Muaji i vakancës, siç konsiderohet më së shumti gushti, nuk po
përjetohet si i tillë nga administrata e Bankës së Shqipërisë në Tiranë,
organet e specializuara të investigimit dhe procedimit, si dhe nga
aktivistë të shoqërisë civile, në një kohë që klasa politike në
përgjithësi është më e përmbajtur. Zbulimi së fundmi se nga arka e
thesarit të Bankës së Shqipërisë mungojnë rreth 713 milion lekë ka hequr
cipën e një skandali, sa i takon mënyrës se si sigurohen depozitat
monetare në njërin prej institucioneve, që në perceptimin e publikut
është konsideruar si super i sigurtë. Por dita ditës nga Prokuroria e
Republikës, që po heton në shkallë të gjerë vjedhjen, po dalin fakte
tronditëse, se vlerat monetare nuk jane ruajtur dhe administruar si
duhet dhe nga kjo kanë përfituar punonjës të brendshëm duke vënë dorë
mbi depozitat. Në një kohë që në opinion po hamendësohet se shuma është
edhe më e madhe se ajo që është artikuluar zyrtarisht dhe se skema e
vjedhjes kap nivele të tjera. Por gjithsesi për këto fjalën e fundit do
ta thonë prokurorët.
Paralelisht me hetimet, aktivistë të shoqërisë civile, pasi kanë
zhvilluar disa protesta me pjesmarrje modeste njerëzish, ditët e fundit
po lëvizin në Tiranë dhe rrethe të tjera të vendit në firmosjen e një
peticioni drejtuar Parlamentit me kërkesën kryesore për shkarkimin e
Guvernatorit. Aktivistët janë duke udhëhequr dhe një fushatë
sensiblizimi në rrjetet sociale pro nismës së tyre. Nga ana tjetër
ekspertët e pavarur tutje procedimit hetimor dhe debateve, që bëhen për
përgjegjësitë, janë duke kalkuluar dëmet nga ky skandal.
Arsye për debat mbi çështjen e stabilitetin e sistemit financiar
Eksperti i ekonomisë, Selami Xhepa, profesor në Institutin Kanadez të
Teknologjisë në Tiranë mendon se një ngjarje e kësaj përmase cënon
seriozisht besueshmerine e një prej institucioneve më të rendesishme të
vendit, siç është banka qendrore. Çështja nuk është as politike, dhe as e
lidhur me operimin dhe besueshmërinë e sistemit bankar, por
ekskluzivisht me mënyrën se si menaxhohet vetë ky institucion, thotë për
Deutsche Welle-n Xhepa.
"Për këtë arsye edhe pjesa më e madhe e opinionit publik mendoj se është
përqëndruar me të drejtë tek drejtuesit më të lartë të këtij
institucioni. Vjedhja e thesarit, fatkeqësisht për herë të dytë, dhe
mosreagimi i duhur nga drejtuesit e lartë nëpërmjet marrjes së barrës
morale të kësaj ndodhie, e bën opinionin publik shumë të ndjeshëm edhe
për rastin konkret. Mendoj se një akt dorehëqjeje do të ishte veprimi më
i drejtë për t'i rikthyer besimin publikut tek funksionarët e saj të
lartë. E përsëris se nuk ka asnjë arsye për të futur në debat çështje,
që lidhen me pavarësine e bankës qendrore, me stabilitetin e sistemit
financiar, me sistemin bankar, dhe çfarëdo aspekti parimor të sistemit,
me çështjen konkrete, që është sa penale, por dhe morale për drejtuesit e
këtij institucioni".
Pavarësisht nga artificat largimi i Guvernatorit është i pashmangshëm
Zef Preçi, drejtor i Qendrës Shqiptare për Kërkime Ekonomike
Për drejtorin e Qendrës Shqiptare për Kërkime Ekonomike, dr.
Zef Preçi, ajo që thirret si skandali i vjedhjes së thesarit të Bankës
së Shqipërisë, është shumëdimensional, sepse vjedhja është kryer nga
vetë punonjesit e Bankës, numri i madh i të përfshirve në këtë aferë për
një periudhë disavjeçare dhe ka dëmtuar rëndë sigurinë kombëtare dhe
kredibiliteitin publik të këtij institucioni. Por sipas tij, askush ende
nuk mund të japë me siguri përmasat e dëmit dhe shkallën e përfshirjes
së niveleve të ndryshme të menaxhmentit të instituticionit në ketë
aferë, të cilën ai e pëshkruan si kriminiale. Kemi të bëjmë për mendimin
tim me një krim të rëndë në një sektor me besueshmëri të padiskutueshme
deri në ditën e zbulimit të skandalit, thotë dr. Zef Preçi për Deutsche
Welle-n.
"Të kini parasysh kontekstin që ngjarja ka ndodhur në një vend si
Shqipëria, ku humbja e kursimeve monetare në skemat piramidale, ose
"˜bankat fantazëm' të vitit 1997 çuan në krizën e rëndë të asaj kohe.
Fatmirësisht ky skandal nuk ka prekur stabilitetin makro-ekonomik të
vendit dhe veprimtaria e bankave tregtare vazhdon normalisht. Sa i takon
manaxhmentit të Bankës së Shqipërisë, të favorizuar ndoshta edhe nga
heshtja institucionale e qeverisë, mazhorancës së majtë, por edhe nga
besimi i (ri)kthyer nga politika te organet e drejtesisë për hetimin e
rastit në fjalë, deri më tani qendrojnë "˜në krye të puneve', ndonëse
shqetësimi publik rreth marrjes së përgjegjesive, më saktë, dorëheqjes,
apo shkarkimit të Guvernatorit Fullani duket se është në rritje".
Nisur nga ky arsyetim dr. Zef Preçi parashikon që kjo histori është në
dinamikë dhe pavarësisht artificave, që mund të përdoren, largimi i
Guvernatorit Fullani është i pashmangshëm.
"Edhe takimi i fundit joformal mes tij dhe ambasadorit të SHBA-ve në
Tiranë, pak para se të fillonte mbledhja e Këshillit Mbikqyrës të Bankës
së Shqipërisë, është për mendimin tim një koincidencë e rastit, që nuk
ndihmon në kapërcimin e krizës".
Procedimi ligjor levizje e vështirë dhe me kosto
Për dr. Zef Preçin pavarësisht ndjeshmërisë publike në rritje, hapat e
mëtejshëm institucionalë do t'i referohen vetëm ligjit, që sipas tij
është në favor të Guvernatorit, i cili ka status të disafishtë: edhe
anëtar i Këshillit Mbikqyrës, edhe kryetari i tij, edhe drejtor
ekzukutiv i përgjithshëm i Bankës. Ai gëzon një mbrojtje të fuqishme
ligjore, por për fat të keq, në rastin e një krimi të tillë ai ka humbur
kredon morale, ndaj dhe largimi nga detyra është çështje kohe përsërit
për DW, dr. Zef Preçi.
"Zgjidhja më e përshtatshme për kapërcimin e krizës - edhe pse çdo ditë
qe kalon e bën më të komplikuar situatën - mbetet dorëheqja vullnetare e
Guvernatorit Fullani, si një akt moral dhe provë e mospërfshirjes së
tij në aferën në fjalë. Procedura të tilla, si pezullimi nga Kuvendi,
ngritja e një komisioni hetimor parlamentar, apo shkarkimi nga Kuvendi,
etj, janë levizje më të vështira, që kanë kosto dhe që rrezikojnë
shtimin e tensioneve sociale dhe përdorimin politik të rastit. Ndërkohë,
ekonomia e dobët, performanca ende jo në nivelet e pritshme të
administratës fiskale, prania e gjerë e korrupsionit, zhytja e
administratës në korrupsion, ndikimi i elementëve të krimit te
organizuar mbi zhvillimet politike dhe përfshirja e tyre në sektorët më
fitimprurës të ekonomisë janë probleme, që lidhen me vetë funksionimin
më të mirë të sistemit bankar në vend."
Për dr. Preçin zgjidhja ligjore, institucionale dhe sa më e shpejtë e
skandalit të vjedhjes së parave në Bankën e Shqipërisë i shërben
forcimit të stabilitetit ekonomik e shoqëror të vendit.