Duke nisur vitin e njëzetë të jetës Kushtetuta e Kaçanikut, Kosova, para së gjithash, bën bilancin e arritjeve prej asaj vere të vitit 1990, e cila mban dy datat që i prijnë kulmimit të lëvizjes kombëtare të popullit të Kosovës për liri dhe pavarësi, më parë 2 Korrikun e Deklaratës Kushtetutese të Pavarësisë dhe pastaj 7 Shtatorin e Kushtetutës së Kaçanikut. Më shumë se kurrë, Kosova përbetohet ta mbrojë në mënyrën më sublime shtetin e saj të pavarur dhe sovran të realizuar në mesin e qershorit 1999, pas oqeaneve të gjakut të derdhur një shekull rresht kundër pushtuesve serbë dhe përkrahjes së fuqishme të NATO-s me në krye Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kosova e pavarur dhe sovrane është vizion i Presidentit Ibrahim Rugova, prijësit të proceseve të Kosovës gjatë gjithë këtyre viteve të stuhishme, arkitektit të miqësisë me Perëndimin, në radhë të parë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ky vizion iu priu në frontin çlirimtar luftëtarëve të lirisë në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, iu priu të gjitha përpjekjeve shqiptare për të arritur ditën e ëndërruar. Më 17 Shkurt 2008, Kosova e shpalli, tashmë edhe në bashkërendim zyrtar me miqtë dhe aleatët, pavarësinë dhe sovranitetin e saj, deri tani të njohur nga dhjetëra vende, para së gjithash nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nga vende të tjera të fuqishme perëndimore dhe nga një numër vendesh të tjera me peshë në skenën botërore. Shtatë Shtatori është një datë e bekuar për Kosovën dhe kombin shqiptar, është një datë e shenjtë për Kosovën dhe kombin shqiptar, prandaj përkujtohet dhe kremtohet - nga çdo shqiptar i vërtetë - me nderim të veçantë dhe me manifestim të veçantë të vendosmërisë kombëtare shqiptare për të realizuar me sukses çështjen e Kosovës, duke përballur në unitet kombëtar çfarëdo sfide që do të sjellin zhvillimet të cilat janë në horizont. Vetëm mirëkuptimi i duhur brenda radhëve tona dhe me miqtë e aleatët do të sjellë mbarësi për Kosovën, për rajonin eurojuglindor dhe për kontinentin e më gjerë. Në këtë frymë dhe në këtë atmosferë përjetohet dhe festohet Shtatë Shtatori, Dita e shënuar e Kushteutës së Kaçanikut.