflektimit të tyre; çka do të ndodhte nëse mediat e Tiranës do t'i lejonin
opinionet vetëm si shoqëruese hulumtimesh faktike si bëhet në ca pjesë të
botës duke mos luajtur më rolin e prokurorit që shpif ose maskon. Si do të
ishte nëse mediat e Prishtinës kohë pas kohe do të përjashtonin vullnetarisht
edhe snobizmin e ca opinionistëve të tyre nga epiqendra, sikur me të drejtë ua
bënë politikanëve në numrat e tyre festiv qoftë edhe për hir të regjenerimit
intelektual, moral ose së paku duke i përshkruar lexuesit krimin me fakte në
vend të bërtitjes tashmë neveritëse «Ja krimineli, kapeni, vritnja, mbytnja». A
do t'iu emigronte letra gazetave të Shkupit sikur ta sabotonin vijën mendore
njëdimensionale, qoftë ajo edhe më e përkryera? A do të rrëzohej kryeministri
kosovar nga froni i tij bodrumor nëse do ta fillonte një debat të
drejtpërdrejte e tradicional me kritikët e tij më të rreptë? A do tua përlyenin
laraskat kollaret ministrave nëse ata do të uleshin me grupet e shoqërisë
civile për të kërkuar zgjidhjen e problemeve të shumta, madje edhe të atyre që
nga padija i fabrikojnë për çdo ditë vetë? Do të mëplakej kryeministri i
Shqipërisë nëse në institucione kërkon mendjet produktive, integruese në vend të
suflerëve, servilëve dhe mbarsëve të infantilitetit politik? Çka do të humbte
shqiptari nëse dëshirën nuk e mat me xhepin personal por edhe me nevojën e
skamnorit pranë? Çka do të kishte ndodhur sikur shqiptarët ta pensiononin
krenarinë e tyre për ca vite dhe të pranonin pa smirë të mësojnë nga të
suksesshmit, jo të përkryerit që nuk ekzistojnë, por nga ata që nuk kanë ende
probleme të kuptojnë se si instalohet demokracia, si gëzohet liria dhe si
respektohet tjetri.
Apeli si shteg i vetëm
Në fakt lista e dëshirave lartë duhet të jetë programi moral jo vetëm i
pushteteve, por edhe i të gjithëve. Madje njerëzit normal, ata me skrupull në
pozitat me përgjegjësi do të ishin djegur në kokë nga skuqja, nga turpi, sepse
të pretendosh të jesh anëtar i klubit të të zgjedhurve dhe të mos dish të
lexosh as dëshirat më elementare të shoqërisë (të çdo shoqërie) është më shumë
se sa shkas për tu shporrur qëandej, nga posti e kemi fjalën.