Medet për të! infrastruktura zyrtare e diplomacisë së Republikës së Shqipërisë
është në gjendjen më të mjerueshme, siç e tregon letra e ambasadorit të këtij
vendi në Uashington Gilbert Galanxhi, publikuar këto ditë në mediat e Tiranës.
Kur ambasada Numër Një është katandisur kështu, është fare e lehtë të
përfytyrohet nga gjithkush edhe realiteti i shërbimeve të tjera diplomatike e
konsullore përkatëse.
Galanxhi ia drejton letrën Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Jashtme
të Republikës së Shqipërisë Gazmend Turdiu, ndërsa për dijeni iu drejtohet
Selim Belortajës, Edith Harxhit, Ilda Degës, Ilir Boçkës, për të cilët për herë
të parë publiku shqiptar e merr vesh se me çfarë preteksti paguhen këta njerëz.
Po kështu, për dijeni, letra i drejtohet kryetarit të këshillit të Ministrave
Sali Berisha, ministrit të jashtëm Edmond Panariti.
Media që publikon e para letrën, thekson se ambasada e Republikës së Shqipërisë
në SHBA është praktikisht e falimentuar dhe në pamundësi të sigurojë as jetesën
e përditshme të diplomatëve e jo më funksionet diplomatike. Në një kohë kur
qeveria shqiptare paguan miliona dollarë në vit për kompanitë lobuese, misionet
zyrtare diplomatike të Shqipërisë edhe në vendet më të fuqishme të botës janë
në krizë mbijetese, thekson media.
Nga sa del, këto shpenzime lobuese nuk bëhen për përmirësimin e imazhit të
Republikës së Shqipërisë, nuk bëhen për përmirësimin e imazhit të kombit
shqiptar, për mbrojtjen e interesave të Kosovës, për mbrojtjen e interesave
kombëtare të shqiptarëve në Luginën e Preshevës, Mal të Zi, Maqedoni e
tjetërkund. Këto shpenzime lobuese bëhen për të shitur në botë imazhin e
trukuar të qeverisë, dhe kështu është vepruar këta 22 vjet, për të manipuluar
fytyrën, përkatësisht të klasës politike të Tiranës. Vetiu kuptohet koncepti kriptoeneverist i Tiranës së tranzicionit ndaj diplomacisë në përgjithësi dhe ndaj
infrastrukturës nëpërmjet realizohet kjo diplomaci, siç është Ministria e
Jashtme, shërbimet diplomatike dhe konsullore të Republikës së Shqipërisë në
botë, pra rrjeti diplomatik i vendit.
Në reagimin e një zyrtari të shtypit të Ministrisë së Jashtme, që ka dashur të
mbetet anonim, është reaguar vetëm me një gjysmë fjalie: "është një
problem i brendshëm, s'kemi pse japim llogari". Nëse ishim në Luftën e
Ftohtë kjo do të kishte shpjegim të vetvetishëm, ndërsa në kontekstin e sotëm
mund të shpjegohet vetëm se është problem i brendshëm i dy partnerëve të
koalicionit, pra PD-së dhe LSI-së, njëra e mbulon buxhetin, tjetra e mbulon
politikën e personelit.
"Panorama" shkruan se tentoi të kontaktonte dje me drejtuesit e
Ministrisë së Jashtme, por asnjëri prej tyre nuk u përgjigj. "Kreu i
Diplomacisë Edmond Panariti, u kontaktua disa herë në telefon dhe me mesazhe,
por në asnjë rast nuk e hapi telefonin. E njëjta situatë u përsërit edhe me
zv.ministrin e Jashtëm Selim Belortaja, por edhe ai nuk e hapi telefonin. I
vetmi zyrtar i Ministrisë që u përgjigj ishte zv.ministrja Edit Harxhi, e cila
gjithsesi, nuk pranoi të bënte komente, pasi nuk ishte njohur me letrën e
ambasadorit Galanxhi. "Jam jashtë vendit në një konferencë dhe nuk mund të
komentoj pa e parë se çfarë është shkruar", u shpreh Harxhi."
Ata pak veta që janë pyetur nga mediat e kanë parë përmbajtjen e kësaj letre si
një zhvillim tjetër në përmasat e skandalit. Ky term - skandal - mjerisht, do
të kishte kuptim kudo tjetër, por jo në Republikën e Shqipërisë, ku skandali
është një përditshmëri në menynë e imponuar nga politika ndaj qytetarëve të
saj.
As në komentet e forumeve të internetit, as në çfarëdo opinioni, analize
eksperte a diçka tjetër, megjithatë, nuk mund të përdoren ngjyrime stilistike
më ngjethëse apo më sensibilizuese se ato që ka përdorur Glibert Galanxhi. Në
forumet e internetit nuk mungojnë as shprehjet ekstreme të militantëve partiakë kundër autorit të
letrës, duke kërkuar largimin e tij të menjëhershëm, çka as që mund ta
përfytyrojnë eprorët e tij në Tiranë. Në të vërtetë, Galanxhi nuk e ka shkruar
letrën për t'u publikuar. Publikimi i tij është një rrjedhje tjetër
informacioni zyrtar, çka tregon se bucela e regjimit të Tiranës ka filluar të
rrjedhë tashmë nga të katër anët duke e bërë ujë shpinën e amvisit aktual të
këtij regjimi.
Ajo që mund të pritej në këtë kontekst, do të ishte paralajmërimi i dhënies së
dorëheqjes nga ana e autorit të letrës, çka ai duket se nuk e ka ndërmend
ta bëjë. Nga sa shoh në biografinë e tij, Galanxhi, diplomat i suksesshëm,
është nga ata që, në këtë periudhë tranzicioni, më shumë ka qëndruar jashtë se
në Shqipëri. Edhe nëse e largonin, edhe nëse jepte dorëheqjen, pra, ai ndoshta nuk do
të kthehej në Shqipëri, por do të rrinte në vendin ku tash punon dhe do të
kujdesej për shkollimin e mbarëvajtjen e mëtejshme të dy fëmijëve të tij,
tashmë të rritur.
Këtë gjë e kanë bërë edhe ambasadorë e diplomatë të tjerë, mërgimtarë - siç i
quajnë në Tiranë, të cilat pasi i kanë mbaruar disa mandatet e tyre rresht,
kanë qëndruar në vendet ku kanë përfaqësuar diplomacinë e vendit të
prejardhjes. Po të vinte puna, këtë gjë ndoshta do të bënte, për shembull, edhe Artur
Kuko (datëlindja 1962), i cili është ambasador i Republikës së Shqipërisë në
Bruksel prej vitit 1992 e deri sot dhe nuk dihet deri se kur - konkretisht dy
mandate ambasador i RSH në Mbretërinë e Belgjikës, dy mandate pranë Bashkimit
Evropian, dy mandate (prej vitit 2007) pranë NATO-s. Këtë gjë do të bënte ndoshta edhe
Mehmet Elezi (datëlindja 1949), tashmë në vitin e tetë të tij si ambasador i
Republikës së Shqipërisë në Bernë. Këtë gjë do të bënin ndoshta edhe plot ambasadorë të
tjerë apo diplomatë të tjerë të Republikës së Shqipërisë të salduar nëpër
shërbimet diplomatike e konsullore me mandate të tëra, ndonëse asnjëri prej
këtyre nuk e ka bërë vezën e kuqe dhe madje nuk ka ndërmend ta bëjë edhe sikur ta
mbushë shekullin atje.
Përveç dukurisë së mësipërme, pra, gangrenizimit, plagët e tjera të mëdha janë emërimet nepotike, pra dërgimi i farefisit dhe krushqisë së hierarkisë së
lartë të Tiranës nëpër ambasada dhe konsullata; ndarja e personelit në dy
kontigjente të mëdha - kontigjent i Partisë Demokratike dhe kontigjent i
Lëvizjes Socialiste për Integrim; emërimet e ashtuquajtura 'humanitare' - për
të kaluar pleqërinë, për të shëruar pasojat shpirtërore nga divorcet, për të
parandaluar divorcet, për ta përballuar sa më pa dhimbje xitelërinë, për të kaluar vejushërinë - burra, gra, të fejuar, të
fejuara të politikanëve, të të afërmve të politikanëve dërgohen dhe mbahen për
mandate të tëra në ambasadat e Republikës së Shqipërisë, madje edhe në
pozicione titullarësh apo zëvendëstitullarësh. Këto dukuri e plot të tjera do
trajtuar më vete në thellësi dhe me hollësi. Këtu thjesht po ceken.
Të kuptohemi, lexues, letra e Gilbert Galanxhit, tregon pothuaj vetëm gjendjen e keqe
të ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Uashington, ku ndërtesa e blerë
para disa kohësh për 1,7 milionë dollarë është në rikonstruksion prej dy
vitesh, një ndërtesë të cilën e përshkruajnë si ndër më karakteristiket dhe më
të bukurat në zonën ku ndodhet, çka e bën urgjente moslejimin e rrënimit. Letra
bën të ditur se ambasada nuk ka shofer dhe nuk ka pastruese, tregon se buxhetin
vjetor e ka mbaruar në dy muajt e parë të vitit, tregon se edhe makinat e
ambasadorit janë të dëmtuara dhe pa riparuar nuk mund të rivihen në punë.
Tregon edhe plot hollësi të tjera për gjendjen e ambasadës. Letra nuk tregon
gjendjen e ambasadorit. Nëse ajo do të ishte e ankueshme, atëherë vendimet do
t'i merrte vetë ambasadori. Këtë do ta bënin edhe të tjerët në ambasadat dhe
konsullatat e Republikës së Shqipërisë nëpër botë. Por askush nga ata nuk e ka
bërë dhe nuk ka për ta bërë.
Një ish ambasador i Republikës së Shqipërisë në SHBA, në një intervistë të
djeshme, thoshte se shpenzimet vjetore të qeverisë së RSH për dy lobime në
SHBA, ua kalojnë shpenzimeve vjetore të kësaj qeverie për krejt rrjetin
diplomatik e konsullor të saj në të gjitha (27) shtetet anëtare të Bashkimit
Evropian.
Duke mëtuar publikisht se
këtë e bënte për arsye financiare, për shembull, ambasada e Republikës së Shqipërisë në Bernë, në vitet 2010 dhe
2011, nuk e ka festuar 28 Nëntorin, Ditën Kombëtare! Është një skandal në vetvete! Të
shtrëngohesh të mos e festosh Ditën Kombëtare në një vend si Zvicra, ku banojnë
qindra mijë shqiptarë!
Në Bernë personeli i ambasadës pothuaj gjithnjë është përbërë nga tre veta -
ambasadori, konsulli dhe shoferi. Përgjithësisht këtë personel e kanë edhe
ambasadat e tjera të RSH. Me sa pashë në letrën e ambasadorit Galanxhi, edhe në
SHBA, personeli është mjaft i vogël. Në këto kushte, shoferi shndërrohet në
njeriun numër dy të ambasadave, sepse rëndom, veç të tjerash, ai dhe
bashkëshortja mbulojnë financën, furnizimin, magazinën. Shoferët në ambasadat e
RSH nuk kanë asnjë dallim nga shoferët e rëndomtë të RSH. Ata vetëm se
kryesisht janë nga radhët e më militantëve partiakë ose janë nga më të
privilegjuarit e dikujt në hierarkinë e Tiranës. Edhe vende më të vogla se
Republika e Shqipërisë, në fakt, personelin ndihmës, ky hyjnë shoferët,
pastrueset, sekretaret teknike e tjerë, e përbëjnë të punësuar nga vendet
përkatëse - të cilët, pra, njohin gjuhët dhe dialektet vendëse, njohin ligjet,
rregullat.
Pas vitit 1998 gjendja e personelit diplomatik dhe konsullor të Republikës së
Shqipërisë në botë u përmirësua rrënjësisht. U rritën ndjeshëm rrogat e
diplomatëve, u rritën shpërblimet për dietat, për pritjet e tjerë, u muarën
përsipër shpenzimet shëndetësore për personelin dhe familjet e personelit. Para
këtij viti ato ishin tejet të vogla, tejet simbolike. Mobilimi i ambasadave dhe
apartamenteve të familjeve të punonjësve ishte i mjerë. Në Bernë, për shembull, shërbenin pajisjet e
ardhura nga ambasada në Algjer, e cila ishte mbyllur, pajisje që ishin përdorur
me dhjetëra vite. Ndërsa shërbim shëndetësor nuk kishte.
Deri në vitin 1990 Republika e Shqipërisë (përkatësisht RPSH, RPSSH) kishte
vetëm dy tri ambasada në Perëndim. Misioni i atëhershëm i diplomacisë ishte
kryesisht paralizimi dhe përçarja e emigracionit politik. Këtë Tirana e arrinte
nëpërmjet këtyre ambasadave, nëpërmjet konsullatës së përgjithshme në Stamboll
dhe nëpërmjet misionit pranë OKB-së në Nju Jork. Dhe e arrinte me sukses, falë
integrimit me shërbimet lindore. Diaspora Shqiptare në përgjithësi konsiderohej
armike e Tiranës. Reformimi i vërtetë i diplomacisë së Republikës së Shqipërisë,
në fazën e hapjes ndaj botës dhe të shtrirjes së rrjetit diplomatik në gjithë
Perëndimin dhe në sa më shumë vende të tjera të botës do të ishte shkëputja
vendimtare nga tradita e trashëguar prej komunizmit dhe jo thellimi i mëtejshëm
i kësaj tradite. Mbivendosja e lobimeve ndaj shërbimit diplomatik nuk është
zgjidhje, duke paralizuar diplomacinë e vendit tënd. Kjo e demotivon
diplomacinë, e bën që ajo të merret gjithnjë e më shumë thjesht me punët e veta
private dhe jo me punët e shtetit të cilin e përfaqëson.
Nuk ka asnjë arsye që Republika e Shqipërisë ta shtrëngojë rripin e buxhetit të
saj në zërin e diplomacisë - sepse në vetvete, kur është vërtet e tillë,
diplomacia e shpërblen, madje shumëfish buxhetin e shpenzuar për të. Republika
e Shqipërisë t'i kristalizojë kriteret e emërimeve në shërbimin e saj
diplomatik dhe konsullor, kriteret e matjes së punës së këtij shërbimi, mbi
këtë bazë edhe kriteret e shpërblimit material dhe me ngritje në përgjegjësi,
ashtu si dhe të largimit apo uljes së tyre. Përndryshe shërbimi diplomatik e
konsullor i Republikës së Shqipërisë më shumë do t'i ngjasojë një depozite të
mbetjeve të saj urbane të eksportuara nëpër botë.
Për hir të saktësisë së komunikimit me lexuesin, po jua sjell këtu poshtë
letrën e plotë të ambasadorit Galanxhi të botuar dje nga Gazeta Shqiptare.
----------
AMBASADA E REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË
LËNDA: Mbi buxhetin 2013 të Ambasadës së R.SH në SHBA
DREJTUAR: Sekretarit të Përgjithshëm, Z.Gazmend Turdiu
PËR DIJENI: Kryetarit të Këshillit të Ministrave, Z.Sali Berisha; Ministrit të
Punëve të Jashtme, Z. Edmond Panariti; Zv/Ministres së Punëve të Jashtme, Znj.
Edith Harxhi; Zv/Ministrit të Punëve të Jashtme, Z.Selim Belortaja; Drejtorisë
së Përgjithshme të Shërbimeve Mbështetëse të MPJ, Znj.Ilda Dega; Drejtorisë së
Përgjithshme të Amerikave, Azisë dhe Afrikës, Z.Ilir Boçka
ZOTI SEKRETAR I PËRGJITHSHËM
Pasi jam njohur me Planin e Buxhetit për vitin 2013 për Ambasadën e Republikës
së Shqipërisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës si dhe me qarkoren e zbatimit
të planit të buxhetit Nr. Prot.3163, dt 11.2.2013, dërguar nga ju kam analizuar
me përgjegjësi të plotë politike, diplomatike, administrative, financiare dhe
ligjore, Planin e Buxhetit për vitin 2013 për Ambasadën e R.Sh në Washington DC
(SHBA), dhe mund t'ju them me bindje që në fillim që ky buxhet është fiktiv dhe
i parealiziueshëm; e thënë ndryshe është përcjellje, ngecje e përgjegjësisë nga
Ju tek Ambasadori, është "larje duarsh si Ponc Pilati", (besoj është
e njëjta situatë me të gjithë Ambasadat), në njëfarë mënyre duke na thënë
"këto fonde keni, vrafshi veten tani atje ku jeni".
Z.SEKRETAR I PËRGJITHËM,
Duke vlerësuar se prioriteti nr.1 i Ambasadës është plotësimi i detyrave dhe
funskioneve themelore të përfqësimit diplomatik të ambasadës së republikës së
Shqipërisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës;
Duke vlerësuar se elementi "buxhet" është përcaktues për të gjithë
ecurinë dhe mbarëvajtjen e punës së përfaqësimit diplomatik (pra nuk është
thjeshtë një ushtrim aritematike);
Duke patur parasysh se Shtetet e Bashkuara të Amerikës përbëhen nga 50 shtete,
ku diaspora shqiptare është e përqëndruar minimalisht në 9-10 shtete nga më
kryesore e SHBA-së (Ilionois, Ohio, Michigan, Massachusetts, Connecticut, New
jork, New Jersey, Virgina, Florida, Washington DC etj) dhe me një kontribut të
paçmuar për çështjen kombëtare shqiptare; dhe me të cilën duhen mbajtur dhe
fuqizuar kontaktet në interes të kombit dhe të ardhmes;
Duke patur parasysh se jam i akredituar si Ambasador edhe në Shtetet e Bashkuara
të Meksikës, si dhe në Republikën e Panamasë (pres të akreditohem edhe në
Republikën Domenikane);
Duke patur parasysh se jemi vend vëzhgues i përhershëm në Organizatën e
Shteteve të Amerikës;
Duke pasur parasysh se as nuk jeni konsultuar dhe as nuk keni marrë në
konsideratë faktorët realë të kostos së jetesës dhe shërbimeve në SHBA;
Duke konstatuar se as aritmetikisht përllogaritjet tuaja nuk përputhen me
realitetein e këtushëm;
Duke ju kujtuar se nuk keni planifikuar asnjë dollarë të vetëm për ambasadën
për të punuar;
Duke mos dashur të bëj asnjë shkekje të dispozitave financiare e ligjore të
cilat na i kujtoni në zbatim të ligjit Nr.9936, dt.26.6.2008, "Mbi
menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shëipërisë" që ngarkon me
përgjegjësi Ambasadorin si Nëpunësi Autorizuar i Nivelit të Dytë;
Me keqardhje konstatoj se:
1.Konceptimi i planifikimit të buxhetit dhe për më tepër i menaxhimit të tij
është fare anakronik (thuajse ora ka ngeklur në vitin 1992), shumë larg
konceptit bashkëkohor të parimeve të menaxhimit të buxhetit (devolvet budgetin:
me të gjitha detyrimet dhe përgjegjësitë e titullarit të cilit i jepet një
buxhet i caktuar), si dhe një hap i madh prapa krahasuar me praktikën (kurajoze
dhe bashkëkohore) të vendosur 2-3 vite më parë nga Sekretari i atëhershëm i
Përgjitshëm, z.Ferit Hoxha.
2. Në mënyrë të pakuptueshme dhe politiksht dhe diplomatikisht të pajustifikuar
"është vënë karroca para kalit", fatkeqësisht është harruar fare se
pse kemi ambasadë në SHBA:??? për të paguar faturat e detyrueshme (edhe për
këto veprimet aritmetike nuk dalin)??? apo për të punuar dhe përfaqësuar
intersat e R.SH në SHBA? Praktikisht Ambasadat janë kthyer në funksion të
zgjidhjes së "halleve" tuaja apo të Drejtorisë së Financës, kur duhet
të jetë krejtësisht e kundërta. Ju dhe Drejtoria e Financës duhet të zgjidhni
"hallet" e Ambasadave duke afruar alternativa të logjikshme dhe më
kryesorja të realizueshme. Nuk mendoj se është zgjidhje altrenativa që më dhatë
vitin e kaluar që "të mos paguaj qeratë në dhjetor sepse s'ka para"
dhe "turpin le ta mbajë qeveria". Ky "udhëzim" mbetet i
vlerëshëm edhe për vitin 2013???
3. Duke mirëkuptuar vështirësitë që keni por duke ju kujtuar gjithshtu
përgjegjësinë që keni, ju lutem Sekretar i Përgjithshëm të më tregoni se në
cilin zë të Planit të Buxhetit që keni dërguar janë planifikuar shpenzimet për
aktivitetet punës (qoftë dhe një aktivitet të vetëm)??? Ju kujtoj se për
aktivitetet për festimin e 100-vjetorit të Pavarësisë të vitit 2012, Ambasadës
së R.SH në SHBA i keni dërguar vetëm 0 (zero) US$.
Ju kujtoj gjithashtu se Ambasada në Washington DC (nga ambasadat më të
rëndësishme të shtetit shqiptar) është lënë pa shofer, pa sekretare teknike, pa
pastruese.
Ju kujtoj gjithashtu edhe vështirësinë reale të përfaqësimit (nënkupto:
mospërfaqësimit), dinjitoz nga mospasja në funsksion të ndërtesës së Ambasadës
së R.Sh në Washington DC. U bënë dy vjet që ndërtesa e Ambasadës (pronë e
shtetit shqiptar) qëndron e mbyllur në pritje të rinovimit. Nga muaji maj i
vitit 2012 ka hyrë në efekt / është siguruar leja e punimeve nga bashkia e
Washington DC por me veprimet dhe mosveprimet tuaja (jeni Kryetar i Grupit të
Punës dhe Kryetar i Komisionit të Prokurimeve për këtë projekt) akoma nuk keni
identifikuar/për-zgjedhur dot një kompani që të fillojë punimet kur leja e
punimeve skadon në maj 2013 (ka me qindra që ushtrojnë aktivitetin e tyre në
Washington DC).
4. Teknikisht, buxheti 2013 për Ambasadën e R.SH në SHBA është fare i
paarsyeshëm, i pakonsultuar, i bazuar mbi një aritmetikë diletante dhe fiktive,
dhe si i tillë është i parealizueshëm. Udhëzimet që na vijnë herë pas here nuk
e zgjidhin aspak problemin, përkundrazi shpesh ato janë konfuze, kontradiktore
dhe të pajustifikuara (duke lëvizur zërat sa nga një vend në tjetrin "për
të nxjerrë dhjamë nga pleshti", ekstremisht burokratike dhe mund të them
edhe fyese për autoritetin e titullarit të përfaqësisë diplomatike.
Për të ilustruar sa më sipër po sjell në vëmendjen tuaj vetëm disa shembuj
teknikë dhe konkretë:
a) Zëri: Qera
Planifikuar në buxhetin 2013: 176.000 USD
Pagesat faktike për qeranë e zyrave, banesës së Ambasadorit dhe tre
diplomatëve: 15.437 USD/muaj x 12 muaj = 185,244 USD
Mungojnë përafësisht 9.250 USD. (Nga t'i gjejë Ambasadori të cilin e ngarkoni
me përgjegjësi ligjore për tejklalim të buxhetit? Mos vallë duhet të hapim
ekonomi ndihmëse?)
b) Zëri: Dieta-udhëtime (ku futet edhe hoteli, etj)
Planifikuar në buxhetin 2013: 2.500 USD
Shpenzime faktike vetëm për periudhën 01 janar - 28 shkurt 2013: 2.488 $ (një
shërbim vajtje-ardhje brenda ditës në Nju Jork me makinë për të kursyer sado
pak krahasuar me vajtjen me avion; ju kujtoj që nuk kam as shofer dhe udhëtimi
vajtje-ardhje varion nga 10-12 orë; besoj do të mbetet rast unikal që një
ambasadë në Uashington DC nuk ka shofer, plus paraqitja e letrave kredenciale
në Meksikë)
Teprojnë: 12 $, me të cilat do të më duhet të mbuloj shpenzimet për paraqitjen
e Letrave Kredeneciale në Republikën Domenikane, si dhe të mbuloj të gjitha
shpenzimet e tjera për periudhën 01 mars-31 dhjetor 2013 për lëvizjet në SHBA,
për të ndjekur aktivitetet vjetore të Protokollit të Shtetit dhe të Shtëpisë së
Bardhë, për shoqërimin e Presidentit/Kryeministrit në Nju Jork, për vizitat
dypalëshe reciproke të mundëshme, etj.(?!?!?!)
c) Zëri: Shpenzime për automjetet
Planifikuar në buxhetin 2013: 6500 $ (këtu keni futur: Sigurimin e detyrueshëm
vjetor, karburantin, mirëmbajtjen, gomat, taksat rrugore, parkimin, gjobat)
Shpenzime faktike:
- Për sigurimin e detyruar: 3 makina x 1800 $ = 5 400$ (+ 5% rritje vjetore e
çmimit që aplikohet)
- Goma: një palë goma + montim + kolaudim = 820 $
- Karburant/vaj: 758 $ nga viti 2012 (periudha nëntor-dhjetor për ndjekjen e
aktiviteteve dhe festimeve të komunitetit shqiptar me rastin e 100 -vjetorit të
pavarësisë: faturat paguhen gjithmonë në muajin pasardhës)
- Karburant janar 2013: 280 $
- Mirëmbajtje /kontrolli vjetor për tre makina (nuk është bërë, por është i
detyrueshëm për t'u bërë)
- Makina nr.1 dhe makina nr.2 kanë muaj që kanë nga një fener të parë të djegur
dhe nuk ka fond për t'i zëvendësuar (kushtojnë 800 $ x 2 = 1 600$ me çmimin më
të lirë) Mundohemi të shmangim në maksimum lëvizjet natën që të mos gjobitemi.
Aktualisht, konsiderohen të shpenzuara përafërsisht: 7500 $
Domethënë, me -1 000 $ ambasada duhet të përballojë shpenzimet për periudhën 01
mars-31 dhjetor 2013; duke përfshirë këtu shpenzimet për karburant,
zëvendësimin e fenerëve të djegur, mirëmbajtjen, parkimet, etj., etj. Ju bëj me
dije se distanca nga rezidenca në Ambasadë është rreth 40 km (vajtje-ardhje);
nga Ambasada në Kongres është rreth 5 km; nga Ambasada në Departamentin e
Shtetit është rreth 2.5 km, etj., etj. dhe nuk mund të bëhen në këmbë. Besoj
nuk ka vend për më shumë koment.
d) Zëri: Sigurimet shëndetësore planifikuar në buxhetin 2013: 35 000 $ (5 000$
më pak se në 2012) nga mungesa totale e konsultimit me Ambasadën, nuk është
marrë parasysh fakti se:
- Çdo vit ka një rritje prej 5% të primit të sigurimit (që aktualisht është
bazik dhe për çdo vizitë fare të thjeshtë paguajmë individualisht 'co-payment'
ngaqë është më i liri i mundshmi)
- Diplomatja Migena Nuri është shtatzënë dhe do të ketë shpenzime ekstra, si
dhe do të ndryshojë paketa e sigurimit për të.
- Diplomati Anton Koliqi është martuar dhe do të ndryshojë paketa e sigurimit
nga individuale në familjare.
Z.Sekretar i Përgjithshëm,
Siç duket qartë nga argumentimet e mësipërme, aritmetika e llogjikshme nuk të
lë shteg për manovrime dhe në kushtet aktuale ky buxhet si edhe udhëzimet e
qarkoret tuaja nuk ofrojnë zgjidhje, ato veçse e përkeqësojnë situatën. Në
mënyrë që të mos bëj shkelje të dispozitave financiare e ligjore në zbatim të
Ligjit Nr.9963, datë 26.06.2008 "Mbi menaxhimin e Sitemit Buxhetor në
Republikën e Shqipërisë " që ngarkon me përgjegjësi Ambasadorin si
Nënpunës i autorizuar i nivelit të dytë, lutem më autorizoni me shkrim,
z.Sekretar i Përgjithshëm, që të mos dal nga zyra ose më saktë që të mos dal
nga rezidenca, pasi në jetën reale me -1000 $ (minus një mijë dollarë) nuk mund
të bëhet asgjë.
Z.SEKRETAR I PËRGJITHSHËM
Duke besuar se gjithmonë ka një zgjidhje nëse ka vullnet për ta gjetur atë
(where is a will, there is a way) do t'ju isha shumë mirënjohës që për hir të
mbarëvajtjes së punës dhe përfaqësimit dinjitoz të Republikës së Shqipërisë në
Shtetet e Bashkuara të Amerikës (në Washington DC - kryeqytetin e botës) të
rishikonit alo-kimin/aktualizimin e buxhetit për vitin 2013 për Ambasadën në
Washington DC. Ju garantoj gjithashtu se mbetem i hapur për çdo konsultim e
bashkëpunim për të gjetur zgjidhjen e duhur. Duke shpresuar në mirëkuptimin
Tuaj,
AMBASADORI,
Gilbert Galanxhi
--
©
MAFIA NUK BËN DOT ZGJEDHJE - OSE MEDITIM PËR 23 QERSHORIN
Nga SKËNDER BUÇPAPAJ
E Mërkurë, 02.27.2013, 02:54pm
SI E HUMBI KRYETARI I PD SHANSIN PËR TË PASUR FLAMURIN E INTEGRIMIT EVROPIAN FLAMUR TË FUSHATËS
Nga SKËNDER BUÇPAPAJ
THJESHT ATDHEDASHURI - TË JEMI BIJ TË ATDHEUT, TË MOS JEMI VAMPIRË TË ATDHEUT
Nga SKËNDER BUÇPAPAJ
E Djelë, 02.03.2013, 10:09am
Përmendore IBRAHIM RUGOVA, VËLLAI YNË, BABAI I KOMBIT TONË
Shkruar më 22 janar 2006
Nga SKËNDER BUÇPAPAJ
E Hënë, 01.21.2013, 08:43am
POPULLI E DI KË KA CUB KË HERO
Nga SKËNDER BUÇPAPAJ
E Shtunë, 01.12.2013, 09:57am
HOSSANA, BARJABA!
Nga SKËNDER BUÇPAPAJ
E Hënë, 01.07.2013, 10:00am
SHKRUAR MË 21 DHJETOR 2012, NË DITËN E PARË TË EGOS GLOBALE
Nga SKËNDER BUÇPAPAJ
E Premte, 12.21.2012, 11:35am
A DO TË JETË PD NJË OPOZITË BLLOKUESE?
Nga SKËNDER BUÇPAPAJ
E Mërkurë, 12.12.2012, 11:54am
Ribotim përkujtimor
XHEMAJL MUSTAFA DHE KOSOVA
Nga SKËNDER BUÇPAPAJ
FUNDNËNTORI 2012, TIRANA E DAFINAVE DHE E GJEMBAVE Nga SKËNDER BUÒªPAPAJ
E Djelë, 11.18.2012, 02:34pm
ISH TË BURGOSUR POLITIKË TË POPULLIT TË BURGOSUR POLITIK
Nga SKËNDER BUÇPAPAJ
SHQIPËRISË ORA E PRONËS I KA NGECUR NË VITIN 1946
Ese nga SKËNDER BUÇPAPAJ
E Martë, 09.18.2012, 02:03pm
Ese BASHKIM GJYRIQI, NJË LARGIM I HESHTUR QË NUK E MORËN KRONIKAT
Nga SKËNDER BUÇPAPAJ
E Premte, 08.24.2012, 07:48am
NDËRVETINga SKËNDER BUÇPAPAJ
Pesëvjetori i vizitës së Presidenti amerikan në Shqipëri XHORXH W BUSHI NË TURIN EUROPIAN HISTORIK TË KOSOVËS
Veta e parë LETËR ZOTIT PËR BARDHYL AJETIN!
Nga SKËNDER BUÇPAPAJ (shkruar më 4 qershor 2005)
SHQIPËRIA POSTKOMUNISTE DREJT PRESIDENTIT TË GJASHTË
Nga SKËNDER BUÒªPAPAJ
MIRËNJOHJE AMERIKËS!
Nga SKËNDER BUÇPAPAJ
DOBIA KRYESORE E KATASTROFAVE NATYRORE
Nga SKËNDER BUÇPAPAJ
DY FJALË PARA PROTESTËS SË PRITSHME TË VETËVENDOSJES
Nga SKËNDER BUÇPAPAJ
NJË VIT HARRAKAT
Nga SKËNDER BUÇPAPAJ
HAVELI QË E PATËM, HAVELI QË NUK E PATËM
Nga SKËNDER BUÇPAPAJ
SINOPSIS STINORIT TË SIVJETËM TË ZJARREVE
Nga SKËNDER BUÇPAPAJ
PRESIDENTI BILL KLINTON ËSHTË NJERIU QË MORI VENDIMIN EPOKAL PËR ÇLIRIMIN E KOSOVËS
Ribotohet me rastin e 65 vjetorit të lindjes së presidentit të 42-të të SHBA
Nga SKËNDER BUÇPAPAJ
ZËVENDËSKRYEMINISTËR PËR GJUHËN SHQIPE
Nga SKËNDER BUÇPAPAJ
DISA IDE PËR ORGANIZIMIN E DIASPORËS SHQIPTARE NË ZVICËR
Nga SKËNDER BUÇPAPAJ
URIMET MIRËSEARDHËN
Nga SKËNDER BUÇPAPAJ
INSTRUMENTI I VETËM ËSHTË PUNA
MË SHUMË SE OPOZITË INSTINKTIVE, KOSOVËS I DUHET NJË OPOZITË ME STRATEGJI
Nga SKËNDER BUÇPAPAJ
REVOLUCIONE APO RRËSHQITJE SITUATE
Nga SKËNDER BUÇPAPAJ
URIMET EVROPIANE NDOSHTA NUK DO TË VIJNË
Nga SKËNDER BUÇPAPAJ
FORCËN E OPOZITËS NUK E BËJNË NUMRAT
Nuk e bën as dobësia e shumicës qeverisëse
Nga SKËNDER BUÇPAPAJ
BISEDIME JO, DIALOG PO
Nga SKËNDER BUÇPAPAJ
POETIKA E DHIMBJES NË NJË ROMAN TË RI
Romani "Imazh" i Zef Mulajt
Nga SKËNDER BUÇPAPAJ
NJË SKEMË PA SENS KRIJUES
Nga SKËNDER BUÇPAPAJ
A ËSHTË E PËRGATITUR LIDHJA DEMOKRATIKE PËR TA QEVERISUR KOSOVËN?
Nga SKËNDER BUÇPAPAJ
THAÇIZMI
Nga SKËNDER BUÇPAPAJ
RADHA E RËNIES SË RAISËVE
Nga SKËNDER BUÇPAPAJ
21 JANARI DHE INTELEKTUALËT LAKEJ
Nga SKËNDER BUÇPAPAJ
KUVENDI I RI: TIPOLOGJI, KAAKTERIZIME, PROGNOZA
Nga SKËNDER BUÇPAPAJ
PËRSHPIRTNI NAZMI LUKAJT, MIKUT DHE KOLEGUT
Nga SKËNDER BUÇPAPAJ
21 JANARI NË RADARIN E JASHTËM MEDIATIK
Nga SKËNDER BUÇPAPAJ
NJË VERSION I NËNTËDHJETESHTATËS
Nga SKËNDER BUÇPAPAJ
BAJRAKU NË ÇARSHI OSE POLITIKA NË ANKAND
Nga SKËNDER BUÇPAPAJ
ROJA TË SOVRANITETIT
Zotër shtëpie
Nga SKËNDER BUÇPAPAJ
PDK DHE LDK SHTRATIN ENDE TË NXEHTË
Nga SKËNDER BUÇPAPAJ
ALTERNATIVË MAFIOZE PUSHTETIT
Nga SKËNDER BUÇPAPAJ
SUDETIÇ, I TRETI I MOSKETIERËVE
Nga SKËNDER BUÇPAPAJ
KOLLITJET E STALINIT...
...nesër në "tri komunat heroike"
Nga SKËNDER BUÇPAPAJ
MARTY & THAÇI, THE PRECEDENT & SUBSEQUENT
Nga SKËNDER BUÇPAPAJ
TË DUAN, PA TË QORTOJNË
(Letër e mbyllur partive)
Nga SKËNDER BUÇPAPAJ
UKË RUGOVA DHE QYTETARIA E DINASTIVE NË DEMOKRACI
Nga SKËNDER BUÇPAPAJ
SIMBOL I LUFTËS SË KOSOVËS ËSHTË SHTËPIA E JASHARAJVE, NUK ËSHTË "SHTËPIA E VERDHË"
Nga SKËNDER BUÇPAPAJ
EVROPA NË ANËN E HUMBËSVE TË LUFTËS SË KOSOVËS
Nga SKËNDER BUÇPAPAJ
MINUS NEXHATI, PLUS ALBINI, BARAS ÇKA?
Nga SKËNDER BUÇPAPAJ
POLITIKËN MUND TA NDRYSHOSH VETËM DUKE MARRË PJESË NË POLITIKË
Nga SKËNDER BUÇPAPAJ
SHKODËR SHQYPNIA!
PARTITË E KRYEMINISTRAVE
Nga SKËNDER BUÇPAPAJ
UKA DHE ISAI
Nga SKËNDER BUÇPAPAJ
DOSIADA
Nga SKËNDER BUÇPAPAJ
TIPOLOGJIA E LISTAVE
Nga SKËNDER BUÇPAPAJ
SHKRIRJA E MEDIAVE NË PUSHTETIN POLITIK
Nga SKËNDER BUÇPAPAJ
MURMURIMË DUKAGJINI (REQUIEM PËR DIN MEHMETIN)
Nga SKËNDER BUÇPAPAJ
ZGJEDHJE TË FAKTIT TË KRYER
Nga SKËNDER BUÇPAPAJ
Sot mbushen plot 17 vjet nga dalja për herë të parë në satelit e Radiotelevizionit Shqiptar
NGASJET E PERSONALIZIMIT TË HISTORISË
Nga SKËNDER BUÇPAPAJ<
GREQIA DHE SHQIPËRIA, GREKËT DHE SHQIPTARËT
Nga SKËNDER BUÇPAPAJ
MJAFTON EMRI IBRAHIM RUGOVA
Nga SKËNDER BUÇPAPAJ
KALVARI I NJË MOCIONI
Nga SKËNDER BUÇPAPAJ
PDK DHE LDK SHAHEN... DERI PAS ZGJEDHJEVE
Nga SKËNDER BUÇPAPAJ
AKSESI I KOSOVËS NË DOSJET E SPIUNËVE TË SAJ
Nga SKËNDER BUÇPAPAJ
NGA NGURIMET NË NGUTJE?
Nga SKËNDER BUÇPAPAJ
SINDROMI I THESARIT TË ALI PASHË TEPELENËS SI E KAPI GREQINË
Nga SKËNDER BUÇPAPAJ
EMPATI E MBRAPSHTË E SOCIALISTËVE ME DEMOKRATËT
Nga SKËNDER BUÇPAPAJ
SHQIPTARIZMI NË KONTEKSTIN E EVROATLANTIZMIT DHE GLOBALIZMIT
Nga SKËNDER BUÇPAPAJ
VIZIONI YNË EVROPIAN I RIBASHKIMIT SHQIPTAR
Nga SKËNDER BUÇPAPAJ
HAMENDJET PARAZGJEDHORE
Nga SKËNDER BUÇPAPAJ
NUK KAM MALL PËR FUSHATAT E DORËHEQJEVE, LARG QOFSHIN FUSHATAT E DORËHEQJEVE
Nga SKËNDER BUÇPAPAJ
A DO TË VAZHDOJË NJOHJET EDHE GJATË DIALOGUT?
Nga SKËNDER BUÇPAPAJ
MBYLLJA ME NDER E MISIONEVE NDËRKOMBËTARE
Nga SKËNDER BUÇPAPAJ
A MUND ERDHËT PREJ NJU JORKU
Nga SKËNDER BUÇPAPAJ
NË Ç'RRUGË KA HYRË PROCESI I NJOHJEVE
Nga SKËNDER BUÇPAPAJ
NË LDK ASGJË E RE, ASGJË E RE NË LDK
Nga SKËNDER BUÇPAPAJ
HISTORIA NUK ËSHTË E PARTIVE, PARTITË JANË PJESË E HISTORISË
Nga SKËNDER BUÇPAPAJ
E NGRIRË KOSOVA NUK MUND TË HYJË NË BISEDIME TË REJA
Nga SKËNDER BUÇPAPAJ
AZEMI, DISIDENTI I LINDUR
Nga SKËNDER BUÇPAPAJ
MIQËSIA ME VATIKANIN
Nga SKËNDER BUÇPAPAJ
VDEKJA E POETIT
Nga SKËNDER BUÇPAPAJ
FATI I UKSHIN HOTIT
Nga SKËNDER BUÇPAPAJ
PA ZBARDHJEN E HISTORISË DISIDENCA SHQIPTARE NUK DO TA FITOJË QYTETARINË
Nga SKËNDER BUÇPAPAJ
PËR INAT TË KOSOVËS, SERBIA ËSHTË GATI TË BËJË ÇFARËDO HARAKIRI
Nga SKËNDER BUÇPAPAJ
LERENI KOSOVËN SHËNDOSH, NËSE E DONI SHËNDOSH BALLKANIN, EVROPËN...
Nga SKËNDER BUÇPAPAJ
Nga SKËNDER BUÇPAPAJ
EMRI NDËRKOMBËTAR I KOSOVËS
Nga SKËNDER BUÇPAPAJ
KOSOVA DHE NJOHJET - GJEOPOLITIKA TJETËR
MË TEPËR SE NJË GJETJE FORMULE, NJË THYERJE TABUJE
Nga SKËNDER BUÇPAPAJ
Nga SKËNDER BUÇPAPAJ
AS REVANSHISTË, AS TË REVANSHUAR
Nga SKËNDER BUÇPAPAJ
VERIU I KOSOVËS, FUSHËBETEJA E FUNDIT?
Nga SKËNDER BUÇPAPAJ
Nga SKËNDER BUÇPAPAJ
NË HORIZONTE ENDE ASNJË RRETHANË OPTIMALE PËR BISEDIME
KORRUPSIONI SHESHIT
Nga SKËNDER BUÇPAPAJ
Nga SKËNDER BUÇPAPAJ
Nga SKËNDER BUÇPAPAJ
MARRËDHËNIET ME NDËRKOMBËTARËT SHPREHIN AFTËSINË SHTETËRORE TË KOSOVËS
Nga SKËNDER BUÇPAPAJ
©