Viti i ri politik duket se do të ketë fatin e paracaktuar nga zhvillimet e
vitit paraprak. Një fund i keq, në kuptimin kalendarik dhe politik njëherësh,
nuk ka sesi të ketë një fillim të mbarë. Konfrontimet mes dy partive më të
mëdha maqedonase vijojnë të jenë aktive edhe në këtë periudhë fillimjanari, me
rrezikun që vendi të marrë udhën drejt një krize të pazgjidhshme politike, që
në të vërtetë është permanente prej kohësh.
Prej dy-tri javësh, opinioni dhe qytetarët presin ankthshëm se ç'do të ndodhë
me të ardhmen politike dhe integruese të vendit, pas zhvillimeve
antidemokratike plot dramacitet të ndodhura më 24 dhjetor. Një opozitë e
shqetësuar më shumë për veten dhe një pushtet moskokëçarës, është tabloja e
parë që të shfaqet sysh sapo mendon situatën e krijuar. Në fakt, politika
ballkanike dhe asfare evropiane del të jetë modeli kryesor dhe i përbashkët i
veprimit të dy partive më të mëdha maqedonase, që ndonëse vetëshpallen si
bartëse të shtetit, punojnë me sedije për shkatërrimin e tij. Ky ngërç brenda
politikës maqedonase ka arritur të pezullojë plotësisht këto ditë funksionimin
e jetës parlamentare dhe të krijojë imazhin e një vendi me mungesë stabiliteti
të qëndrueshëm politik, duke u shquar kësisoj nga të gjitha vendet e rajonit
për paaftësinë në zgjidhjen e kontesteve me mjete politike, në rrugë
institucionale dhe ligjore.
Në të tilla rrethana, kushtet e opozitës maqedonase do të mbeten të
parealizueshme për sa kohë që nuk gjendet një modus vivendi dhe të vendoset
dialogu mes palëve, që është thelbësor për funksionimin e shtetit. Pushteti
duhet të ketë medoemos sens për kërkesat e opozitës, sado e keqe apo e mirë të
jetë ajo, pasi realizueshmëria e tyre është tregues për nivelin demokratik me
të cilin qeveriset shteti. Opozita, në çdo vend tjetër normal, nuk shpërfillet
dot dhe kjo përbën standard politik që duhet respektuar nga cilado qeveri.
Metodat e funksionimit unilateral duhet flakur tej, sepse situatat sikurse ato
të 24 dhjetorit do të jenë të pashmangshme edhe në të ardhmen.
Po zgjidhja? Një takim liderësh dhe garancia e partive qeverisëse për zgjedhje
të lira dhe korrekte, do të ishte minimumi që do të mundë të bëhej për të
krijuar shtegdaljen e këtij ngërçi ndërmaqedonas, që po nuk u zgjidh në afate
të arsyeshme kohore, mund të ketë pasoja vështirë të riparueshme për shtetin.
Të paktën, gjithashtu, partitë qeverisëse do të duhej t'u bënin thirrje që tani
organizmave ndërkombëtarë për të dërguar ekipet e tyre të vëzhgimit duke
krijuar mirëbesimin e nevojshëm për një proces zgjedhor të rregullt dhe pa
hile. Një veprim i tillë do të përbënte alternativën e kërkesës opozitare për
formimin e qeverisë teknike dhe ndërrimin e ministrave të Punëve të Brendshme
dhe të Drejtësisë, që në gjykim të parë, është e papranueshme për cilëndo
strukturë qeverisëse. Asnjë syresh nuk do të përcaktohej kurrë për riformatime
dhe ndryshime kadrovike të diktuara nga opozita, aq më pak me argumentin se ato
do të krijonin ambient më demokratik për zhvillimin e zgjedhjeve. Vështirë të
ketë një aksh qeveri në botë, me mend në kokë, që do të pranonte në këtë mënyrë
deficitin eventual demokratik të vendit që ajo drejton. E pamundur!
Sidoqoftë, bojkotimi i zgjedhjeve lokale është versioni më i keq dhe më pak i
dëshirueshëm, që do të kishte kosto të lartë për demokracinë dhe procesin
integrues të vendit, për të cilin është investuar jo pak në mbi dy dekada të
pavarësisë. Duke qenë kështu, duhet shpeshtuar përpjekjet për t'u rikthyer
besimi mes palëve dhe të dilet nga kjo situatë dëmprurëse për shtetin, për
qytetarët në përgjithësi dhe për shqiptarët, në veçanti. Këta të fundit, si
dashnorë të vlerave perëndimore dhe të integrimit në BE dhe NATO, duhet të jenë
të brengosur për faktin se përplasjet ndërmaqedonase janë kazma që i vihet
proceseve integruese, të cilat siç është e njohur tashmë, parakushtëzohen me
zgjidhjen e kontestit të emrit (një çështje kjo, që nuk duket se ka zgjidhje
për aq kohë sa do të zgjasë mungesa e konsensusit ndërmjet partive maqedonase,
akëcila e dalldisur pas sa më shumë votuesve).
Por, nuk duhet shumë mend për të kuptuar se zhvillimet aktuale po
shpërqendrojnë në mënyrë të paevitueshme edhe agjendën e sosjes së kërkesave
dhe të interesave shqiptare, e stigmatizuar vijimisht nga politika maqedonase.
Megjithëkëtë, kjo nuk do të thotë se energjia konfrontuese në bllokun maqedonas
duhet rivendosur në relacionin e saj me politikën shqiptare, sepse përfitimet
politike nga konfliktet dhe tensionet është një e kaluar për Maqedoninë,
ndonëse jo për platformat e disa partive politike. Realisht, dialogu me politikën
maqedonase në realizimin e përbashkët të Marrëveshjes së Ohrit dhe
intensifikimi i procesit integrues në BE dhe NATO, janë tabani i vetëm që
premton përmbushjen e kërkesave shqiptare dhe rrjedhimisht, një shtet stabil
dhe të arrirë për të qenë krah për krah me vendet perëndimore.