Kështu deklaroi Presidenti i Shteteve të Bashkuara Barak Obama të Premten që
kaloi pas bisedimeve që zhvilloi në Shtëpinë e Bardhë me Presidentin e
Afganistanit Hamid Karzai mbi të ardhmen e rolit amerikan në Afganistan, duke
thënë se forcat amerikane së shpejti do t'ua dorëzojnë forcave afgane rolin
kryesor të luftës kundër talebanëve. Presidenti Obama tha se në bazë të
marrëveshjes që u arrijtë gjatë bisedimeve të presidentit afgan në Uashington
-- përfshirë takimet që ai zhvilloi në Pentagon dhe në Stejt Department --
gjatë këtij viti forcat afgane do të marrin përsipër përgjegjësinë e plotë për
sigurinë në vendin e tyre -- duke e shndërruar rolin ushtarak amerikan në një
rol mbështetës këtë pranverë, para afatit që pritej -- ndërkohë që po merr fund
lufta në Afganistan.
Presidenti Obama tha se ''ky përparim është bërë i mundur falë sakrificave të
mëdha të forcave tona dhe të diplomatëve tanë, si edhe të forcave të vendeve të
shumëta të koalicionit ndërkombëtar, por edhe popullit afgan i cili ka vuajtur aq
shumë'', shtoi Presidenti Obama. Ai tha se në luftën e Afganistanit, ''kanë
dhënë jetën më shumë se 2000 bijë e bija të Amerikës'', duke shtuar se, ''Këta
janë patriotë të cilët ne i nderojmë sot, nesër dhe përgjithmonë.'' Edhe
Presidenti afgan Karzai tha se, ''gjatë bisedimeve....unë falenderova
Presidentin Obama për ndihmën që Shtetet e Bashkuara i kanë dhënë popullit
afgan, për të gjitha ato që kemi arritur gjatë dhjetë viteve të kaluara...''
Udhëheqsi afgan tha gjithashtu se "Forcat ndërkombëtare, forcat amerikane nuk
do të jenë më të pranishme në fshatrat afgane, se tani është detyra e forcave
afgane që popullit afgan t'i sigurohet paqëja dhe siguria.''
Në fjalimin e tij të përjavshëm në radio, Presidenti Obama dha hollësi të tjera
në lidhje me bisedimet me udhëheqsin afgan, duke thënë se objektivi kryesor i
Shteteve të Bashkuara, që fillimisht e çoi vendin në luftën e Afganistanit
është drejtë realizimit, dmth, qëllimi amerikan që Al Kaida të mos e përdorë më
Afganistanin si një bazë nga ku organizon dhe kryen sulme kundër Shteteve të
Bashkuara, do të arrihet dhe lufta në atë vend, sipas Presidentit Obama, do të
marrë fund në mbarim të vitit të ardhëshëm. Në fjalimin e tij të përjavshëm në
radio, Presidenti Obama tha se megjithëse misjoni amerikan në Afganistan mbetet
gjithnjë shumë i vështirë, ai shtoi se tani duhet të përqëndrohemi në detyrën
që kemi përpara dhe në ''misjonet e vështira'', siç tha ai, për ri-ndërtimin e
Amerikës, për forcimin e ekonomisë dhe për të ndihmuar forcat tona ushtarake dhe
veterantë tanë trima, duke thënë se ''vendi që ne duhet të rindërtojmë tani,
është vendi ynë.''
Presidenti Barack Obama dhe Presidenti Hamid Karzai i Afganistanit gjatë një
konference të përbashkët për median në Shtëpinë e Bardhë me 11 Janar, 2013
2013. (Foto zyrtare e Shtëpisë së Bardhë nga Lorenc Xhekson)
Deklarata e Presidentit Obama për tërheqjen e forcave amerikane nga Afganistani
aty nga mbarimi i vitit 2014, shihet me skepticizëm nga disa vërejtës politikë
dhe ushtarakë si edhe nga disa media amerikane, duke thënë se tërheqja e plotë
e forcave amerikane nga Afganistani mund të rrezikojë arritjet e deritanishme
në atë vend, pasi forcat ushtarake afgane nuk janë ende në gjëndje të luftojnë
talebanët, ndërkohë që dhuna vazhdon në shumë pjesë të atij vendi.
Gazeta amerikane Nju Jork Tajms, në një editorial në lidhje me bisedimet
amerikano-afgane në Washington midis Presidentit Obama dhe udhëheqsit afgan
Karzai, shkruan se "Plani amerikan për t'i dhënë fund luftës varet shumë nga
aftësia e forcave afgane për të siguruar vendin. Zoti Obama e ekzagjeroi
përmirësimin e situatatës në Afganistan dhe anashkaloi mangësitë serioze të
sigurimit në atë vend. Por ai me të drejtë zvogëloi rolin dhe objektivat
amerikane në Afganistan. Dhe tani ai duhet të tërheqë sa më parë që të jetë e
mundur 66,000 ushtarët nga ai vend'', përfundon editorialin gazeta Nju Jork
Tajms.