Një nga efektet diplomatike të "Marrëveshjes së parë për parimet që qeverisin
normalizimin e marrëdhënieve" mes Kosovës dhe Serbisë, të nënshkruar në 19
prill në Bruksel nga kryeministrat Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiç, është fermenti
i një lëvizjeje ndryshimesh në qëndrimin e pesë shteteve të BE-së që nuk e kanë
njohur akoma pavarësinë e Kosovës. Hapin e parë të këtij ndryshimi e dha
Rumania, ministri i Jashtëm i së cilës, Titus Corlatean, njoftoi në 16 maj se
Rumania do të rishikojë pozicionin e saj në lidhje me mosnjohjen e pavarësisë
së Kosovës, me një debat në parlament, në dritën e marrëveshjes së arritur mes
Beogradit dhe Prishtinës. Ai
theksoi se Rumania duhet të shkojë me familjen europiane lidhur me njohjen e
Kosovës. Vetë kryeministri i Rumanisë, Viktor Ponta, e lajmëroi më parë këtë
ndryshim, kur lidhur me mundësinë e njohjes së Kosovës deklaroi në 25 prill se
Rumania duhet të shkojë përpara me familjen europiane në njohjen e Kosovës.
Vendimi i Rumanisë për rishikimin e qëndrimit të saj të deritanishëm të
mosnjohjes dhe për mundësinë e bashkimit me familjen e 22 shteteve të BE-së, që
e kanë njohur Kosovën, duhet përshëndetur nga qeveritë e Tiranës dhe të
Prishtinës. Ai shënon fillimin e një procesi, i cili çon drejt homogjenizimit
të njohjes së shtetit të pavarur të Kosovës nga gjithë anëtarët e BE-së, dhe
shpejton rrugën e Kosovës drejt integrimit në Europë.
Në fakt, hapi i Bukureshtit është plotësisht i përligjur dhe adekuat me
ndryshimet e reja politike, juridike dhe diplomatike, në marrëdhëniet mes
Serbisë dhe Kosovës. Në marrëveshjen e arritur mes kryeministrave të Serbisë
dhe të Kosovës në 19 prill, ka një nen të rëndësishëm, neni 14, i cili thekson
se të dyja palët ranë dakord që asnjëra prej tyre nuk do të bllokojë dhe as nuk
do të inkurajojë të tjerët të bllokojnë progresin e palës tjetër në rrugën
respektive drejt BE-së.
Së pari, duhet thënë se ky nen sanksionon pranimin e statusit të Kosovës si
shtet i pavarur, sepse në BE anëtarësohen shtetet dhe jo pjesë shtetesh,
rajone, krahina apo entitete lokale.
Së dyti, dalja e BE-së me këtë qëndrim do të thotë se të 27 shtetet e BE-së,
përfshirë edhe ato pesë shtete që nuk e njohin, kanë dhënë pëlqimin që
baronesha K. Eshton, përfaqësuesja e tyre e lartë e politikës së jashtme, të
paraqesë në emër të BE-së këtë nen, që e trajton Kosovën si një shtet të
pavarur, me mundësinë e anëtarësimit.
Së treti, Parlamenti Europian adoptoi në 18 prill një rezolutë për Kosovën, në
të cilën u bën thirrje pesë shteteve mosnjohëse të Kosovës, që ta njohin sa më
shpejt që të jetë e mundur.
Së katërti, në 22 prill Komisioni Europian i rekomandoi samitit të ardhshëm të
BE-së që, si rezultat i nënshkrimit të marrëveshjes mes Serbisë dhe Kosovës,
t'i japin Beogradit një datë të hapjes së bisedimeve të pranimit në BE-së dhe Prishtinës
fillimin e bisedimeve për Marrëveshjen e Stabilizim-Asocimit me BE-në.
Natyrisht, edhe më i painformuari e di se Marrëveshja e Stabilizim-Asocimit
është faza e parë zyrtare drejt anëtarësimit të shteteve të të quajturit
Ballkan Perëndimor në BE. Procesi i Stabilizim-Asocimit është programi i
posaçëm i anëtarësimit të shteteve të Ballkanit Perëndimor. Me dhënien Kosovës
të kësaj të drejte përfshirjeje në proces, sanksionohet statusi i saj si një
shtet i pavarur, sepse Marrëveshje të Stabilizim-Asocimit me BE-në, u akordohen
shteteve dhe jo krahinave apo entiteteve lokale. Dhe për këtë vendim të
Komisionit Europian është marrë konsensusi i të 27 shteteve anëtare.
Në këto rrethana, kur vetë Serbia nënshkruan dhe pranon një marrëveshje me
Kosovën, në të cilën sanksionohet vendi dhe statusi i Kosovës si një shtet që
do të hyjë në BE, është e kuptueshme se pesë shtetet, të cilat nuk e kanë
njohur Kosovën, të ndihen të liruara nga detyrimet dhe premtimet e
marrëdhë-nieve të tyre dypalëshe apo personale me Beogradin, për hatër të të
cilit kanë aplikuar deri tani qëndrimin e mosnjohjes së shtetit të pavarur të
Kosovës.
Rumania dha një shembull pozitiv dhe koherence diplomatike, i cili duhet
vlerësuar në mënyrë të veçantë, edhe për arsyen se Bukureshti ka qenë ndër
kryeqytetet më intransigjente në politikën e ngurtë të mosnjohjes së Kosovës.
Por pas hapit të ri të Bukureshtit zhvleftësohen edhe argumentet e disa
shteteve të tjera të pesëshes, që ende qëndrojnë në llogoret proserbe, dhe po
paraqiten më serbë se serbët. Sepse është i pajustifikueshëm dhe i pakuptueshëm
qëndrimi i Spanjës, ministri i Jashtëm i së cilës, Manuel Garcia Margallo,
gjatë një vizite në Bukuresht në 16 maj, deklaroi se Spanja nuk do ta njohë
Kosovën, derisa këtë gjë ta bëjë Serbia. Është një argument tepër i varfër në
planin diplomatik, juridik e moral, kur një shtet deklaron se nuk e njeh një
shtet të ri, për hatër të miqësisë me një shtet tjetër. Ndoshta Madridi mund të
nxirrte argumentin se Spanja nuk mund ta njohë për shkak të shqetësimit se mund
të përdoret nga baskët si precedent, ndonëse edhe argumenti i precedentit duket
thjesht një alibi. Mjafton shembulli i Britanisë së Madhe dhe i Belgjikës, që e
kanë njohur Kosovën, për të provuar se nuk ka të bëjë Kosova me problemet e
dallimeve të brendshme etnike në këtë apo atë shtet europian. Nevojën e
adoptimit të një qëndrimi realist e shprehu në 30 prill ish-ambasadori i
Spanjës në SHBA, Jorge Dezcallar, i cili i bëri thirrje qeverisë së tij të
njohë Kosovën, sepse "marrëveshja Serbi-Kosovë i obligon vendet që nuk e
kanë njohur Kosovën, që të ndryshojnë mendim në këtë çështje. Ne nuk duhet të
trembemi nga precedenti, sepse Kosova nuk ka asgjë të ngjashme me vendin
tonë".
Procesi i një lëvizjeje të diplomacisë së pesëshes ka dhënë sinjale edhe në
shtete të tjera si Greqia. Athina ka zgjedhur të ndjekë manovrimin e qëlluar
diplomatik të mbajtjes së një profili të ulët gjatë këtyre pesë viteve të
shtetit të ri të Kosovës. Në muajin mars të këtij viti, ministri i Jashtëm i
Kosovës, Enver Hoxhaj, zhvilloi një vizitë dhe bisedime në Athinë me ministrin
e Jashtëm të Greqisë, Dimitris Avramopullos, gjë që shënon një veprim cilësor
diplomatik, ose më saktë, një parapërgatitje drejt një njohjeje me Kosovën.
Sepse vizitat e ministrave të Jashtëm të shteteve që nuk janë njohur, nuk mund
të kenë tjetër domethënie diplomatike. Me këtë rast Athina shpalli hapjen e një
Zyre Shtetërore të lidhjeve tregtare në Prishtinë, çka dëshmon për progres në
procesin e ngritjes së një strukture të përshtatshme të njohjes së mëvonshme.
Ministri i Jashtëm grek deklaroi me këtë rast se vendi i Kosovës dhe i gjithë
Ballkanit Perëndimor është në BE. E njëjta dinamikë lëvizjeje konstatohet edhe
në rastin e Sllovakisë, e cila, në dhjetor të vitit të kaluar priti në vizitë
në Bratislavë ministrin e Jashtëm të Kosovës. Sipas mendimit të qarqeve
diplomatike, një lëvizje e qartë e Greqisë drejt njohjes së Kosovës do të ketë
ndikimin e saj të drejtpërdrejtë edhe në qëndrimin e Qipros për këtë çështje.
Lëvizjet diplomatike në pesëshen e shteteve që nuk e kanë njohur Kosovën, sado
në embrion, janë një element i ri pozitiv, jo thjesht në shtimin e numrit dhe
të hartës së njohjeve ndërkombëtare të Kosovës. Ato janë në radhë të parë një
avancim drejt një shkalle të marrëdhënieve më të privilegjuara të Kosovës me
Bashkimin Europian. Raportuesja e Parlamentit Europian për Kosovën, Ulrike
Lunaçek, duke folur për procesin e njohjes nga pesë shtetet e BE-së, thekson se
"kjo do të jetë një lëvizje e rëndësishme".
Është e kuptueshme se kjo lëvizje që po ndodh brenda diplomacisë së pesëshes së
shteteve të BE-së, të cilat nuk e kanë njohur Kosovën, përbën një proçes, i
cili duhet trajtuar me kujdes dhe që duhet inkurajuar me të gjitha mënyrat dhe
format nga Shqipëria dhe nga Kosova. Në mënyrë të veçantë, qeveria dhe
diplomacia e Shqipërisë duhet t'i shfrytëzojnë këto situata të reja, të
krijuara pas marrëveshjes së 19 prillit, për të intensifikuar përpjekjet e tyre
në procesin e njohjes ndërkombëtare të Kosovës nga pesë shtetet e BE-së.
Qeveria dhe diplomacia e Shqipërisë do të bënin mirë të ndërmerrnin një
ofensivë diplomatike, të kufizuar gjeografikisht, të përqendruar në të pesta
shtetet që nuk e njohin ende zyrtarisht Kosovën, me qëllimin që të shfrytëzojnë
marrëdhëniet e saj me këto pesë shtete për një hap të ri drejt njohjes së
Kosovës. Katër nga ato pesë shtete janë anëtare të NATO-s, ku bën pjesë
Shqipëria, dhe me dy prej tyre Shqipëria ka nënshkruar Traktate Miqësie dhe
Bashkëpunimi.
Kam mendimin që qeveria e Shqipërisë duhet të përshëndesë hapat e qeverisë së
Rumanisë dhe të inkurajojë shpejtimin e procesit të njohjes së Kosovës.
Fushatat dhe ethet elektorale mund të hutojnë parti, politikanë dhe
institucione politike, por jo diplomacinë, e cila duhet të ruajë nordin e
interesave kombëtare dhe jetike, dhe të shkallëzojë veprimin e saj diplomatik
në favor të njohjes së Kosovës nga pesë shtetet e tjera të BE-së.