Ndërsa e gjithë bota ishte e përqendruar këtë javë në Lojërat Olimpike në
Londër, Enti Amerikan i Hapësirës së Lartë, NASA njoftoi të Djelën, se pas
tetë vjet përgatitjesh dhe pas tetë muaj udhëtimi, mjeti eksplorues amerikan,
i quajtur Curiosity (Kurozitet), është ulur me sukses në sipërfaqen e planetit
Mars duke i dhënë kështu fund një udhtimi prej 36 javësh, për të filluar tani
eksplorime dhe hetime në planetin e kuq e të cilat do të zgjasin dy vjet ose
më shumë.
Duke njoftuar uljen e sondës me energji bëthamore Curiosity në Mars,
Administratori i agjencisë NASA, Z. Çarlës Bolden tha se ky ''mjet është më i
sofistikuari që është ndërtuar ndonjë herë dhe se misioni i tij është që të
përpiqet t'i përgjigjet pyetjes që është aq e vjetër sa edhe historia e
njerëzimit, dmth nëse në Mars ka ekzistuar ndonjëherë jeta si e njohim ne, ose
nëse ai planet mund të bëjë të mundëshme jetën atje.'' Ai shtoi se ky është një
triumf dhe arritje e mrekullueshme, falë punës së një grupi inxhinierësh dhe
shkencëtarësh nga e gjtihë bota, të udhëhequr nga burrat dhe gratë e agjencisë
NASA. '' Në njoftimin e NASA-s për media, thuhet se Administratori i NASA-s i
dha kredinë për këtë sukses presidentit Obama, duke thënë se ''Presidenti Obama
ka përcaktuar një vizion të qartë për të dërguar njerëzit e parë në planetin
Mars aty nga gjysma e 2030-ave dhe se ulja këtë javë e sondës bërthamore Curiosity në planetin e kuq është hapi i parë i rëndësishëm drejtë arrijtjes
së këtij objektivi.''
Këjo ndërmarrje konsiderohet si një arrijtje e pashoqe në programin hapësinor
pasi ekspertët e NASA-s thanë se këjo ishte ulja më e vështirë që është
ndërmarrë ndonjëherë, duke i cilësuar shtatë minutat e uljes, si "shtatë
minuta terrori''. Ulja e mjetit hapësinor amerikan Curiosity, e madhësisë së
një veture dhe i pajisur me 17 kamera, nevojiti përdorimin e një parashute,
ndezjen e motorave dhe një vinç për të bërë që mjetit hapësinor t'i ngadalësohej
shpejtësia prej 22-mijë kilometrash në orë. Misioni i sondës Curiosity, sipas
zëdhënësve të NASA-s është që të eksplorojë gjurmët e mikrobeve në atë planet
nga ku, gjatë dy vjetëve të ardhëshëm, do të marrë dhe do të dërgojë fotografi
dhe imaxhe nga planeti Mars. Në të vërtetë, menjëherë pas uljes, sonda
Curiosity dërgoi fotografitë e para në Tokë, sikurë të donte të justifikonte
shpenzimet e mëdha prej dy miliardë e gjysëm dollarësh, një shpenzim ky që e
bën këtë ndërmarrje hapësinore misionin më të të shtrenjtë të eksplorimeve të
NASA-s në planetin Mars, i cili gjendet 154 milionë milje larg nga Toka.
Ulja në Mars e këtij mjeti ishte një hap i madh për të ardhmen e agjencisë
NASA, pasi ajo është goditur rëndë nga shkurtimet në buxhetin e saj dhe madje
programi i saj kryesor gjatë 30-vjetëve të kaluar ''shuttle'' i anijeve për
vajtje-ardhje në hapësirë është anulluar nga adminsitrata e presidentit Obama.
Por megjithkëtë, me këtë rast, Presidenti Obama lëshoi një deklaratë duke e
cilësuar uljen e sondës Curiosity në planetin Mars të djelën si një ''arrijtje
e pashembullt e teknologjisë, e cila do të shërbejë si një pikë referimi e
krenarisë kombëtare në të ardhmen.''
Astronauti Buss Aldrin së bashku me astronautin Neil Armstrong ishin njerëzit e
parë që u ulën në Hënë verën e vitin 1969, dhe të cilët e njoftuan botën me
radio se ''Shqipja ishte ulur'', (The Eagle has landed). Ai ka thënë për
rrjetin televiziv CNN se ç'prej asaj kohe kanë kaluar dyzet vjetë dhe se ka
ardhur koha për një misjon hapësinor për të kolonizuar Marsin. Ai ka shtuar se
Shtetet e Bashkuara kanë shënuar suksese të mëdha në hapësirë gjatë dekadave të
kaluara, por ajo që Amerika nuk ka bërë është të frymëzojë, jo vetëm botën por
edhe vet-veten, me një vizion të guximshëm për të ardhmen tonë në hapësirë.
''Unë besoj '', shtoi ai'' se ''destinacioni duhet të jetë planeti Mars, vendosja
e një kolonie njerzish në një botë tjetër....së pari në njërën prej hënave të
tij dhe më vonë në sipërfaqen e Marsit.'' Astronauti amerikan Buzz Aldrin i ka
thënë CNN-it se eskplorimi i Marsit, ndër të tjera, mund të na mësojë mbi të
kaluarën dhe të ardhmen e botës sonë. "E ardhmja e Amerikës në hapësirë
sapo ka filluar. Ka ardhur koha që të vazhdojmë udhëtimin'', ka thënë ai për
CNN.
Megjithëse, ne këtë periudhë të vështirë problemesh ekonomike dhe financiare me
të cilat po përballet Amerika dhe bota, shumë veta në Administratën e
presdienti Obama, në Kongres dhe gjetiu bëjnë pyetje nëse këto fonde, për
programin e eksplorimit të planetit Mars, mund të përdoreshin për diçka tjetër,
si për shembull për nevojat e njerëzve këtu në tokë. Shqetsimeve të tilla besoj
se iu përgjigj më së miri një editorial i ditëve të fundit në gazetën kombëtare
amerikane USA Today, në të cilin thuhet: "Një prej përfitimeve kryesore të
projekteve të tilla si ky është promovimi i besimit të Amerikës në vet-veten.
Gjatë gjithë historisë, shtetet që eksplorojnë dhe që angazhohen në shkencë,
kanë udhëhequr botën. Duke filluar nga shekulli i 15-të, për shembull, vendet
evropiane dërguan eksplorues anembanë botës duke frymëzuar dhe duke nxitur
mendimtarët e mëdhenj të asaj kohe si Koperniku, Galileo dhe Newton për të
shpikur fizikën dhe astronominë moderne. Nuk është e rastit, pra, që Evropa
dominoi botën deri në fillim të shekullit të 20-të'', thuhet në editorialin e
gazetës kombtare amerikane.
Editoriali i gazetës USA Today përfundon duke thënë se ''ata që dëshirojnë të
presin buxhetin e programeve hapsinore nuk kanë mësuar nga historia dhe nuk i
shohin mundësitë e mëdha që sjellë e ardhmja -- mundësi këto që pasqyrohen në
çdo imazh e fotografi që po dërgon në Tokë mjeti hapësinor Curiosity nga
planeti Mars.''
Në këtë periudhë pasigurie të historisë, të konflikteve të mbrendshme politike,
krizash ekonomike dhe luftërash që kanë pllakosur botën, arritjet historike të
shteteve siç është ulja e sondës Curiosity në sipërfaqen e planetit Mars dhe
sukseset individuale të atletëve nga të gjitha anët e botës në Lojërat Olimpike
në Londër na ri-përtritin besimin në aftësitë dhe vullnetin e pashterrshëm të
individit dhe të shteteve për të ndërmarrë veprime për të mirën e njerëzimit,
dhe të cilat, në të njëjtën kohë ritheksojnë, edhe frymën e garës paqësore dhe
miqësore, qoftë në hapësirë, qoftë në garat olimpike.