Vizitat që zhvilluan në 8 maj
kryetari i partisë BDI, Ali Ahmeti, në SHBA, dhe zëvendëskryeministri i kësaj
partie në qeverinë e Maqedonisë për integrimin europian, Fatmir Besimi, në
Athinë, intriguan ndezjen e një diskutimi në qarqet diplomatike dhe mediatike
në Shkup, Athinë dhe në rajon, lidhur me temën e raportit të faktorit shqiptar
në Maqedoni me konfliktin 22-vjeçar për çështjen e emrit. Natyrshëm që, në
bisedimet e të dy personaliteteve politike shqiptare nga Shkupi në kryeqytetet
përkatëse, do të bënte pjesë në rendin e ditës me bashkëbiseduesit zyrtarë
amerikanë dhe grekë dhe çështja e emrit. Në planin publik, të dy personalitetet
shqiptare mbajtën qëndrimin e njohur zyrtar për të gjetur një zgjidhje reciprokisht
të pranueshme nga të dyja palët. Megjithatë, vizitat dhe nuancat e prononcimeve
të tyre për çështjen e emrit shkaktuan një tërmet politik e mediatik në Shkup,
sepse me sa duket u konsideruan nga isteblishmenti maqedonas si hyrje në një
zonë të ndaluar maqedonase.
Debutimi diplomatik i faktorit politik shqiptar në Maqedoni në çështjen e emrit
është një impostim i ri dhe pozitiv i tij. Nuk ka shumë rëndësi nëse ky
angazhim diplomatik ka apo nuk ka efekt imediat në formulimin e kompromisit për
emrin, nëse ka apo nuk ka të drejtë vetoje partia politike shqiptare në
qeverinë e Shkupit për hartimin e politikës së jashtme. Askush nuk pret që
personalitet politike shqiptare në Maqedoni të jenë vendimmarrësit e
drejtpërdrejtë të një qëndrimi të ri për emrin. Por e rëndësishme është lëvizja
që po ndodh në faktorin politik shqiptar, i cili po kupton se drejtimi i
shtetit nuk është vetëm të drejtat e njeriut dhe pjesëmarrja në administratë,
por statusi shtetformues, që të jep kompetencën e vendimmarrjes në çështjet dhe
punët kryesore të shtetit. Pikërisht këtë ndërgjegjësim të faktorit politik
shqiptar nuk e shohin me sy të mirë në qarqet politike, qeveritare dhe
mediatike maqedonase, të cilët kanë fatkeqësinë të mos e kenë kuptuar ende
irealizmin e pretendimit të vjetër të tyre për "Maqedoninë si shtet vetëm i
maqedonasve". Jo rastësisht mediat e lidhura me qeverinë e kryeministrit
Nikolla Gruevski organizuan një fushatë, e cila kishte në qendër përpjekjen, jo
vetëm për të çvleftësuar angazhimin diplomatik të faktorit shqiptar, por edhe
presionin për ta mënjanuar atë faktor nga çdo lloj interesimi për gjendjen e
marrëdhënieve të shtetit me fqinjët dhe me shtetet e tjera. Madje Ivica
Bocevski, ish-zëvendëskryeministër dhe ish-zëdhënës i qeverisë së Nikolla Gruevskit,
në një artikull në gazetën "Nova Makedonija" në 10 maj, shprehej në mënyrë
kategorike se "shqiptarët nuk kanë zgjidhje tjetër veçse plotësisht të pranojnë
dhe të respektojnë qëndrimin e maqedonasve për emrin.
Është e qartë se Greqia
në strategjinë e saj luan edhe kartën e keqpërdorimit të shqiptarëve etnikë si
një farë "kolone e pestë në Maqedoni".
Kuptohet qartë se qeveria dhe politika maqedonase kërkojnë të mbajnë larg
faktorin shqiptar nga çështja e emrit dhe nga çështje të tjera të karakterit
strategjik. Për hir të së vërtetës duhet thënë se dhe partitë politike
shqiptare, që kanë marrë pjesë në qeveritë e Shkupit, kanë manifestuar një
neglizhencë apo indiferencë për çështjen e emrit dhe e kanë parë atë si një
problem që prek vetëm maqedonasit. Janë dashur 20 vjet që të kuptohet se e
vërteta është ndryshe dhe se çështja e emrit është një çështje e rëndësishme,
që u intereson strategjikisht shqiptarëve, dhe për të cilën ata duhet të kenë
zërin dhe votën tyre. Çështja e emrit nuk është thjesht tabelë e identitetit
maqedonas, sikundër e paraqet diplomacia e Shkupit në bisedimet me partnerët
ndërkombëtarë. Ajo është çështje shtetërore, e cila ka të bëjë me orientimin
strategjik të Maqedonisë dhe me drejtimin se ku kërkon qeveria maqedonase ta
drejtojë shtetin.
Populli shqiptar në Maqedoni është faktori i dytë më i rëndësishëm demografik,
politik dhe shtetëror dhe vetë ekzistenca e Maqedonisë si shtet është rezultat
i ekuilibrit të bashkekzistencës dhe të bashkëqeverisjes të të dy popujve. Në
këtë kuptim, interesimi dhe pjesëmarrja e faktorit shqiptar në çështjen e emrit
diktohet nga disa arsye:
Së pari, emri është çështje e shtetit dhe shqiptarët, duke qenë pjesë e
rëndësishme ekzistenciale e atij shteti, kanë të drejtën dhe detyrën të jenë
pjesë e vendimeve për zgjidhjen e tij.
Së dyti, partitë politike shqiptare janë pjesë e qeverisë dhe përderisa
bisedimet për emrin drejtohen nga qeveria, ata kanë të drejtën të jenë pjesë e
procesit për zgjidhjen e konfliktit të emrit. Qeveritë e Maqedonisë, ku kanë
qenë pjesë partitë kryesore politike shqiptare, i kanë mënjanuar pothuajse
plotësisht shqiptarët nga procesi i formulimit të qëndrimit për çështjen e
emrit apo i shprehjes së interesit për atë çështje. Partitë politike shqiptare
dhe përfaqësuesit e tyre nuk janë përfshirë në procesin diplomatik të
bisedimeve dypalëshe për emrin, që zhvillohen prej afro 20 vjetësh mes Shkupit
dhe Athinës, nën kujdesin dhe ndërmjetësimin e OKB-së. Nëse një qeveri injoron
aleatin me të cilin qeveris në çështje kaq të rëndësishme të marrëdhënieve me
shtetet e tjera, siç është konflikti për emrin, kjo do të thotë se ajo qeveri
nuk respekton funksionimin dhe marrëveshjen e ekuilibrit delikat të
marrëdhënieve ndëretnike në atë shtet.
Së treti, çështja e emrit është e lidhur në mënyrë të drejtpërdrejtë me rrugën
e integrimit atlantik dhe europian të Maqedonisë. Shkupi duhet të kishte marrë
ftesën për anëtarësim në NATO që në vitin 2008 në samitin e Bukureshtit, bashkë
me Shqipërinë dhe Kroacinë. Maqedonia po pret që nga viti 2005 të marrë një
datë për hapjen e bisedimeve të pranimit në BE, në një kohë që asaj ia kaluan
edhe Mali i Zi, edhe Serbia në rrugën e marrjes së kësaj date. Emri është
shkaku i bllokimit të integrimit atlantik dhe europian të Maqedonisë dhe kjo
është çështje që ka të bëjë me interesat jetike të gjithë qytetarëve të atij
shteti. Në këtë kuadër, ky bllokim i stërzgjatur nuk mund të mos shërbejë si
një këmbanë e madhe alarmi për partitë politike shqiptare, të cilat kanë
përgjegjësi për shtetin, njëlloj si partitë politike maqedonase. Sepse faktori
politik shqiptar dhe populli shqiptar në Maqedoni nuk mund të vazhdojnë të jenë
të interesuar për një lloj shteti, i cili bën zgjedhjen të qëndrojë jashtë
anëtarësimit në NATO dhe në BE, një lloj shteti që zgjedh të qëndrojë si gropë
e zezë në Ballkan. Partitë politike shqiptare në Maqedoni, të cilat kanë bërë
pjesë me radhë në qeveritë maqedonase, do të duhet të kishin qenë më aktive në
drejtim të pjesëmarrjes për çështjen e emrit dhe do të duhej të kishin qenë më
aktive në pengimin e hapave të qeverisë së kryeministrit Nikolla Gruevski për
acarimin pothuajse të qëllimshëm të konfliktit për emrin me Greqinë.
Faktori politik shqiptar e ndjen dhe duhet ta ndjejë nevojën e një angazhimi të
tij për të kontribuar në zgjidhjen e këtij konflikti të vjetër. Në planin
diplomatik, faktori politik shqiptar është më i përshtatshmi për pjesëmarrje në
procesin e zgjidhjes së konfliktit për emrin, sepse ai nuk është pjesë e
nacionalizmit dhe radikalizmit maqedonas, i cili çështjen e emrit e ka shndërruar
në një instrument elektoral, politik dhe pushtetor në Shkup. Kryeministri
Nikolla Gruevski, gjatë gjithë kohës që është në pushtet ka përdorur këtë kartë
nacionaliste të emrit dhe të acarimit të marrëdhënieve me Greqinë, me qëllim që
të sigurojë mbështetje për pushtetin e tij, edhe me çmimin e stanjacionit të
integrimit euroatlantik të vendit. Nuk është rastësi që qeverisja e
kryeministrit Gruevski është periudha e acarimit më të madh të klimës mes dy
shteteve në gjithë historinë e marrëdhënieve dypalëshe, që nga shpallja e
pavarësisë në vitin 1991. Programet dhe ëndrrat fantastiko-shkencore me
pretendime të historisë dhe të personaliteteve të shteteve të tjera, që kanë
ekzistuar njëmijë vjet para se sllavët të zbarkonin në Ballkan, nuk mund të klasifikohen
ndryshe, veçse artifise shtetërore për të bllokuar bisedimet dhe integrimin e
vendit në NATO dhe në BE. Dhe që qeveria e Nikolla Gruevskit ndjek me sa duket
një axhendë të programuar të bllokimit të integrimit euroatlantik, e tregon
fakti se ajo ka acaruar marrëdhëniet edhe me Bullgarinë, e cila i është
bashkëngjitur edhe ajo tashmë qëndrimit të Greqisë për të bllokuar pranimin në
NATO dhe në BE, derisa Shkupi të heqë dorë nga përvetësimi i historisë së
shteteve fqinj.
Në një situatë të tillë, është e natyrshme që faktori ndërkombëtar, SHBA, NATO
dhe BE, të përpiqen të gjejnë mënyra dhe rrugë për ta nxitur zgjidhjen e kësaj
çështjeje. Ali Ahmeti deklaroi në 9 maj se të gjitha takimet e tij në
Uashington kanë qenë në drejtim të nxitjes që të gjendet zgjidhja me kompromis
për kontestin me Greqinë. Ka një domethënie të qartë diplomatike, fakti që Ali
Ahmeti pati në Nju Jork drekë pune me ndërmjetësin amerikan të OKB për emrin,
Metju Nimic dhe takime të njëpasnjëshme me ambasadorët e SHBA, të Britanisë së
Madhe dhe të Francës, të akredituar në OKB. Në këtë kuadër, SHBA, NATO dhe BE e
kuptojnë, madje më mirë se shqiptarët, rëndësinë e aktivizimit të faktorit
politik shqiptar në çështjet e diplomacisë dhe të politikës së jashtme të
Shkupit. Mesazhi që ata i dërgojnë Shkupit, me aktivizimin diplomatik të
faktorit politik shqiptar, është domethënës. Nëse Uashingtoni, Brukseli dhe
Athina kanë bindjen se është bërë e nevojshme përfshirja e faktorit shqiptar në
çështjen e emrit, kjo është shenjë e vendosmërisë të tyre për integrimin
euroatlantik të Maqedonisë. Nëse faktori
diplomatik ndërkombëtar ka bindjen se faktori politik shqiptar duhet të jetë më
aktiv dhe të luajë rolin e tij në formulimin e drejtë properëndimor të
qëndrimeve qeveritare në Shkup, kjo duhet vlerësuar si zhvillim i ri pozitiv.
Është e rëndësishme që faktori politik shqiptar në Maqedoni të ndërgjegjësohet
se ka ardhur koha, dhe madje ka kaluar, kur shqiptarët duhet të jenë pjesë e
çdo vendimi dhe zgjidhje shtetërore, që ka të bëjë me politikën e jashtme dhe
me marrëdhëniet ndërkombëtare të Maqedonisë.
Faktori politik shqiptar nuk mund
ta quajë të kryer rolin dhe misionin e tij historik, nëse nuk përpiqet që të
fitojë pozitën kushtetuese, që i takon, në vendimmarrjen e punëve shtetërore në
Maqedoni. Dhe politika e jashtme është një nga shtyllat dhe treguesit kryesorë
të rolit vendimmarrës të barabartë të të dy popujve, që përbëjnë një shtet si
Maqedonia.