Kandidati për president të Shteteve të Bashkuara i Partisë Republikane Mit
Romni (Mitt Romney) njoftoi të Shtunën kandidatin e tij për nënpresident të
ardhshëm të Shteteve të Bashkuara. Pas shumë spekulimesh me nja një dyzinë
emërash, kandidati republikan për president njoftoi më në fund se ka zgjedhur
kongresistin Polë Rajën (Paul Ryan), nga shteti Uiskonsin. Kongresisti Rajën
aktualisht është kryetar i Komisionit që merret me buxhetin në Dhomën e
Përfaqësuesve dhe është një përkrahës i fortë i pakësimit të deficitit buxhetor
dhe të shpenzimeve të qeverisë federale.
Është interesant fakti se 42 vjeçari Polë Rajën, kandidat për nënpresident të
Shteteve të Bashkuara, është i të njëjtës moshë sa edhe djali i madh i Mit
Romnit, gjë që nuk ndodh shpesh në politikën amerikane.
Duke njoftuar kandidaturën e kongresistit Rajën për nën-president, Zoti Romni e
cilësoi vendimin e tij si, ''Një hap tjetër përpara për të ringjallur premtimin
e Amerikës, ndërsa vazhdojmë fushatën për një të ardhme më të mirë për vendin.
E kam për nder t'u paraqes kandidatin që kam zgjedhur për nënpresidentin e
ardhëshëm të Shteteve të Bashkuara, Polë Rajën.'' Ai e cilësoi kongresistin nga
shteti Uiskonsin si një ''udhëheqës intelektual i Partisë Republikane, i cili
kupton mirë katastrofën financiaro/buxhetore që na pret, nëqoftse nuk ndyshojmë
drejtimin''. Zoti Romni tha gjithashtu se një ndër karakteristikat e kandidatit
të tij për nënpresident është fakti se ai mund të punojë me antarë të dy
partive kryesore në Kongres... dhe se ai nuk i konsideron kundërshtarët e tij
si të djallëzuar'', duke shtuar se ''shumë veta nga Partia Demokrate mund të
mos jenë dakort mbi shumë çështje (politike dhe ekonomike) me Polë Rajën....por
unë nuk njoh asnjë prej tyre që të mos respektojë karakterin dhe gjykimin e
tij.''
Kongresisti Polë Rajën, i cili është i favorizuari i krahut të djathtë mbrenda
Partisë Republikane, sidomos për çështjet ekonomiko-financiare, menjëherë
filloi të kritikojë ashpër politikat e demokratëve në Kongres në përgjithësi
dhe të administratës së Presidentit Obama në veçanti, duke thënë se gjatë katër
vjetëve të fundit, ''ata kanë refuzuar të marrin vendime të vështira, sepse
janë më të interesuar në rizgjedhjen në postet që kanë se sa për fatin e brezit
të ardhëshëm.'' Në lidhje me ekonominë, që është preokupimi kryesor i zgjedhsve
amerikanë këtë vit, kandidati republikan për nën-president tha se situata e
tanishme mund të ndryshohet, ''por nevojitet udhëheqje e fortë dhe kurajo për
t'i thënë të vërtetën'', popullit amerikan.
Megjithëse demokratët së shpejti do të fillojnë kritikat e tyre të ashpëra
kundër kongresistit Rajën, sidomos kundër politikës së tij
financiaro/buxhetore, të cilën ata e kanë cilësuar si të papërgjegjshme --në
frymën tradicionale të tolerancës politike amerikane, Nën-Presidenti Xho Bajdën
i telefonoi kongresistit Rajën për ta uruar për zgjedhjen e tij dhe i bëri
thirrje që të gëzojë këtë ditë me familjen dhe tha në mesaxhin e tij se pret me
padurim që të debatojë me të çështjet e rëndësishme me të cilat përballet
vendi, ashtuqë që zgjedhësit amerikanë të kenë alternativa të qarta në Nëntor.
Analistët po reagojnë ndaj njoftimit të kandidaturës së kongresistit Rajën për
nën-president duke thënë, ndër të tjera, se kandidatura e tij për nën-president
le të kuptohet se fushata për president tani e deri në Nëntor do të
përqëndrohet krejtësisht mbi çështjet e mbrendshme, përfshirë ekonominë,
papunësinë, taksat dhe shpenzimet e qeverisë federale. Ekspertët thonë
gjithashtu se ndryshe nga e kaluara, kandidatët demokratë këtë vit --
Presidenti Obama dhe Xho Bajdën --mund të thonë pa ekzagjerim se kanë më shumë
përvojë në fushën e politikës së jashtme, në krahasim me kandidatët republikanë
Romni dhe Rajën. Në të vërtetë as ish-governatori Romni as kongresisti Rajën
nuk mund të pretendojnë ndonjë eksperiencë në politikën e jashtme ose të
mbrojtjes, pasi nuk kanë patur ndonjë përvojë në këto fusha.
Përveç kredencialeve të tij si konservator në çështjet buxhetore e financiare,
ai dallohet edhe si një atlet dhe kursimtar në në jetën tij personale, sepse
njihet mirë fakti se ai jeton në zyrën e tij në Kongres katër ditë të javës dhe
këthehet në shtëpi në Uiskonsin në fund të javës. Kongresisti Rajën i përket
fesë katolike dhe analistët sugjerojnë se edhe ky fakt mund të ketë luajur një
rol në vendimin e Z. Romni për ta zgjedhë atë kandidat për nënpresident, me
shpresë për të siguruar në Nëntor, përkrahjen e katolikëve amerikanë por edhe
të grupeve të tjera fetare, disa prej të cilave kanë shprehur shqetsim në
lidhje me fenë mormone të Z. Romni.
Strategët politikë të Partisë Republikane shpresojnë që njoftimi dje i
kandidatit republikan për president Mit Romni për të emëruar kongresistin Polë
Rajën kandidat për nën-president do të sjellë një energji të re në radhët e
republikanëve, por analistët politikë shprehen njëkohësisht se kandidatura e
kongresistit Rajën për nënpresident, ka të ngjarë që të mobilizojë gjithashtu
edhe bazën e Partisë Demokrate, për arsye të kundërta.
Por cilat do qofshin intrepretimet e këtij emërimi dje nga përkrahësit e të dy
partive ose nga analistët dhe komentatorët politikë të të gjitha ngjyrave,
është votuesi amerikan ai që -- pas një fushate të gjatë e cila do të kulminojë
në debatet televizive midis kandidatëve -- do të vendosë se kandidatët e cilës
parti do të kenë vullnetin, aftësinë, vendosmërinë dhe vizionin për tu besuar
frenat e qeverisë së Shteteve të Bashkuara për katër vjetët e ardhëshme, për të
zgjidhur problemet serioze, të mbrendshme dhe të jashtme me të cilat përballen
Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Kandidati republikan për nën-president, kongresisti Paul Ryan me kandidatin e
Partisë Republikane për president, ish-governatorin Mitt Romney