Anembanë trojeve shqiptare në Ballkan dhe gjithku jetojnë shqiptarët anembanë
botës, muajin që kaloi u festua denjësisht 100-vjetori i Pavarësisë Kombëtare,
duke kujtuar me solemnitet dhe duke nderuar burrat dhe gratë të cilët kanë
sakrifikuar jetën dhe kanë kontribuar me talentet e tyre për të siguruar këtë
pavarësi dhe liri që gëzon dhe që festoi kombi shqiptar. Shekulli i parë ishte
një shekull sakrificash dhe heroizmash, pushtimesh e diktaturë komuniste, me të
gjitha të mirat e të këqiat, me gjithë sukseset dhe dështimet -- këtë vit që po
merr fund -- u shënua dhe u celebrua me krenari, 100-vjet i të qenët shqiptar.
Shekulli i kaluar dhe luftërat heroike të shqiptarëve gjatë shekujve të mëparshëm, për të realizuar më në fund këtë pavarësi 100-vjeçare, ishin tepër
domethënëse për kombin. Imponimet e historisë dhe të rrethanave të kohërave
kombin shqiptar e kanë bërë ai që është sot, i ndarë dhe i përçarë në pesë
shtete, pothuaj si asnjë popull tjetër në botë, megjithëse me shekuj jeton në
një hapësirë homogjene etnike.
Por megjithë këtë histori të dhimbëshme, 100-vjetët e ardhëshëm janë
ekskluzivisht në dorë të shqiptarëve për të krijuar dhe ndërtuar një të ardhëme
ashtu siç e dëshirojnë vet shqiptarët, duke marrë përsipër përgjegjësitë dhe
obligimet si indidvidë dhe si shoqëri, por mbi të gjitha si komb. Dhe si të
tillë, duke pyetur vetveten, nëse gjëndja e sotëme në të cilën gjëndet kombi
shqiptar është e pranueshme dhe nëqoftse jo, çfarë duhet bërë? Duke iu
përgjigjur kësaj pyetjeje, secili ka rolin e vet për të luajtur por edhe
përgjegjësitë, si anëtar i denjë i kombit të vet.
Gjergj Kastrioti -- Skendërbe, Lidhja e Prizrenit, si dhe patriotët, në krye me
Ismail Qemalin, të cilët 100-vjetë më parë shpallën Pavarësinë Kombëtare,
kishin një vizion të qartë dhe të vendosur për të ardhmen e kombit shqiptar.
Ata ishin burra të mençur, të flakët në patriotizëm dhe të përkushtuar, jo ndaj
interesave personale, por ndaj parimeve të tyre kombëtare dhe dashurisë për
Atdheun, që më në fund pas 500-vjetë pushtimi osman, bënë që ''Shqipëria me sot
të bëhet më vete, e lirë e mosvarme''.
Ndërsa po mbyllen festimet e 100-vjetorit të parë të Pavarësisë Kombëtare dhe
ndërkohë që fillon shekulli i dytë i shqiptarëve, cili është vizioni për të
ardhmen e kombit që e dëshiron brezi i sotëm i shqiptarëve -- ky brez i
privilegjuar i cili udhëhoqi dhe me krenari mori pjesë në festimet e
100-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë -- për ta bërë Shqipërinë dhe për ta
radhitur kombin shqiptar me kombet e tjera evropiane, aty ku historia ia caktoi
vendin?
Them brez i privilegjuar sepse në çerek shekullin e kaluar ky brez ishte
dëshmitar dhe në shumë raste edhe pjesëmarrës në sigurimin e lirisë dhe në
rivendosjen dhe zgjërimin e të drejtave dhe lirive individuale dhe kombëtare
për të gjithë shqiptarët. Shqiptarët kudo që janë, kurrë më parë nuk kanë
gëzuar më shumë të drejta dhe liri se sot. Historia ka filluar të ndreqë
gabimet dhe disfatat që ka pësuar kombi ynë gjatë shekujsh, ashtuqë ëndërra e
rilindasve të shkojë në vend. Karl Sandburg, shkrimtari dhe poeti amerikan ka
thënë se asgjë nuk ndodhë, nëqoftse më së pari nuk fillon si ëndërrë. Dhe sipas
Eleanor Rusvelt e ardhmja është e atyre që besojnë në bukurinë e ëndërrave të
veta. Ëndërra e rilindasve të kombit shqiptar është në realizim e sipër, por
është tani në dorë të këtij brezi të shqiptarëve -- e sidomos të klasës
politike në të gjitha trojet -- që liria që gëzojnë sot shqiptarët të forcohet,
të konsolidohet dhe të përjetësohet, ashtuqë ëndërra e tyre të bëhet realitet
dhe të shkojë në vend amaneti i rilindasve patriotë.
Ku janë sot patriotët dhe heronjtë e kohës moderne? Fatbardhësisht, rrethanat
historike sot janë të tilla, se për të qenë hero nuk është e nevojshme dhe as e
detyrueshme që doemosdo duhet të japësh jetën për kauzën e lirisë ose të
pavarësisë së kombit tend. Por ama, për të konsoliduar dhe për të gëzuar lirinë
e sotëme për çdo shqiptar, ashtu siç dëshironin patriotët e Shpalljes së
Pavarësisë, nevojitet ndihma e Zotit dhe bashkimi me mend e me zemër me njëri
tjetrin -- pa dallim -- për qëllime dhe ide të përbashkëta, ashtuqë të
realizohet vizioni i para-ardhësve për një komb të lirë e të bashkuar. Sepse,
për ndryshe, siç kemi mësuar gjatë historisë së kombit shqiptar, armiqtë e
lirisë dhe të pavarësisë së shqiptarëve, në mungesë të këtij bashkimi ideshë e
qëllimi nga vet elita shqiptare, do të vazhdojnë të përdorin si gjithëherë
metoda të ndryshme në interes të tyre dhe në dëm të shqiptarëve, për të
manipuluar dhe shtrëmbëruar historinë e kombit shqiptar.
Nënshkruesit e Shpalljes së Pavarësisë Kombëtare me ndihmën e Zotit dhe të
bashkuar rreth një ideje dhe qëllimi të përbashkët, kërkuan jo vetëm lirinë dhe
pavarësinë për popullin e vet por në të njëjtën kohë edhe rivendosjen e të
drejtave të kombit të tyre që i ishin grabitur gjatë shekujve, pa pëlqimin dhe
kundër vullnetit të tij. Ideja e tyre ishte liria personale, vet-qeverisja dhe
bashkimi kombëtar. Megjithëse, ata fatkeqsisht nuk e gëzuan pavarësinë, idealet
e tyre mbijetuan, por që ato të lulëzojnë, kërkohet angazhim dhe dedikim i
plotë dhe serioz ndaj këtyre parimeve.
Kështuqë ndërsa fillon 100-vjetori i dytë i pavarësisë kombëtare të
shqiptarëve, le të ndalemi dhe të falenderojmë të Madhin Zot dhe rilindasit
largpamës për vizionin e tyre, për një komb dinamik të bashkuar në liri dhe
pavarësi.
Këtu në Amerikë thuhet se lufta për sigurimin e lirisë në të vërtetë nuk
fitohet kurrë, dhe se ruajtja e lirisë është një proces që nuk mbaron
asnjëherë. Mbrojtja e lirisë individuale dhe kombëtare është një obligim dhe
përpjekje e vazhdueshme e çdo gjenerate.
Në prag të 100-vjetorit të dytë mbetet aq shumë për t'u bërë. Me sigurimin e
pavarësisë kombëtare, duhet tani të punohet për pavarësinë e individit dhe për
të drejta të barabarta për të gjithë, por edhe për sigurimin e mundësive që çdo
shqiptar e shqiptare të zhvillojë potencialin e tij ose të saj për të qenë të
aftë të kontribojnë për veten dhe shoqërinë. Për të krijuar një shoqëri që nuk
bazohet në frikë, as nga shteti as nga krimi, por një shoqëri e cila vepron si
individ dhe si komunitet për të përmirësuar jetën e çdo njërit, ashtuqë secilit
t'i jepet mundësia që të zhvillojë kapacitetet e veta mendore, intelektuale dhe
fizike për mirëqenjen e vet, të shoqërisë në të cilën jeton dhe në interest të
kombit.
Le të jetë shekulli i dytë i Pavarësisë Kombëtare një shekull shprese,
bashkimi, arsyeje, mirëkuptimi me njëri tjetrin dhe ndryshimesh pozitive, por
të jetë gjithashtu edhe një shekull lirie dhe integriteti personal dhe
kombëtar. Të jetë gjithashtu edhe një shekull kur udhëheqsit e sotëm shqiptarë
të të gjitha trevave dhe të gjitha bindjeve politike -- të mos kenë frikë nga e
ardhmja -- por të punojnë me seriozitetin më të madh për një imazh të kombit
shqiptar në arenën ndërkombëtare, i cili rrjedhë nga bindja dhe krenaria e
realizimit të ëndërrës së rilindasve të kombit shqiptar.