Është e hënë, 14 Janar 2013, një ditë e vranët dhe e zakonshme për gjithëkënd
që nuk e shkund sado pak Almanahun e kujtesës.Tek ndiqja pasqyrën e shtypit,
gjithfarë lloj turli lajmesh shikoja dhe një neveri e shprehur më kaploi.
Politikanë nën hetim, pallate në prokurori, gratë jetojnë më shumë se burrat,
një mafioz i arrestuar dhe i liruar...etj, pallavra veresie në një "kthinë të
botës" që gdhihet dhe ngryset me përallën e vet të lodhur e të shqyer.
Por se unë, miqtë e mi, dua t'u shpie diku tjetër, në një vend më të gëzuar dhe
më dinjitoz. Ejani me mua të zbresim tek 14 Janari i vitit 1703, pra bash 310
vite më parë. Pikërisht atë ditë u mblodh në Lezhë ai që njihet si "Kuvendi i
Arbërit". Le të imagjinojmë se si u mblodhën priftërinjë e famulltarë, njerëz të
shërbesës dhe Peshkopë, i dërguari i Vatikanit dhe malësorë të heshtur e të
veshur si për një festë Hyu! Ai që e kishte organizuar, kishte qenë Papa Klementi
XI Albani, ishte shqiptar nga gjaku, nga identiteti dhe dinjiteti moral e
religjoz.
Qëllimi ishte të mbrohej kisha, të mbrohej besimi, të mbrohej identiteti
shqiptar që ishte aso kohe një identitet perëndimor, themel dhe pjesë e atij
civilizimi, së paku qysh nga koha kur Shën Pali meshoi në kodrat e Durrësit në
shekullin e parë pas Krishtit! Ata hyn atje kokë ulur në atë sallë të vogël të
ndriçuar me pishtarë,...po ku është salla apo ajo hapësirë drite dinjiteti, a
është ruajtur e konservuar?
A peligrinohet atje? Apo heshtja pllakos mbi kujtesën dhe dëgjojmë të
pëlliturin politik të ditës të veshur me prada?! Papa kishte dërguar një
hierarkun e tij të kontrollonte fshat më fshat se si ishin kishat, si ishin
famullitë, si ishin manastiret, dhe raportimi ishte i trishtë, për të vajtuar.
Varfëri ngado, kulturë e vobegtë dhe një injorancë këmbëzbathur! Ky ishte
dekori. Kishin filluar që në saje kriptoreligjionizmit të shfaqeshin ata që u
quajtën Laramanët. Njerëzit me dy besime, nga zori të konvertuar në islam dhe
në shpirt e fanatizëm të krishterë. Po zhbëheshim edhe në thellësitë e
identitetit dhe ai vuante në Selinë e Shenjtë.
Atje në Arbëri, ku qysh në 1221 kishin zbritur Franceskanët dhe kishin ngritur
kishën e parë në Lezhë, atje në ato treva kur qysh në 1632 ishin ngritur
shkollat shqipe, në Orosh dhe në Kurbin, dhe në 1638 edhe në Shkodër, dhe ku
për 200 vite mësohej shqipja nga priftërinjtë, siç edhe e pranoi në Kongresin e
Manastirit në 1908-n Mit'hat Frashëri, kur u zgjodh President i Kongresit.-Mos
më falenderoni mua, tha ai, Ju priftërinjtë katolik për dy shekuj lëvruat
shqipen-foli kështu dhe kishte përpara At Gjergj Fishtën, Ndre Mjedën dhe Dom
Kaçorrin!
Po kush ishte Papa Klementi XI? Ai quhej Giovani Francesco Albani 1649-1721. Ai
kishte lindur në Urbino, i biri Karl Albanit i ardhur nga trevat shqiptare. Ai
ishte Papa i Vatikanit në 1700-1721. Shquhej për një kod moral, ishte kundër
miqësive të sëmura dhe nepotizmit. Ai shkruante edhe në gjuhën shqipe. Sa bukur,
sa endja ma ka t'ia shoh dorëshkrimet. Kur të shkoj herën tjetër në Vatikan do
të jemi i ngasur me shpirt dhe me besë ta realizoj një takim të tillë me
ndërgjegjen e tij të shkruajtur në atë shqipe të bukur të gegënishtes së asaj
kohe të mesmoshës së njerëzimit. Ai ishte Reformator i Katolicizmit dhe
shkruajti veprat si: Vineam Domini në 1705 dhe Unigentis 1713 etj. Familja
Albani u vendos në Itali në 1464 kur Mihal Laci-Lazaj u vendos në Urbino. Prej
kësaj familje dolën edhe dy kardinalë Xhan Francesco Albani 1720-1803, dhe
Xhuzepe Albani 1750-1834.
Kjo është historia jonë dhe jo bronxi për statuja dhe ribërja e saj me orekse
politike.Si mëtonte Turqiditi, ...historia nuk shkruhet t'u pëlqejë atyre që janë
prezentë por atyre që do të vijnë,..ajo nuk shkruhet me fjalë por me mendim dhe
ajo nuk shkruhet për heronjë por për ngjarjet. Kjo që u tregova është një
ngjarje e braktisur nga institucionet, le t'a kujtojmë ne shqiptarët jashtë
tyre. Amin!