"Mbi të gjitha të drejtat që Amerikanët i konsiderojnë të shenjta, është liria
për të ushtruar fenë sipas dëshirës....ne e dimë gjithashtu se liria e fesë nuk
është një e drejtë vetëm për amerikanët, por ajo është një e drejtë universale
që duhet mbrojtur në këtë vend dhe anë e mbanë botës. Kjo liri është pjesë e
pandarë e dinjitetit njerëzor dhe pa të, bota jonë nuk mund të ketë paqë të
qëndrueshme." Presidenti Barak Obama
Të hënën, Departmenti Amerikan i Shtetit (DASH) botoi raportin vjetor mbi
lirinë fetare në botë, bazuar në aktin e Kongresit Amerikan për Lirinë e Fesë
në botë, ligj ky i miratuar 15 vjetë më parë. Në përmbledhjen e raportit të
këtij viti, DASH thotë se me këtë ligj, qeveria e Shteteve të Bashkuara bëri
një deklaratë të guximshme në mbështetje të atyre që janë të shtypur dhe të
përsekutuar, vetëm e vetëm se dëshirojnë të ushtrojnë të drejtën e praktikimit
të fesë së tyre. Raporti i DASH e bën të qartë se ky ligj, përveç se mbron të
drejtën e individit të ushtrimit të fesë -- ai mbron gjithashtu edhe të drejtën
për të mos besuar -- si një e drejtë universale e njeriut. Ky ligj gjithashtu
detyron DASH, që të botojë çdo vit një raport për të venë në dukje nëse
qeveritë anë e mbanë botës e mbrojnë ose jo të drejtën universale të fesë.
Liria e fesë dhe e drejta për ushtrimin e saj, sipas dëshirës së individit,
plotëson një nevojë të madhe të njeriut, thuhet në raport, dhe se nevoja për
lirinë e fesë bëri që pelegrinët e parë të largoheshin, për arsye të shtypjeve
fetare, nga Europa për në Amerikë, shekuj më parë dhe këjo e drejtë njëkohsisht
është e vulosur në Kushtetutën amerikane si një prej të drejtave bazë të
njeriut. Mirëpo, DASH në raportin e tij mbi lirinë fetare në botë thotë se këjo
e drejtë nuk është aspak një e drejtë eksklusive amerikane, duke shtuar se të
gjitha shtetet anë e mbanë botës janë angazhuar për të mbështetur lirinë
fjalës, lirinë e ndërgjegjës dhe lirinë e fesë, që është gur themeli dhe
standardi botëror për mbrojtjen e të drejtave të njeriut anë e mbanë botës
ç'prej vitit 1948.
Por, megjithkëtë, këjo e drejtë universale e lirisë së besimit, sipas raportit,
është sfiduar duke u abuzuar në shumë vende të botës, ndërkohë që qeveritë kanë
krijuar një "atmosferë jo toleruese" që shpesh ka çuar në urrejtje dhe dhunë
fetare. Raporti thotë se ndërsa shumë shtete anë e mbanë botës, respektojnë dhe
mbrojnë të drejtën e fesë, shumë vende dhe qeveri të tjera, fatkeqsisht, nuk e
mbrojnë këtë të drejtë bazë, duke kufizuar në mënyrë aktive këtë të drejtë
nepërmjet miratimit të ligjeve shtypëse, ndërsa pjesëtarë të shoqërisë sulmojnë
bashkqytetarët e vet në bazë të urrejtjes fetare dhe nuk kërkohet llogari nga
ata që kryejnë dhunë të tilla, sidomos kundër anëtarëve të besimeve minoritare.
Raporti i përgjithëshëm vjetor përfshinë kapituj për pothuaj 200 shtete dhe
territore duke përshkruar për secilin vend ligjet, politikat dhe praktikat e
qeverive të ndryshme, për vendet që mbrojnë dhe respektojnë lirinë fetare, dhe
njëkohësisht dokumenton, edhe shtypjet, dhunën dhe urrejtjet fetare për shtetet
të tjera. Në raport thuhet se, Sekretari Amerikan i Shtetit Xhon Kerri e ka
bërë të qartë se këto raporte duhet "të jenë të sakëta, objektive, të
hollësishme dhe të sinqerta." Kryediplomati amerikan tha se liria e fesë është
një e "drejtë që çdo person gëzon që prej lindjes", dhe konsideron se "sulmet
kundër lirisë së fesë janë një shqetësim jo vetëm moral, por përbëjnë shqetsim
edhe për sigurimin kombëtar të Shteteve të Bashkuara".
Ndër vendet kryesore abuzuese të lirisë së fesë, që renditë raporti janë, Kina,
Korea e Veriut, Arabia Saudite, Siria, Rusia, Uzbekistani, Irani,
Turkemenistani, Taxhikistani, Azerbajxhani, Kuba, Sudani, Eritrea, Pakistani.
Në raportin vjetor mbi lirinë e fesë në botë thuhet se të "krishterët janë bërë
objekti kryesor i abuzimeve dhe diskriminimeve shoqërore" në disa vende të
botës dhe shton se edhe grupe minoritare myslimanësh kanë vuajtur abuzim e
diskriminim, veçanërisht në ato vende ku ata konsiderohen nga shumica
myslimane, si "heretikë ose të huaj".
Në raportin mbi lirinë e fesë në Shqipëri thuhet se kushtetuta, ligjet dhe
politika mbrojnë lirinë fetare dhe qeveria, në përgjithësi, respekton lirinë e
fesë e të besimit, duke shtuar se nuk kishte raporte mbi abuzime ose
diskriminime shoqërore, bazuar në praktikimin e fesë. Qeveria, thuhet në
raport, ka vazhduar të merret me kërkesat e grupeve fetare për këthimin e
pronave komuniteteve fetare, por megjithkëtë,shumë prej këtyre kërkesave mbeten
të pazgjidhura.
Edhe raporti mbi Kosovën thekson se kushtetuta dhe ligjet e vendit mbrojnë
lirinë e fesë në praktikë,dhe në përgjithësi, qeveria respekton lirinë fetare.
Udhëheqsit fetarë, thotë raporti, kanë folur për një mungesë mekanizmi që do
t'i lejonte ata të regjistroheshin dhe të merrnin status ligjor, gjë që ka
krijuar një numër sfidash praktike në kryerjen e ativiteteve të tyre të
përditshme.
Në përfundim, raporti citon Sekretarin amerikan të Shtetit Xhon Kerri i cili ka
thënë në Berlin në Janar se, "si shtet,dhe si shoqëri, në jetojmë dhe
ekzistojmë bazuar në idenë e lirisë së fesë dhe të tolerancës fetare, cilado fe
qoftë..." Qeveria e Shteteteve të Bashkuara, nepërmjet diplomatëve të saj, do
të vazhdojë të tërheq vëmendjen ndaj abuzimeve të lirisë fetare kudo që të
ndodhin dhe do të përdorin të gjitha mjetet në dispozicion e tyre për të
inkurajuar, për të mbështetur dhe për të mbrojtur të gjithë ata, liria fetare e
të cilëve kërcënohet, përfundon raporti i DASH mbi Lirinë Fetare në Botë.