Deklarimi i kryeministrit të vendit, Hashim Thaçi, se
askush nuk do të mund t'ia grabisë legjitimitetin qytetarit të Kosovës
dhe se PDK-ja do të jetë ajo që do ta bëjë Qeverinë e re, po shihet si
presion nga distanca ndaj Gjykatës Kushtetuese pak ditë para përballjes
së të dyja blloqeve në seancën dëgjimore, raporton KTV.
Deputetja e rizgjedhur e AAK-së, Donika Kadaj Bujupi, thotë se
është në natyrën e kryeministrit në ikje që institucionet e pavarura
qoftë t'i kërcënojë apo t'i pushtojë tërësisht dhe kjo po vërehet edhe
në raport me kushtetuesen.
Njësoj si AAK-ja, lëvizjet e Thaçit i sheh edhe Vetëvendosja. E
derisa Thaçi sheh përpara një koalicion të gjerë, përgjigje i dha Aida
Derguti, përcjell koha.net. Ajo tha se në asnjë formë Vetëvendosje nuk
do të jetë aty ku është edhe PDK-ja dhe Hashim Thaçi.
Ndërkohë, analisti Shpend Kursani thotë se ky është një kërcënim i
pastër që e ka bërë kryeministri dhe kërkon nga organet e rendit që më
seriozisht të merren me të.
Kryeministri në ikje, Hashim Thaçi, në një intervistë për "Deutsche
Welle", ka deklaruar se "institucionet nuk do të ndërtohen mbi mllefe,
por duke respektuar në plotëni legjitimitetin qytetar, duke thënë se
askush nuk do të mund t'ia grabisë legjitimitetin qytetarit të Kosovës".