Jam i bindur se Presidenti Barak Obama dhe administrata e tij po presin me
ankth fund javën. Ishte një javë tepër e vështirë për ta por edhe për sistemin
politik amerikan, pasi presidenti dhe zyrtarët e tij u përballuan me akuza të
ashpëra nga media dhe nga Kongresi në lidhje me zbulimin se Departmenti i
Thesarit, që në të vërtetë është Agjencia Tatimore, kishte venë në shënjestër
grupe dhe organizata konservatore, të cilat gjatë dy vjetëve të fundit janë
përpjekur të aplikojnë për stausin e përjashtimit nga taksat. Sipas njoftimeve,
ato iu nënshtruan një kontrolli të imtësishëm duke mos aprovuar statusin e
tyre, ndërsa, sipas gazetës amerikane USA Today, grupet me prirje liberale që
kishin aplikuar gjatë të njëjtës periudhë, u aprovuan pa asnjë problem. Presidenti
Obama, gjatë ditëve të fundit, i ka cilësuar këto veprime të Agjencisë
Tatimore, që media amerikane po i cilëson skandaloze, si të ''patolerueshme dhe
të pafalshme.'' Ai gjithashtu u zotua se punonjës të kësaj agjencie që mund të
jenë fajtorë, do të mbahen përgjegjës, dhe njëherazi bëri thirrje për marrjen e
masave që një gjë e tillë të mos ndodhë kurrë më. Edhe Prokurori i Përgjithshëm
Erik Holder tha se çfarë ka ndodhur në këtë agjenci, ''është sigurisht
skandaloze dhe e paranueshme" dhe shtoi se ka urdhëruar bërjen e hetimeve
nga zyra e tij në lidhje me këtë çështje. Ndërkohë, Agjencia Tatimore ka
kërkuar ndjesë për ato që kanë ndodhur dhe presidenti Obama njoftoi dje se si
rrjedhim, kishte pranuar dorëheqjen e drejtorit të përgjithëshëm të kësaj
agjencie.
Çështja tjetër skandaloze me të cilën po përballet këtë javë administrata e Z.
Obama është konfiskimi i të dhënave telefonike nga Ministria e Drejtësisë për
një periudhë prej dy muajsh, të një numëri gazetarësh dhe redaktorësh të
agjencisë së njohur të lajmeve Associated Press (AP). Megjithë zemërimet e
shprehura nga media dhe nga Kongresi për këtë masë, që ekspertët ligjorë dhe
anlalistët e quajnë si të pa precedencë, Prokurori i Përgjithshëm Erik Holder
mbrojti të drejtën e entit që ai drejton -- për hetimet rreth njoftimit të
agjencisë së lajmeve AP në lidhje me një operacion të agjencisë së fshehtë
amerikane CIA, që kishte parandaluar një operacion terrorist në Jemen. Ai tha
se këjo nxjerrje informacioni nga agjencia e lajmeve AP "ishte tepër, tepër
serioze" dhe se informacioni i nxjerrë nga agjencia AP, sipas tij, "pa
ekzagjerim rrezikon popullin amerikan".
Reagimet ndajë këtyre veprimeve të administratës Obama, ishin të shpejta dhe të
furishme, nga media, nga Kongresi amerikan dhe nga nga grupe të ndryshme të të
drejtave civile dhe të mbështetës të lirisë së shtypit, nga spektri i majtë dhe
i djathtë.
Vet agjencia e lajmeve Associated Presss, duke reaguar ndaj konfiskimit të të
dhënave telefonike nga Ministria e Drejtësisë, në një letër të ashpër dërguar
Prokurit të Përgjithshëm Erik Holder, më heret këtë javë, Presidenti i AP, Gary
Pruitt protestoi duke thënë se, ''Nuk mund të ketë asnjë justifikim të mundshëm
për një konfiskim të tillë të të dhënave të komunikimeve telefonike të
agjencisë AP dhe gazetarve të saj. Këto të dhëna telefonike zbulojnë burimet
konfidenciale të gazetarve dhe të operacioneve të agjencisë AP, aktivitete këto
për të cilat qeveria nuk ka asnjë të drejtë të dijë për to. Ne e konsiderojmë
këtë masë të Ministrisë së Drejtësisë si një ndërhyrje serioze në të drejtat
konsitucionale të agjencisë AP, për të mbledhur dhe raportuar lajmet.''
Shoqata e Gazetave Amerikane, pasi mësoi për konfiskimin e të dhënave
telefonike të agjencissë AP, nga ana e Ministrisë së Drejtësisë , lëshoi një
deklaratë duke thënë se, "kjo masë shokon ndërgjegjen amerikane dhe shkel
lirinë kritike të shtypit që mbrohet nga Kushtetuta e Shteteve të Bashkuara ".
Gazeta Nju Jork Tajms tha në një editorial kritik ndaj administratës Obama, se
"Këto taktika nuk do të na frikësojnë ne as agjencinë AP, por mund të
frikësojnë burimet dhe kontaktet konfidenciale mbrenda në qeveri, të cilat janë
ablsolutisht jetike për median, për të raportuar mbi punët e qeverisë."
Gazeta USA Today në editorialin e saj mbi këtë çështje thotë se, "është e
vërtetë se qeveria ka përgjegjësinë për të mbrojtur sigurimin kombëtar, por
kjo përgjegjësi ka kufi dhe rasti i agjencisë AP është i tepruar. Këjo
administratë ka nevojë të mendojë gjatë e mirë në lidhje me abuzimin e
pushtetit."
Ndërsa gazeta Uashington Post, e njohur për vijën e saj liberale dhe normalisht
përkrahse e politikës së Presidentit Obama, në një koment kritik në lidhje me
abuzimet në Agjencinë amerikane të Tatimeve -- kundër grupeve të djathta
konservatore -- u shpreh se, "Gur themeli i parimeve të demokracisë amerikane
është se pushteti i qeverisë nuk duhet të përdoret kurrë për qëllime
partiake.''
Kongresi ka njoftuar se në ditët dhe javët e ardhëshme, një e treta e
komisioneve të Dhomës së Përfaqsuesve dhe të Senatit, do të mbajnë séanca në
lidhje me këto çështje. Kongresistët, si republikanë ashtu edhe demokratë, janë
të zemëruar dhe po kërkojnë shpjegime për ato që kanë ndodhur, dhe njëkohsisht
i bëjnë thirrje administratës së Presidentit Obama që të ndëshkojë fajtorët dhe
të sigurojë marrjen e masave të menjëhershme që aktivitete të tilla nuk do të
përsëritën më. Udhëheqsi i republikanëve në Dhomën e Deputetve, John Boehner
tha dje gjatë një konferencë shtypi se, "Pyetja ime nuk është se kush do të
japë dorëheqjen", pyetja ime", shtoi ai, " është se kush do të ndëshkohet me
burg, për këtë." Në lidhje me abuzimet në Agjencinë Tatimore, Kongresisti
Boehner tha se, "Për këtë lloj abuzimi ne kemi ligjet" dhe është e nevojshme,
tha ai, të dimë se cilët janë personat që abuzuan dhe nëse ata shkelën ligjin.
Edhe udhëheqsi i demokratëve në Senat dhe përkrahës i flakët i administratës
Obama, Senatori Harry Reid iu bashkua kritikave të kolegëve të tij në Kongres,
ndaj Ministrisë së Drejtësisë për konfiskimin e të dhënave telefonike të
agjencisë AP, duke thënë se, "e kam shumë të vështirë të mbroj atë që ka bërë
Ministria e Drejtësisë. "Është e pafalshme. Nuk ka asgjë që mund të justifikojë
një gjë të tillë", tha udhëheqsi demokrat i Senatit.
Këjo javë ishte me të vërtetë shumë e keqe për presidentin Barak Obama dhe për
administratën e tij, sigurisht java më e vështirë e mandatit të tij deri tani.
Por vera mund të jetë edhe më e vështirë dhe më e nxehtë politikisht në
Uashington. Megjithëse siç duket administrata Obama ia shkaktoi vetvetes këto
probleme republikanët me zi kanë pritur për një moment të tillë, duke
njoftuar menjëherë mbajtjen e një numëri seancash në Kongres për të zbuluar të
vërtetën, jo vetëm për këto dy çështje, por edhe për sulmin terrorist në
Bengazi të Libisë, shtatorin e vitit që kaloi, ku mbetën të vrarë katër
diplomatë amerikanë, përfshirë edhe ambasadorin Christopher Stevens, pasi kohët
e fundit kanë dalur në shesh informacione të reja që nuk përputhen me
shpjegimet fillestare të administratës së Presidentit Obama në lidhje me atë
sulm.
Për të gjitha këto, Kongresi dhe populli amerikan duhet të kërkojnë nga
Presidenti Obama dhe administrata e tij të vërtetën, si dhe pushimin nga puna
ose ndëshkimin me burg të atyre që mund të kenë shkelur ligjin dhe Kushtetutën
amerikane. Amandamenti i parë i kushtetutës amerikane që, ndër të tjera,
garanton lirinë e shtypit, është aty dhe i pari ndër amandamentet e tjera për
një arsye. Baballarët e këtij kombi dhe hartuesit e kushtetutës amerikane e
kishin paraparë rëndësinë e tij. Populli amerikan ka të drejtën dhe meriton të
mësojë të vërtetën për të gjitha këto abuzime nga qeveria e tij, ose përfaqësues
të saj.