Në bibliotekën e enigmave, të dosjeve të pahapura, të kapitujve të pazbërthyer
dhe të rebuseve të panumërta të marrëdhënieve dypalëshe mes Shqipërisë dhe
Serbisë, u shtua me fillimin e vitit të ri edhe një marrëveshje e re, e paqartë
dhe e errët.
Në uebsajtin e qeverisë shqiptare është publikuar njoftimi se në datën 9 janar
2013, Këshilli i Ministrave vendosi "Miratimin, në parim, të marrëveshjes,
ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së
Republikës së Serbisë, për mundësimin mbi baza të ndërsjella të familjarëve të
anëtarëve të misioneve diplomatike apo posteve konsullore për t'u angazhuar në
veprimtari fitimprurëse. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë".
Është vështirë të përpiqesh të marrësh me mend se cili ka qenë ai grup interesi
apo lobist, që e ka detyruar qeverinë e Shqipërisë të hartojë dhe të
nënshkruajë një marrëveshje të nivelit më të lartë qeveritar për interesin dhe
veprimtarinë fitimprurëse të pesë apo gjashtë vetëve, që mund të përbëjnë
numrin e bashkëshorteve dhe të fëmijëve të diplomatëve të Shqipërisë në
Beograd.
Është vështirë të marrësh me mend se çfarë fuqie ekonomike,
financiare, politike apo të ndonjë lloji tjetër, duhet të ketë ky grup interesi
apo lobist, që ka detyruar ministrin e Jashtëm të Shqipërisë t'i propozojë
qeverisë këtë marrëveshje mes qeverive të të dyja vendeve, dhe që ka detyruar
Kryeministrin e Shqipërisë të vendosë firmën e tij të miratimit në këtë
marrëveshje.
Edhe më profani e kupton, nga formulimi dhe nga hapësira juridike që krijon kjo
marrëveshje, se marrëveshja nuk ka të bëjë as me interesat e Shqipërisë, as të
shtetit shqiptar dhe as të kombit shqiptar. Theksojmë se është një marrëveshje
e dy qeverive, e cila garanton sigurinë qeveritare dhe juridike për
veprimtarinë fitimprurëse të pesë apo gjashtë vetëve, që përbëjnë familjarët e
diplomatëve të ambasadës së Shqipërisë në Beograd. "Veprimtaria fitimprurëse"
është eufemizmi që kanë gjetur hartuesit e marrëveshjes, për të lejuar
veprimtarinë tregtare dhe biznesin në Serbi të familjarëve të personelit të
ambasadës në Beograd. Në konceptin ligjor shqiptar dhe ndërkombëtar "veprimtari
fitimprurëse" përkufizohet biznesi. Kjo përbën thelbin e marrëveshjes, e cila
që në titullin e saj dhe në të gjashta nenet e saj, përsërit pareshtur termin
"veprimtari fitimprurëse", çka dëshmon ngulmimin për të përligjur juridikisht
dhe zyrtarisht lejen e veprimtarisë së biznesit të familjarëve të ambasadës
shqiptare në Serbi.
Kjo gatishmëri e çuditshme e qeverisë së Shqipërisë për të garantuar me marrëveshje
qeveritare veprimtarinë fitimprurëse tregtare të familjarëve të personelit të
ambasadës shqiptare në Beograd, nuk mund të mos nxisë për hulumtime për
asocimin me interesa të caktuara të padeshifrueshme të qarqeve të caktuara në
Tiranë dhe në Beograd. Nuk është e qartë nëse kjo marrëveshje e dy qeverive
është bërë për të justifikuar dhe bërë të ligjshme ndonjë veprimtari
fitimprurëse të familjarëve të stafit diplomatik në Beograd, e cila ka nisur me
kohë dhe po zhvillohet me sukses dhe tani ka nevojë për mbulim juridik. Nuk
është e qartë nëse marrëveshja mes dy qeverive është bërë për të startuar
veprimtari fitimprurëse të stafit diplomatik apo nëse është bërë për t'u
sheshuar rrugën projekteve të rëndësishme fitimprurëse të familjarëve të stafit
diplomatik. Nuk është e qartë as nëse hartimi i kësaj marrëveshjeje është
iniciuar nga kompani apo institucione shtetërore dhe private serbe, të cilat
kanë interes të kenë si bashkëpunëtorë biznesi familjarët e ambasadës së
Shqipërisë në Beograd.
Për sqarimin e lexuesit duhet kujtuar se familjarët e stafit diplomatik,
bashkëshortet dhe fëmijët, janë të pajisur që të gjithë me pasaporta
diplomatike dhe gëzojnë imunitetet dhe privilegjet që rrjedhin nga statusi
diplomatik. Eufemizmi "familjarët" përdoret për të larguar vëmendjen nga e
vërteta se ata janë të pajisur me pasaporta diplomatike, gëzojnë status
diplomatik dhe në këtë cilësi hyjnë edhe në veprimtaritë fitimprurëse tregtare
në Serbi.
Për t'i dalë përpara ndonjë konfuzioni apo spekulimi që mund të përhapet nga
ndonjë zyrë shtypi qeveritare, mendojmë se është e nevojshme të sqarohet
lexuesi se kjo marrëveshje e re me qeverinë e Serbisë nuk është marrëveshje
punësimi e familjarëve të personelit të ambasadës. Sepse tjetër gjë është e
drejta e punësimit të familjarëve të personelit të ambasadës në shtetin ku janë
akredituar, dhe krejt tjetër gjë është një marrëveshje për lejimin e
veprimtarisë së tyre fitimprurëse tregtare në shtetin ku janë akredituar. Në
praktikën diplomatike ndërkombëtare dhe shqiptare ekziston tipi i marrëveshjes
mes dy Ministrive të Jashtme për punësimin reciprok të anëtarëve të familjeve
të diplomatëve në shtetet respektive. Por ajo është marrëveshje për punësim dhe
në rastin e punësimit nuk ka nevojë për licenca, siç parashikon marrëveshja e
tanishme. Për licenca kanë nevojë veprimtaritë e biznesit. Në rastin e Serbisë
dhe të specifikës historike dhe aktuale të marrëdhënieve të Shqipërisë me
Serbinë, edhe një marrëveshje për punësimin e familjarëve do të hante diskutim.
Marrëveshja e re mes qeverisë së Shqipërisë dhe qeverisë së Serbisë krijon një
konflikt të hapur interesi, sepse ndërlidh interesat e familjarëve të ambasadës
me interesat e kompanive shtetërore dhe jo shtetërore serbe, që merren me
biznes, i lidh interesat e familjarëve të personelit diplomatik, pra dhe të
vetë personelit diplomatik, me institucionet shtetërore dhe jo shtetërore
serbe, të cilat merren me veprimtari fitimprurëse tregtare dhe të tjera. Sepse
në nenin 3 të marrëveshjes theksohet se do të jetë vetë ambasada e Shqipërisë,
pra diplomatët, që do të kërkojë nga Ministria e Jashtme e Serbisë autorizimin
për t'u marrë me veprimtari fitimprurëse.
Lidhja e interesave të familjeve të stafit diplomatik me interesat e kompanive
apo të institucioneve serbe që prodhojnë apo sponsorizojnë veprimtari
fitimprurëse tregtare, e bën që jo vetëm të nënvleftësohen, por dhe të bihet
ndesh me interesat e shtetit dhe të ekonomisë së shtetit që i ka dërguar. Është
vështirë të parashikohet se si qeveria e Shqipërisë do të arrijë të përputhë
kriteret e certifikatës së sigurisë, që duhet të kenë diplomatët e akredituar
në Serbi, me kriteret e interesit të fitimit familjar, që ofron biznesi dhe
shteti serb për familjarët e diplomatëve. Qeveria i vë me ndërgjegje shkelmin
të ashtuquajturës diplomaci ekonomike, të cilën ministrat tanë të Jashtëm, e
pretendojnë pareshtur sikur kanë zbuluar Amerikën. Sepse në vend të diplomacisë
ekonomike të Shqipërisë, ambasada inkurajohet të merret me diplomacinë
ekonomike të shtëpisë.
Marrëveshja është një shkelje e hapur e Konventës së Vjenës për marrëdhëniet
diplomatike, e vitit 1961, e cila përjashton në mënyrë kategorike çdo
veprimtari biznesi të personelit me status diplomatik. Në nenin 42 të Konventës
thuhet shprehimisht se "një agjent diplomatik nuk mund të ushtrojë në shtetin
pritës ndonjë aktivitet tregtar ose profesional për përfitim personal". Po të
kemi parasysh se në bazë të Kushtetutës së Shqipërisë, Konventa e Vjenës dhe
legjislacioni ndërkombëtar prevalon mbi legjislacionin e brendshëm dhe është e
detyrueshme juridikisht në Shqipëri dhe për gjithë shtetasit shqiptarë, kjo do
të thotë se marrëveshja Tiranë-Beograd përbën një shkelje të Kushtetutës së
Republikës së Shqipërisë. Në fakt, në një interpretim juridik, Konventa e
Vjenës e bën nul marrëveshjen mes qeverisë së Shqipërisë dhe asaj të Serbisë,
të miratuar nga Këshilli i Ministrave në Tiranë në datën 9 janar 2013. Përveç
kësaj, marrëveshja e arritur mes qeverisë së Shqipërisë dhe qeverisë së Serbisë
për lejimin e veprimtarisë fitimprurëse të familjarëve të ambasadës, bie ndesh
edhe me ligjin për shërbimin e jashtëm të Republikës së Shqipërisë të vitit
2003, ku formulimet e mandatit të personelit të ambasadës, nga ambasadori e
deri tek atasheu, përjashtojnë çdo veprimtari fitimprurëse në shtetin ku janë
akredituar.
Marrëveshja e dy qeverive të Tiranës dhe të Beogradit për interesat e pesë apo
gjashtë familjarëve të personelit të ambasadës së Shqipërisë në Beograd dhe të
ambasadës së Serbisë në Tiranë, ka shumë hije në përmbajtjen dhe në pasojat e
saj. Ajo krijon hapësirë juridike dhe pëlqim qeveritar për atashimin e rolit të
ambasadës tek interesat e biznesit fitimprurës me Serbinë dhe me institucionet
serbe. Kjo do të thotë se qeveria e Tiranës e shndërron ambasadën shqiptare në
Beograd nga një ambasadë e interesave të Shqipërisë në një ambasadë të
interesave të Serbisë në Shqipëri. Në mënyrën më të habitshme e legalizon këtë
status të ri varësie vetë qeveria e Shqipërisë. Marrëveshja e kthen ambasadën e
Shqipërisë në Beograd në një peng të shtetit të Serbisë. Ajo që bën përshtypje
të veçantë është fakti se, sipas burimeve pranë qeverisë shqiptare, Shqipëria
nuk ka nënshkruar me asnjë shtet të NATO-s apo të BE-së një marrëveshje
qeveritare për "veprimtari fitimprurëse". Dhe për të vendosur rekordin e
habisë: qeveria e Shqipërisë nuk ka nënshkruar një marrëveshje të tillë
qeveritare as me qeverinë e Kosovës. Përse me Serbinë?
Për të gjitha këto, mendojmë se ajo është një marrëveshje e dyshimtë, e cila as
nuk duhet formalizuar juridikisht, as nuk duhet zbatuar dhe duhet anuluar.