Shqipëria hyri në zgjedhje në një klimë të acaruar politike, me një sistem
elektoral të papërputhshëm me veçoritë e një vendi me dallueshmëri kulturore
dhe një shteti unitar, në një vend në të cilin përgjegjësia shtetërore, cilësia
e shtetit, ndarja e pushteteve, interesat e publikut gjenden ende në fazat e
veta embrionale dhe të pazhvilluara ngjashmërisht me vendet e tjera europiane.
Shqipëria është një vend ku partitë politikë garuese në zgjedhje nuk
përfaqësojnë ende interesa të gjëra nacionale, por para së gjithash janë
përgjithësisht organizata jodemokratike, vende-vende private deri edhe
familjare, pa boshte ideologjike dhe politike të përcaktuara dhe pa programe të
sendërtuara mbi shqyrtimin profesional të realitetit ekonomik, politik,
kulturor dhe institucional të vendit. Një pjesë e tyre kanë krijuar mbështetje
rastësore e të paqëndrueshme, të ndërvarur nga paraja e shpërndarë në momentet
e këmbimeve elektorale, sidomos në periferitë rurale dhe në suborget e varfra
të qyteteve kryesore. Segmente brenda tyre kanë krijuar ndërlidhje deri në
pjesët me të kriminalizuara të shoqërisë shqiptare, duke i përfshirë ato
drejtpërdrejt në fushata, duke ndotur rëndë procesin zgjedhor dhe rotacionin
politik.
Zgjedhjet 2013 u zhvilluan në një mjedis social, kulturor, urban dhe krahinor
të diversifikuar politikisht në mënyrë të skajshme, në rrethanat e një
përdorimi abuziv e disproporcional të lirisë, një presioni jo të ndershëm ndaj
administratës nga ana e pushtetit dhe një etje të verbër për rimarrje e
revansh, të pangjashëm për një sistem politik të europianizuar. Gjatë katër
viteve të fundit vendi pësoi një ngushtim të lirive individuale, një përpjekje
për kontroll të sjelljes dhe qëndrimeve publike të faktorëve të rëndësishëm
intelektualë të vendit, një shpërndarje të padrejtë të pasurive që çoi në
polarizimin e skajshëm të shoqërisë dhe në ngushtimin e shtresës së mesme; në
një korrupsion galopant që u fut në të gjitha poret e shoqërisë, shtetit dhe
administratës dhe që asfiksoi çdo përpjekje për shërbim ndaj qytetarit. Më e
keqja e të këqijave ka qenë kapja e shtetit nga klientelat me origjina të
dyshimta, përsa i përket raportit me ligjshmërinë dhe sendërtimi i një boshti
ekonomik me suport politik që priret të qëndrojë në pushtet përmes taktikave
transformative të një pozite të përhershme që synon të kontrollojë
përhershmërisht shtetin.
Cili është produkti i zgjedhjeve të fundit?
Shqipëria besoj se arriti ta shmangë kolapsin që mund të shkaktonte mungesa e
arbitrit të procesit zgjedhor dhe e arbitrave të tjerë të brendshëm
ndërinstitucionalë, për shkak të dorëzimit të klasës politike përballë sovranit
dhe rregullave të shtetit të së drejtës, falë angazhimit madhor të vëzhguesve
ndërkombëtarë dhe mbështetjes së treguar nga aleatët e popullit shqiptar në
NATO.
Por, përzgjedhja klienteliste, jo demokratike nga maja e partive politike e
kandidatëve për deputetë, për shkak të implementimit me zemërngushtësi të një
ligji absurd elektoral, nuk mund të prodhonte gjë tjetër veçse deputetë (një
përfaqësi) të pilotuar, jo përfaqësuese e përputhshme e vullnetit dhe e
veçorive të elektoratit, shpeshherë antivlera të qytetarisë dhe frymës
europianizuese në të cilën duhet të priret orientimi strategjik i vendit. Mbi
të gjitha, deformimet që pësoi procedura e votimit, për shkak të listave
jofidable, disa përdorimeve të administratës dhe blerjeve të votave dhe
thyerjes së procedurave të Kodit Zgjedhor në hapësirën e lirë dhe të shenjtë të
qendrës së votimit, shkaktuan dëmtimin e procesit, deformimin e votës e të
fitores së forcave të mirëfillta socialdemokratike dhe liberale brenda gjirit
të opozitës mirëfilltë, krijimin e një përfaqësie me përmbajtje nepotike dhe me
konflikt të qartë interesash që hipotekisht premtojnë vetëm një shtet të
deformuar edhe në të ardhmen.
Fjalimi i parë, më i lavdërueshëm i një fituesi në zgjedhje në historinë e
pluralizmit shqiptar, mbajtur nga zoti Edi Rama, është një sinjal shprese që
pushteti i ardhshëm nuk do të jetë një pushtet krahinarist, klientelist,
korrupsionist, antieuropianist dhe, mbi të gjitha, ai fjalim ngjall një gëzim
se e ardhmja do t'i përkasë së drejtës dhe qytetarëve të lirë. Por kjo shpresë
më errësohet menjëherë kur kujtoj mënyrën me të cilën u orientua taktika
zgjedhore e opozitës së mirëfilltë në qytetin tim të Shkodrës. Ardhja në
Shkodër e një europianisti të qytetëruar, e një liberali e socialdemokrati,
duhet të ishte e çliruar nga simbolika e pushtimit të Shqipërisë së Veriut nga
komunistët, e pastruar nga punizmi, nga taktikat e përdorimit të forcës dhe e
mbrujtur me një kualitet përfaqësimi të spikatshëm. Vërtet ndodhi në atë pjesë
një ndryshim i dukshëm, por atje ka pasur edhe një infiltrim të padukshëm që ka
deformuar besoj rezultatin. Këmbimi i lirë e demokratik i pushteteve është një
fenomen i qëndrueshëm i vendeve demokratike, përndryshe përdorimi i strukturave
jopolitike për ndikim në proces dhe heshtja para një fenomeni të qartë
infiltrues është një goditje e rëndë për demokracinë shqiptare, nga e cila mund
të vuajmë për një kohë të gjatë, mbasi mund të sjellë riforcimin në prapaskenë
të kundërligjit, që askush mund të mos i bëjë ballë në të ardhshmen. Është një
fakt për t'u shënuar, të cilit i duhet dhënë zgjidhje përparësore në të ardhmen
më të afërt dhe qyteti dhe rajoni duhet të orientohen nga vendosja me
ndershmëri e ligjit dhe e rendit.
Për të arritur deri te Shqipëria e pastër e Republikës së Pestë, është i
nevojshëm neutralizimi i gangrenave që gërryen pushtetin dhe që hipotekisht dhe
praktikisht po transformohen djallëzisht në pushtetin e ri; është i nevojshëm
frenimi i revanshistëve të rinj krahinaristë e punistë dhe ndarja e qartë me
falangat militante dhe ato të kundërligjit; është i nevojshëm një balancim i
mirëfilltë krahinor dhe kulturor i Ekzekutivit, administratës, sistemit të
drejtësisë dhe i shtyllave ndërtimore të piramidës shtetërore; është i
nevojshëm një rindërtim i Republikës, duke e pastruar nga hijet e
konservatorizmit të shekujve të shkuar, duke riformuluar Kushtetutën, duke e
bërë atë më të detajuar dhe pa asnjë zbrazëtirë të lirë për ata që hedhin
grushte ndaj së Drejtës, Balancës dhe Kontrollit ndërinstitucional, duke rritur
rolin korrektiv, ndërmjetësues dhe drejtues të kreut të shtetit; duke e
stabilizuar qëndrueshmërinë qeverisëse, jo duke e bërë atë despotike dhe
jokolegjiale, por duke e bërë atë të përgjegjshme dhe të shpjegueshme para
publikut dhe institucioneve të Drejtësisë. Republika e Pestë e nesërme ka
nevojë të ecë drejt prirjeve aktuale modernizuese të sistemeve qeverisëse,
drejt një parlamentarizmi me President korrektiv, ose edhe drejt një gjysmë
presidencializmi, nëpërmjet rritjes së pushteteve presidenciale, forcimit të
funksioneve kontrolluese parlamentare dhe sendërtimit të institucionit të
qeverisë hije. Sistemi ynë ndien të nevojshme rindërtimin nga e para të
piramidës së sistemit të drejtësisë, mbi bazën e një modeli më efektiv
perëndimor, që së bashku me rritjen e pavarësisë, të profilizimit dhe
ekspertizës, do të forcojë paralelisht edhe Institutin e Impeachment-it; duke
rindërtuar nga e para, bazuar në profesionalizëm dhe modernizëm, institucionet
e rendit publik dhe mbrojtjes së jetës dhe lirisë së qytetarëve.
Shqipëria ka nevojë për një reformim të sistemit partiak në vend, mbi bazën e
forcimit të imponuar të demokracisë së brendshme, ndërrimit të pakëmbyeshëm të
elitave drejtuese dhe nxjerrjes jashtë ligjit të partive që promovojnë dhunën.
Ndalimi me ligj i nepotizmit dhe i konfliktit të interesit, është një prej
vuajtjeve më të mëdha në rrugën e bërjes së shtetit. Në mënyrë definitive ky
ndalim mendoj se duhet të fillojë nga kupola e shtetit, në të gjitha
institucionet paralele dhe duhet të zbresë deri në hallkat bazë të tij, ku dëmi
i ndërlidhjeve farefisnore po vdes të drejtën dhe ligjin. Jemi një vend aq i
vogël, sa nuk ka hapësirë më për dy familjarë apo kushërinj në një institucion
të lartë apo në institucionin paralel kontrollues dhe balancues. Ka ardhur
momenti që zgjidhja e çështjeve të nepotizmit dhe e konfliktit të interesit të
bëhet një herë e mirë sot dhe jo nesër kur do të jetë tepër vonë.
Hapi tjetër përmbyllës i reformës institucionale do të duhet të jetë ajo
administrative, që do të synojë rikompozimin administrativ të Shqipërisë,
bazuar në ndarjet tradicionale krahinore paradiktatoriale, reformë e cila
mendoj se duhet t'i paraprijë reformës elektorale që do ta shndërrojë rendin
elektoral në një sistem maxhoritar një-emëror me një raund që imponon
paraprakisht formimin e dy aleancave elektorale të dallueshme, të prira nga një
lidership i paracaktuar. Kjo e fundit është e rëndësishme për të rritur
qëndrueshmërinë politike dhe përparimin e vendit në paqe.
Kryeministri i Shqipërisë së nesërme do të duhet të mendojë edhe një herë mirë
mbi këtë bazë këta dy muaj, për shtetin, sistemin e qeverisjes, formën e
organizimit shtetëror, parimet qeverisëse dhe tipin, formatin e koalicionit që
do t'i duhet të formulojë nga shtatori e tutje. Për ta filluar nga fundi,
pyetja më imediate që shtrohet para atij është konceptimi i koalicionit: a do
të jetë ky një aliazh politik i ngritur mbi bazën e modelit otomanist të
ndarjes qesim së plaçkës së fitores, siç ishim mësuar ta shikonim 45 muajt e
shkuar, apo do të jetë një koalicion programor europianist që nuk ndan
dikasteret ndër titullarë të etur për çifligje, por bën fuzionin programor dhe
e lë drejtimin dikasterial në duart e profesionistëve të afirmuar dhe të
mbështetur nga partitë? Pyetja e dytë, e cila kërkon një përgjigje të
argumentuar, ka të bëjë me administratën shtetërore: si do të jetë e mundur të
realizohet premtimi i bërë në fjalimin e së premtes parazgjedhore dhe atë të
fitores, për një shtet të të gjithëve, në rrethanat e objektivave të ndryshëm
të segmenteve përbërës të koalicionit për administratën e nesërme? Si do të
mbrohen profesionistët e administratës aktuale të shkolluar në Perëndim dhe ata
të formuar në shkolla universitare cilësore me cikël të plotë nga furia e
listave të militantëve të organizatave bazë të partive politike të koalicionit?
Pyetja e tretë ka të bëjë me periodën e reformës institucionale që do të duhet
të shndërrojë Republikën e Katërt, në Republikë të Pestë: A do të shpenzojë ajo
reformë gjithë mandatin dhe do të shkojë deri në harresë, apo do të marrë vetëm
kohën e nevojshme që i duhet një vendi normal europian me ngutësi integruese
për t'u shndërruar në demokraci të mirëfilltë? Cila do të jetë qasja me
sovranin në këtë reformë të gjerë institucionale? A do ta kënaqë pozita e re
publikun, duke ia vjelë edhe atij mendimin duke i dhënë ngurtësi Kushtetutës? A
do të ketë një hap tranzitor me një rikonfirmim të dytë? Pyetja e katërt ka të
bëjë me raportin e shtetit me komunitetet: a është e gatshme pozita e re të
respektojë veçantitë formative të bashkësive të caktuara shqiptare me
botëkuptim historikisht krejt të ndryshëm me botëkuptimin bazës themelore
mbështetëse militante të pozitës së ardhshme dhe të ndërtojë marrëdhënie
normale në një shtet të të gjithëve? Si do ta bëjë njohjen në shtet të të
drejtave të tyre të përfaqësimit adekuat? Si do ta materializojë ndjesinë e
bashkësive për të qenin në një shtet që nuk do të persekutojë e margjinalizojë
më asnjëherë askënd? Si do të frenojë shtrirjen e strukturave që në disa
segmente imponuan fiksim rezultati dhe që tani kërkojnë shpërblim, mbi të
drejtat e bashkësive tradicionalisht opozitare?
Dhe pyetja e fundit, por që në rendin e gjërave mbetet vuajtja më e madhe e
demokracisë shqiptare, pengu më i madh i pandershmërisë së Republikës së Katërt
ka të bëjë me lustracionin dhe përmirësimin e mbrojtjen e mëtutjeshme të
pasardhësve të të persekutuarve politikë të regjimit enverist: a është i
gatshëm Kryeministri i ri i Shqipërisë europianiste t'i shkojë së vërtetës deri
në fund dhe të pastrojë politikën shqiptare nga mëkatarët e djeshëm? Si është
konceptuar mbrojtja e praktikave integruese të ndërmarra deri në këtë kohë nga
qeverisja demokratike? A është i gatshëm Kryeministri i ri të gjejë dhe të
promovojë një ekuilibër të ri politik në vend dhe të frymëzojë paqen ndër
shqiptarët e traditave të përkundërta politike, në mënyrë që brezat e rinj të
Shqipërisë të njohin të djeshmen jo të lavdishme dhe të ndërtojmë mbi mësimet
nga gabimet e së shkuarës, të ardhmen e përbashkët të një kombi të ri modern
europian? Si e mendon Kryeministri i ri të bashkojë një komb aq të ndarë
politikisht për shkak të trashëgimisë së djeshme dhe të pardjeshme?
Vetëm dy fjalë për pozicionin e Shkodrës në këtë qershor elektoral.
Shkodra e traditës kulturore dhe patriotike ka një arsenal të pashfrytëzuem dhe
nji traditë të djathtë, njëkohësisht edhe liberale, që nuk mund të shuhet sot,
edhe mbas 50 vjet terrori komunist e pro-komunist dhe deformimit të frymës
demokratike në periudhën e tranzicionit. Ky është një fakt që duhet të çmohet e
të njihet nga qendra dhe që meriton me u transpozue në sipërfaqe të politikës
shqiptare. Drejtimi i ri politik në Tiranë do të duhet të kuptojë atë që s'e
kuptuan mirë pararendësit, se ka të bëjë me një qytetari të vetëdijshme për
vendin e saj në vllazninë ndërshqiptare, me një bashkësi qytetare të qartë dhe
të orientuar, me të cilën do të duhet të bëhet llogari në LIRI, në SHËRBIM
PUBLIK, duke ruajtur arritjet e deritanishme, në aspektet e respektimit të
normave elementare qytetare dhe duke i çuar arritjet e viteve të fundit më tej:
transformimin e qytetit dhe të rajonit në aspektin zhvillimor. Ajo çfarë ndodhi
në Shkodër është e lexuar, e kuptuar, e analizuar dhe dokumentuar në detaje nga
njerëzit që mendojnë mbi fakte, numra dhe sjellje, të vendosura përballë tyre
qartazi, e ndërlidhur me të shkuarën që ka nevojë për analizë të thellë dhe me
momentin që detyron reflektim shtetarësh. Gjithsesi, çfarë ndodhi është
krejtësisht e ndryshme nga pretendimi fillestar i një rotacioni edhe në
Shkodër, dhe për këtë mjafton të vlerësohet rezultati në kompleksitet, duke mos
harruar në llogaritje edhe forcat e djathta jashtë koalicioneve. shih:
http://result.cec.org.al/Results.aspx?UnitID =72&IsPS=0& Turnout=0&
LangID=1). Ky rezultat kërkon lexim të kujdesshëm, vlerësim pa ngutje dhe ai
sugjeron politika të matura në të ardhmen, bashkëpunim me bashkësinë qytetare
dhe organet e saj të zgjedhura demokratikisht, dhe asnjëherë në kundërvënie me
ata, konsulencë dhe ekspertizë para çdo emërimi të varur nga pushteti qendror
dhe mbi të gjitha mbyllje e çdo hapësire tash e tutje për çdo listim të
kotësisë. Instituti i Kundërfirmës së Ekzekutivit Krahinor, të zgjedhur
me votë të lirë, për emërimet nomenklaturë centrale, duhet të jetë një
procedurë që duhet ndërtuar nga e para. Reformat që përmenda më lart do të
duhet t'u japin fund edhe në këtë hapësirë imponimeve me sfond jodemokratik,
diletantizmit e pilotimit të përfaqësisë. Shkodra ka nevojë për kujdes maksimal
në trajtim dhe gabimet e shkuara nuk duhet të përsëriten. Kryeministri i
Shqipërisë së nesërme mban përgjegjësinë për ta çliruar mushkninë shkodrane nga
hijet e kundërrymës liberale, që nesër mund të bëhen edhe kockat e paasimiluara
në gojën e pushtetit të ri. Ky çlirim mund të vijë vetëm përmes seriozitetit të
implementimit të politikave centrale demokratizuese në të gjithë hapësirën,
përmes pranisë në përmasë të plotë të shtetit në kontrollin e territorit dhe me
largimin e çdo segmenti paragjykues nga vendimmarrja regjionale. Sot është koha
e shtetit për të gjithë, e trajtimit të barabartë dhe e punës për mirëqenien e
qytetarëve.
Vendi tashmë ka nevojë për paqe, përmes njohjes dhe korrigjimit të gabimeve të
së shkruarës, së largët dhe të afërt, bashkimit të shqiptarëve në një aksion të
përbashkët modernizues të ahtetit, të forcimit të lirive dhe të demokratizimit
të mirëfilltë.
-
*Universiteti Europian i Tiranës
Instituti i Historisë Bashkëkohore
Anëtar i Akademisë Shqiptare të Arteve dhe Shkencës