Shëndeti mendor, pra gjendja psikike e një individi, nuk përbën kurrfarë kushti
për të qenë burrë shteti në vendin tonë. Domethënë për të qenë pjesë elitare e
pushtetit legjislativ, atij ekzekutiv, si dhe të tjera sferave të larta të
jetës institucionale shqiptare. Aktualitetin e gjendjes së shëndetit mendor e
ndesh të jetë kriter që kushtëzon, p.sh zgjedhjen e një individ-kandidati në
një post inspektori, apo të një kandidati për shofer, për edukatore kopshti,
për kamerier, për akullorebërës, për kuzhinier, për ripërtëritje patente, etj.
Por kjo gjendje nuk del të jetë kusht ligjor për të qenë anëtar i Komisionit
Qendror të Zgjedhjeve, kandidat për deputet, kryeministër, ministër, sekretar,
zëvendësministër, rektor, dekan apo pjesë zyrtare elitare e stafeve akademike.
Me pak fjalë, ekzaminimi dhe paraqitja e një raporti që të dëshmojë gjendjen
psikike të një individi, kandidat për në sferat e larta të pushtetësisë
shqiptare, nuk është përshirë si detyrim ligjor. Duke përbërë kështu edhe një
tjetër privilegj për ata që prodhojnë ligje, që qeverisin e bëjnë politikat
zyrtare të vendit. Por edhe duke ngritur hamendësime për praninë në postet e
larta zyrtare të pushtetit, shtetit dhe politikës të individëve psikikisht të
sëmurë. Gjë që bie në sy gjatë sjelljes së përditshme të disave prej tyre, por
që, duke mos përbërë kriter ligjor, nuk rezulton të jetë e ligjëruar. Dhe kjo
jo për faj të mjekëve apo mjekësisë,por sepse paraqitja e një dëshmie që të
garantojë gjendjen psikike nuk është e përfshirë në detyrimin ligjor të
individëve aplikant. Sikurse mund të jetë p.sh paraqitja e dëshmisë që vërteton
nivelin e arsimit, atë të pastërtisë juridike, dëshminë profesionale, dëshminë
e zotërimit të gjuhëve të huaja e kështu me radhë.
Burrë shteti pa garanci psikike!
Duke qenë se gjendemi në prag të zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare,
cilësia e të cilave do të jetë përcaktuese edhe e fatit të të ardhmes europiane
të Shqipërisë, padyshim që cilësia e shëndetit mendor të atyre që do t'i
administrojnë ato ka rendësi të veçantë. Sikurse ka rendësi speciale, për të
përcaktuar fatin cilësor të zhvillimit të vendit, në të ardhmen paszgjedhore
2013, cilësia psikike e individëve që do përbëjnë pozitën e opozitën pas këtyre
zgjedhjeve. Por edhe armatën e deputetëve ligj-prodhues, cilësia e shëndetit
mendor të të cilëve përcakton dhe cilësinë e ligjeve reformuese, aq të
domosdoshme për ta integruar Shqipërinë në bashkësinë europiane. E thënë
shkurt, shëndeti mendor, cilësia psikike e personave që do konfirmohen për të
qenë burra shteti, nga votimet e 23 qershorit 2013, është guri i themelit për
të ndarë fatin e të ardhmes së sistemit kapitalist shqiptarë. Fatin e të
ardhmes europiane të Shqipërisë. Për të ndarë fatin e sistemit të vërtetë
demokratik të shoqërisë sonë, nga ky hibridi i sotmi demokraturist. Mirëpo sa
është i aftë legjislacioni për ti shoshitur siç duhet individët që kandidojnë
në këto zgjedhje? Apo ata që kanë në dorë të monitorojnë këtë proces zgjedhor?
Çfarë garancie ligjore ka që pas 23 qershorit të mos ketë burra shteti me
shëndet mendor të mangët, pjesërisht të mangët apo me dërrasa mangët? A është
paraqitja e raportit mjekësor që të dëshmojë gjendjen psikike të kandidatëve
për burra shteti kriter i domosdoshëm për të vazhduar garën?
Nëse do t'i referohesh Kodit Zgjedhor të Republikës së Shqipërisë, nr. 10.019,
dt. 29.12. 2008, azhornuar me ligjin nr. 74/2012, që është edhe ligji themeltar
për përcaktimin e mënyrës së zgjedhjeve, cilësinë e tyre dhe të subjekteve
pjesëmarrëse në to, konstaton se cilësia e shëndetit mendor nuk përbën asnjë
kusht për të qenë aktualisht kandidat, d.m.th nesër deputet i parlamentit e më
lart. Në pikën 3 të nenit 3 të këtij kodi citohet se: "çdo shtetas shqiptar, që
ka mbushur moshën 18 vjeç, qoftë edhe ditën e zgjedhjeve, pa dallim race,
etnie, gjinie, gjuhe, bindjeje politike, besimi, aftësie fizike ose gjendjeje
ekonomike ka të drejtë të zgjedhë dhe të zgjidhet, në përputhje me rregullat e
parashikuara në këtë Kod...".
Mirëpo, as në rregullat e mëtejshme të këtij Kodi, gjendja e shëndetit mendor
të individit kandidat për burrë shteti, pas 2013, nuk del të jetë kriter. Madje
jo vetëm për individët kandidat për deputet, por as për anëtarët e KQZ-së, të
cilët, sipas kritereve të përcaktuara në nenin 12 duhet të jenë: "... me moshë
mbi 35 vjeç, me arsim të lartë, të kenë përvojë profesionale prej jo më pak se
10 vjet punë, në fushën e së drejtës, në administratën publike, në
administrimin e zgjedhjeve, të mos jenë të dënuar penalisht, të mos kenë qenë
anëtar i ndonjë partie politike në 5 vitet e fundit, të mos kenë qenë të
zgjedhur deputet të Kuvendit në 5 vitet e fundit, të mos kenë qenë pjesëtar në
5 vitet e fundit në Policinë e Shtetit, në Forcat të Armatosura dhe në
Shërbimin Informativ Shtetëror, të mos jenë larguar nga administrata publike
apo çdo funksion publik për shkelje të detyrës".
Që të jenë mirë nga sistemi psikikë as që bëhet fjalë gjëkundi në këtë nen dhe
as në atë me nr. 72, të përfshirë në pjesën IV të Kodit, dhe që specifikisht
përcakton paraqitjen e dokumenteve të duhura për të realizuar përfshirjen
zyrtare në kandisim.
Ja çfarë të dhënash duhet të përmbajnë dokumentet e kandidimit, sipas pikës 2
të nenit 72, që është dhe i fundit i fushës së kritereve: "Listën e plotë të
kandidatëve me renditjen përkatëse, të nënshkruar nga kryetari i partisë, ose
propozimin nga komiteti nismëtar i një grupi zgjedhësish; emrin, atësinë,
mbiemrin datëlindjen, gjininë, adresën e kandidatit dhe një kopje të dokumentit
të identifikimit; deklarimin e kandidatit se gëzon të drejtën dhe vullnetin për
të kandiduar, në të cilin përfshihet, sipas rastit, deklarimi i dorëheqjes nga
funksionet e përcaktuara në nenin 63 të këtij Kodi, shoqëruar me kopjen e
deklaratës së dorëheqjes, të depozituar pranë institucionit përkatës;
deklarimin e kandidatit të propozuar nga një grup zgjedhësish se nuk do të
mbështetet apo nuk do të mbështesë asnjë subjekt zgjedhor në zgjedhje; një
listë të nënshkruar nga zgjedhësit e zonës përkatëse, që mbështesin kandidatin
ose partinë, sipas neneve 69, 70 dhe 71 të këtij Kodi".
Pra, as në këto pesë pika të Kodit Zgjedhor, gjendja aktuale e shëndetit mendor
të kandidatit 2013 nuk figuron të jetë kriter ligjor. Duke mos garantuar kështu
bërjen burra shteti të individëve psikikisht të trazuar, sociologjikisht
problemor, politikisht dhe pushtetërisht të rrezikshëm për fatin e demokracisë
dhe të taksapaguesve shqiptarë.